Fotografi nga protesta në Prishtinë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me gjyqin për krime lufte në Hagë. FOTO: Ekrem Fazliu/REL.

Një vit pas nisjes së gjyqit ndaj krerëve të luftës së Kosovës, shumëçka mbetet e paqartë

Në vitin e parë të gjykimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë bashkë me të, gjykata e Hagës për krimet e luftës ka dëgjuar dëshmi për vrasje dhe tortura, por shumë seanca janë mbajtur me dyer të mbyllura.

Një ditë para përvjetorit të 3 prillit të fillimit të gjyqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, përfshirë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, procedurat vazhduan ashtu siç kanë vazhduar për shumicën e gjyqit – në një seancë të mbyllur, pa qasje për gazetarët apo publikun.

Dëshmitari i 54-të në gjyqin në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka dëshmuar kryesisht privatisht, siç kanë bërë 31 të tjerë.

Rreth 60 për qind e 54 dëshmitarëve të prokurorisë dëshmuan në seanca kryesisht të mbyllura gjatë vitit të parë të gjykimit. Në muajt e parë të vitit 2024, nga 15 dëshmitarët e mbrojtjes që dëshmuan, 11 nuk u dëgjuan nga publiku.

Kjo krijon problemin e perceptuar të mungesës së transparencës, tha Amer Alija, avokat në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Alija tha për BIRN se “duke pasur parasysh që ky gjyq monitorohet nga gazetarë dhe monitorues, dëgjojmë shumë kritika për seancat me dyer të mbyllura sepse publiku dëshiron të dijë se për çfarë do të dëshmojnë dëshmitarët”.

Gjykata ka qenë e prirur të garantojë sigurinë e dëshmitarëve të mbrojtur pas incidenteve të mëparshme të kanosjes së dëshmitarëve në gjyqe të tjera të lidhura me UÇK-në në gjykatën jugosllave për krimet e luftës në Hagë. Alija vuri në dukje se “trupi gjykues duhet të vendosë midis transparencës dhe sigurisë së dëshmitarëve, dhe siguria është gjithmonë e para”.

Mungesa e perceptuar e transparencës ka ushqyer mosbesimin ndaj procedurave në mesin e shqiptarëve të Kosovës. E ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë në Kosovë, ku konsiderohet si një përpjekje për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së për liri nga represioni serb.

Më 7 nëntor 2023, gjyqtarët lëshuan një urdhër gojor që synonte të garantonte një publicitet më të madh për procedurat. Ai ishte një vazhdim i një urdhri të mëparshëm që udhëzonte prokurorinë dhe mbrojtjen që të përpiqeshin t’i bënin seancat më publike “duke pasur parasysh numrin e seancave private ose të mbyllura”.

Kur kërkojnë që dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur ose informacioni konfidencial të redaktohet nga dokumentet e disponueshme publikisht, prokuroria dhe mbrojtja “duhet të kenë parasysh nevojën për të garantuar sasinë më të madhe të publicitetit, duke garantuar gjithashtu mbrojtjen efektive të atyre të cilëve u është dhënë masat mbrojtëse”, thuhej në një konferencë të mëvonshme për shtyp nga gjykata.

Mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndryshojë në vitin e dytë të atij që duket se do të jetë një gjyq i gjatë.

Akuza për kanosje të dëshmitarëve

Katër të pandehurit në këtë proces – Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – akuzohen se kanë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krime të kryera ndaj të burgosurve të mbajtur në burgjet e UÇK-së në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje, përfshirë 102 vrasje.

Krimet dyshohet se u kryen ndërmjet të paktën marsit 1998 dhe shtatorit 1999, gjatë dhe menjëherë pas luftës me forcat serbe. Të pandehurit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Pavarësisht përpjekjeve për të mbrojtur dëshmitarët, kanosja ka qenë një problem i vazhdueshëm për gjykatën. Dhomat e Specializuara tashmë ka dënuar liderin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, dhe zëvendësin e tij Nasim Haradinaj për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.

Një gjykatës i procedurës paraprake ka vendosur gjithashtu të dërgojë për gjykim një rast tjetër për kanosje të dëshmitarëve kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Të akuzuarit – Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala – mohojnë përpjekjet për të ushtruar presion ndaj dëshmitarëve për të mos dhënë apo tërhequr dëshmitë e tyre.

Prokuroria ka akuzuar më tej Thaçin dhe të pandehurit Veseli dhe Selimi për përpjekje për të ndërhyrë te dëshmitarët, gjë që ata e mohuan. Akuzat çuan në vendosjen e kufizimeve në vizitat dhe telefonatat e tyre, të cilat Këshilli i Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i përshkroi si një përpjekje për të “dënuar” të pandehurit, duke treguar një shpërfillje të të drejtave të tyre të njeriut.

Forcë e organizuar apo milici e decentralizuar?

Në gjykimin e deritanishëm, mbrojtja është përpjekur të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një strukturë të duhur komanduese ushtrie, kështu që të pandehurit nuk mund të ishin përgjegjës për ndonjë krim të kryer nga luftëtarë të rangut më të ulët.

Ish-oficeri i ushtrisë britanike Douglas Young tha në gjykatë shtatorin e kaluar se UÇK-ja nuk ishte e organizuar si një ushtri standarde, edhe pse u përpoq të dukej si një ushtri e strukturuar “për ta paraqitur UÇK-në në mënyrën më të mirë të mundshme para organizatave ndërkombëtare”. Megjithatë, në realitet ajo nuk kishte një strukturë apo hierarki moderne ushtrie”, tha Young.

Në mënyrë të ngjashme, Rrustem Mustafa, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së gjatë kohës së luftës, i njohur gjithashtu me nofkën Remi, i tha gjykatës në korrik 2023 se forca guerile funksiononte kryesisht nga poshtë lart dhe nuk kishte një zinxhir komandues plotësisht të vendosur.

“Nuk arritëm në pikën që të kishim një ushtri që do të udhëhiqej nga shtabi i përgjithshëm”, pohoi Mustafa, duke shtuar se “lufta përfundoi përpara se shtabi i përgjithshëm të fitonte nivelin e një hierarkie të respektuar të nevojshme për të dhënë urdhra për komandantët e zonës”.

Megjithatë, Francis Ledwidge, një oficer i shërbimit inteligjent britanik i cili ishte pjesë e misionit të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës në vitin 1998 dhe i fokusuar në hetimin e personave të zhdukur, kryesisht në Rahovec, i tha gjykatës në korrik të vitit të kaluar se pavarësisht mosmarrëveshjeve brenda UÇK-së , forca guerile tregonte “një nivel organizimi dhe koordinimi” kur kapte civilët”.

Ledwidge tha se “niveli i organizimit dhe koordinimit të rrëmbimit të civilëve në Rahovec dhe rajon më flet për një nivel organizimi dhe jo për rrëmujë”.

Ndërkohë, një sërë dëshmitarësh të prokurorisë dëshmuan në seanca të mbyllura rreth rrëmbimeve dhe torturave të supozuara të kryera nga anëtarët e UÇK-së, sipas përmbledhjeve të prokurorisë të dëshmisë së tyre. Viktimat e këtyre krimeve ishin ose vetë dëshmitarët ose të afërmit e tyre, të cilët në disa raste u zhdukën plotësisht dhe trupat e tyre s’u gjetën kurrë.

Në gusht, dëshmitarja Dragica Bozaniç dëshmoi se burri dhe djali i saj u morën nga UÇK-ja dhe nuk u panë më.

“Humba gjysmën e zemrës sime kur  djalin 16-vjeçar ma rrëmbyen nga duart… dhe nuk do të ndalem kurrë derisa të zbuloj të vërtetën”, tha në gjykatë Bozaniç, një serbe me origjinë nga Kosova, por nuk ka jetuar më atje që nga koha e luftës.

Gjyqi vazhdon..

Shqetësime për monitorim të pavarur

Edhe pse Dhomat e Specializuara janë me seli në Holandë dhe me personel ndërkombëtar, ato janë zyrtarisht pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.

Megjithatë, ndryshe nga gjykatat brenda Kosovës, kodi procedural i Dhomave të Specializuara nuk i lejon monitoruesit e pavarur të jenë të pranishëm gjatë seancave të mbyllura – një çështje që ka shkaktuar shqetësim për disa OJQ.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha se “në krahasim me rastet e ngjashme për krime lufte në Kosovë, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë më të mbyllura”, duke shpjeguar se në raste të ngjashme krimesh lufte në gjykatat në Kosovë, “ne si monitorues kemi marrë pjesë në seancat e mbyllura”.

Abit Hoxha, një asistent profesor i medias dhe konfliktit me origjinë nga Kosova në Universitetin e Agderit në Norvegji, argumentoi se çështje si kjo e kanë rritur mosbesimin ndaj gjykatës në Kosovë.

“Mungesa e transparencës e procesit çon në një narrativë mospranimi të ndonjë vendimi të gjykatës, gjë që më pas shkakton problem për legjitimitetin e kësaj gjykate”, tha Hoxha për BIRN.

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara, shpjegoi për BIRN në një email në shkurt se “në parim, të gjitha seancat janë publike, përveç rasteve kur gjyqtarët vendosin të zhvillojnë një seancë dëgjimore të mbyllur ose private për mbrojtjen e dëshmitarëve ose viktimave”.

“Kur një seancë është në seancë private, vetëm palët dhe pjesëmarrësit në seancë – duke përfshirë mbrojtjen, prokurorinë dhe mbrojtësin e viktimave – mund ta ndjekin atë”, tha Doyle.

“Megjithatë, edhe kur një pjesë e seancës mbahet në seancë private ose të mbyllur, mbrojtja është ende e pranishme dhe në gjendje të marrë në pyetje dëshmitarët e thirrur nga prokuroria”, shtoi ai.

Ai këmbënguli se “të drejtat dhe mbrojtjet zbatohen nëse një seancë është apo jo publike apo private”./Balkan Insight