Specialja hedh poshtë kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për përjashtimin e gjykatësit Guillou

Gjykata Speciale ka bërë të ditur se është rrëzuar kërkesa e mbrojtjes së Hashim Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nicolas Guillou si gjykatës të vetëm.

Sipas njoftimit, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e ka rrëzuar kërkesën më 08.04.2024.

Kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Guillou u bë mbi bazën se gjykatësi bëri betimin si gjykatës në GJPN më 08.03.2024 dhe do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19.08.2024.

“Z. Thaçi argumentoi, ndër të tjera, se pavarësia e gjykatësit Guillou cenohet nga fakti që ai përgjigjet para dy gjykatave dhe meqenëse do të përgatitet për të punuar me çështjet që do t’i ngarkohen në GJPN, nuk do të jetë i disponueshëm për të punuar në DHSK”- thuhet në njoftimin e Speciales.

Sipas njoftimit, kryetarja Trendafilova konstatoi se nuk mund të ushtrojë kompetencën për zëvendësimin e një gjykatësi përveç nëse gjykatësi nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e veta dhe ky nuk është rasti me gjykatësin Guillou, sepse ai do të ushtrojë funksionet gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19.08.2024.

“Ajo konstatoi më tej se z. Thaçi nuk ka paraqitur argumente pse është cenuar puna apo pavarësia e gjykatësit Guillou si gjykatës i vetëm dhe se asnjë gjykatës nuk mund të hiqet mbi bazën e pretendimeve të përgjithshme apo abstrakte që nuk janë as të bazuara dhe as të detajuara. Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Guillou për të ushtruar funksionin si gjykatës i vetëm është aspekt që vlerësohet nga Kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve” – thuhet në njoftim.

Seanca e radhës në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët është planifikuar të mbahet më 22.04.2024.

Ndërsa, sipas njoftimit, në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, kryetarja e Dhomave të Specializuara më 05.04.2024 caktoi panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me kërkesën referuese të të akuzuarve me të cilën kundërshtojnë ndryshimet në rregulloren e ndihmës juridike nga Zyra Administrative.

Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti.

“Më 8 prill, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës. Ai konstatoi për të dy të akuzuarit se ekziston ende rreziku i arratisjes, pengimit të procesit gjyqësor si dhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera, veçanërisht duke mbajtur parasysh se, me ecurinë e procesit të nxjerrjes së materialeve, të akuzuarit kanë më shumë qasje në informacione të ndjeshme” – thuhet në njoftim.

Ndërsa, Specialja bën të ditur se në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga data 15-18 prill 2024, dhe do të fillojë Prokuroria më 15 dhe 16 prill, e ndjekur nga deklaratat përmbyllëse të Mbrojtësit të Viktimave dhe të mbrojtjes.

“Z. Shala gjithashtu do të bëjë një deklaratë pasi të kenë përfunduar parashtrimet e tyre palët dhe Mbrojtësi i Viktimave.  Pasi Kryegjykatësja ta deklarojë çështjen të mbyllur, gjykatësit e Trupit Gjykues do të kuvendojnë në mënyrë konfidenciale për të dalë me një aktgjykim në lidhje më akuzat në Aktakuzë”- thuhet në njoftim.

Aktgjykimi, sipas njoftimit të Speciales, do të shqiptohet brenda nëntëdhjetë ditësh nga mbyllja e gjykimit, përveç nëse rrethanat kërkojnë më shumë kohë.

Ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.