Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetëvendosjes i shtohet pasuria, mbi 2 milionë euro të hyra gjatë vitit 2023

Për periudhën 01.01.2023 deri më 31.12.2023, partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje ka raportuar të hyra në vlerë prej 2 milionë e 98 mijë e 592 euro e 49 centë.

Kjo e dhënë figuron në raportet financiare të partive politike për vitin 2023 të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 15.03.2024.

Pjesa më e madhe e të hyrave, Vetëvendosjes i erdhi nga buxheti i shtetit. Si donacione kjo parti ka raportuar se i ka pranuar mbi 22 mijë euro.

Vetëvendosja e drejtuar nga Albin Kurti ka raportuar se gjatë vitit 2023 shpenzoi 1 milion e 381 mijë e 285 euro e 37 centë. Mbi 700 mijë euro i tepruan kësaj partie sipas raportit të tyre financiar.

Shpenzimet kryesore të partisë në pushtet ishin pagat dhe kompensimet që kalojnë shifrën prej 760 mijë euro, kurse mbi 138 mijë euro u shkuan në reklama, konferenca e reprezenatcion.

Krahasuar me vitin 2022, Vetëvendosje pati rritje të të hyrave por edhe të shpenzimeve, megjithatë në të dy vitet suficiti ishte mbi 700 mijë euro.

Pasuritë e VV-së

Vetëvendosja ka raportuar se ka 1 milion e 457 mijë e 320 euro e 19 centë pasuri afatgjata dhe afatshkurtra. Krahasuar me vitin 2022, VV-së i janë rritur pasuritë, në atë kohë pati raportuar mbi 818 mijë euro pasuri.

Shumica e pasurive të VV-së janë para dhe ekuivalentë të parasë.

Kësaj partie iu shtuan pajisjet. Në vitin 2022 për këtë kategori VV-ja kishte pasuri në vlerë prej mbi 69 mijë euro, kurse në vitin 2023, u raportuan pasuri në vlerë prej mbi 121 mijë euro.

VV ka raportuar vetura në vlerë prej mbi 21 mijë euro, pajisje të zyrës në vlerë mbi 35 mijë, pajisje të teknologjisë informative në vlerë mbi 64 mijë dhe pajisje të tjera në vlerë prej 414 euro e 18 centë. Kjo parti nuk ka raportuar se ka toka apo objekte.

Donatorët e mëdhenj të VV-së

Të gjithë ata që kanë dhënë donacione në Vetëvendosje janë deputetë apo anëtarë të kësaj partie.

Deputeti Enver Dugolli për partinë gjatë vitit 2023 dha donacion në vlerë prej 2 mijë euro.

2 mijë euro për partinë e saj i dha edhe deputetja tjetër Tinka Kurti.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dhënë disa donacione për Vetëvendosjen, të gjitha së bashku kapin shifrën prej 2 mijë euro.

Partisë 2 mijë euro ia dha edhe deputeti Salih Zyba.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku për Vetëvendosjen, gjatë vitit 2023 i dha 800 euro.

Deputeti Jahja Kokaj i dha 1 mijë euro për partinë e tij gjatë vitit 2023.

Raportet e publikuara nga KQZ janë të paaudituara, nga ky institucion thonë se raportet mund të pësojnë ndryshime gjatë auditimit.

Raporti i plotë i LVV-së, publikuar nga KQZ.