Foto: Igli Hasani/ Video Fcb

Ministri Hasani viziton Thaçin në Hagë, e siguron për mbështetje të vazhdueshme nga Shqipëria

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka takuar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

Përmes një video- mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ai ka thënë se e ka siguruar ish-presidentin e Kosovës, se mbështetja e Shqipërisë nuk do t’i mundojë në asnjë rast.

Takimi me Thaçin, sipas tij, ishte mbresëlënës.

“I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me të përpjeta dhe të tatëpjeta, garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht. I përcolla z. Thaçi urimet më të mira të drejtuesve më të lartë të shtetit, kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve tjerë, si dhe sigurinë që ashtu si më parë mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë”- ka deklaruar Hasani.

Populli shqiptar, siç ka thënë ai, nuk i harron përpjekjet dhe sakrificat e bijve të vetë – si dje në luftë ashtu edhe sot në paqe.

“E informova presidentin për zhvillimet më të fundit në vend dhe rajon si dhe për përpjekjet e pakursyera nga ana jonë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin. Diplomacia shqiptare do ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur dhe transparent në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare”, është shprehur Hasani.

Ai kërkuar një proces gjyqësor të përshpejtuar, transparent dhe politikisht të paanshëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.