Foto: Lumir Abdixhiku në Facebook

LDK me të hyra mbi 700 mijë euro, donator i partisë edhe Abdixhiku

Lumir Abdixhiku, pos që është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është edhe donator i kësaj partie.

Sipas raportit financiar të paaudituar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezuton se Abdixhiku ka dhënë 1900 euro donacion për LDK-në në shtator të vitit 2023.

Megjithatë, ai nuk ishte i vetmi që ka dhënë donacion. Shuma totale e donacioneve që kanë dhënë edhe disa nga zyrtarët e LDK-së ka arritur në 39 mijë e 483 euro.

Doarsa Kica Xhelili, ndonëse e anëtarësuar vonë në LDK dha donacion 1200 euro më 18.09.2023. Donacion dha edhe Berat Rukiqi në vlerë prej 2 mijë eurove, po aq sa ka dhënë edhe Besian Mustafa.

Donacionet për LDK-në gjatë vitit 2023. Burimi: KQZ

Si parti e tretë më e madhe në vend, LDK-ja e Lumir Abdixhikut mori edhe 525 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Gjatë vitit 2023, LDK pati të hyra në total prej 723 mijë e 169 euro. Si shpenzime gjatë vitit, sipas raportit të KQZ-së, LDK regjistroi 431 mijë e 824 euro.

Raportet financiare të publikuara nga KQZ janë të pa audituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.

Të hyrat për LDK-në gjatë vitit 2023. Burimi: KQZ