Partitë parlamentare nuk tregojnë se ku saktësisht i çuan rreth 2 milionë euro

1 milion e 791 mijë e 483 euro e 85 centë i kanë shpenzuar partitë politike parlamentare: Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për paga dhe për kompensime të ndryshme gjatë vitit 2023.

Këto shifra janë nxjerr nga raportet e paaudituara që ato i kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Por, për të kuptuar se sa njerëz paguhen saktësisht nga këto parti dhe se çfarë roli kryejnë ata, KALLXO.com ka bërë kërkesë në të katër partitë parlamentare për të pasur qasje në listat e të paguarve gjatë vitit 2023.

Ndonëse kërkesa tek këto katër parti është dërguar më 21.03.2024, asnjëra nga to nuk ka ofruar qasje në këto lista.

Lëvizja Vetëvendosje, që ka edhe pushtetin qendror në Kosovë, gjatë vitit 2023 ka raportuar se në paga dhe kompensime ka çuar 767 mijë e 435 euro e 60 centë.

Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare ka raportuar se 561 mijë e 711 euro e 49 centë gjatë 2023-tës i ka dërguar në paga dhe kompensime.

Lidhje Demokratike e Kosovës, ka raportuar se gjatë vitit 2023 i ka shpenzuar për paga dhe kompensime 276 mijë e 504 euro e 88 centë të buxhetit të saj.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë të njëjtit vit ka raportuar t’i ketë shpenzuar në paga dhe kompensime 185 mijë e 831 euro e 88 centë.

Sipas raporteve të këtyre partive, gjatë vitit 2023, të katra partitë së bashku patën 3 milionë e 910 mijë e 745 euro e 41 centë të hyra.

Bazuar në të dhënat e deklaruara i bie që partitë politike kanë shpenzuar rreth 46 për qind të të hyrave të tyre në paga dhe kompensime.

Ndonëse një pjesë e madhe e buxhetit të këtyre partive ka shkuar në paga dhe kompensime, këto parti kanë zgjedhur mostransparencën në lidhje me atë se kush dhe për çka paguhet nga to.

Bazuar në Ligjin për financimin e subjekteve politike, mjetet që ndahen nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike mund të përdoren për: financim të aktiviteteve të subjekteve politike; financim të degëve të subjekteve politike; për shpenzime materiale vjetore të deputetëve dhe punën e Grupeve Parlamentare për aktivitete partiake; si dhe për shpenzime për zgjedhjet lokale dhe qendrore, dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të subjekteve politike.

Mjetet nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike, ndahen në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të ulëseve për atë mandat.

KQZ thotë se raportet e partive politike janë të paaudituara dhe se ato mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.

Vetëvendosjes i shtohet pasuria, mbi 2 milionë euro të hyra gjatë vitit 2023

PDK me të hyra mbi 800 mijë euro gjatë vitit 2023

LDK me të hyra mbi 700 mijë euro, donator i partisë edhe Abdixhiku

AAK me 280 mijë euro të hyra vjetore pa asnjë donacion