Vdes ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi
Ka vdekur ish-kryetari i Komunës së Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook Lëvizja Vetëvendosje – dega në Pejë.
“Me dhembje të thellë mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të Ali Lajçit. Ai ishte një figurë e rëndësishme në historinë e Kosovës, një figurë e shquar në rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij”- thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se Ali Lajçi ishte një zë i fortë dhe i vendosur për të mbrojtur interesat e Kosovës.
“Angazhimi i tij për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit prej Demarkacionit të Murat Mehës ishte i shquar dhe i pamohueshëm. Ai ngriti zërin dhe u bë zëdhënësi i popullit, duke paraqitur argumente të forta kundër kësaj marrëveshje të dëmshme për vendin tonë”- bëhet e ditur në postim.
LVV-ja thotë se kontributi i Lajçit si kryetar i Komunës së Pejës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës do të kujtohet gjithmonë.
Ali Lajçi është ish i dënuar politik nga regjimi i Serbisë.
Lajçi që ga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë Kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Grupin Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vite burg. Pas lirimit në 1991 sërish u burgos në vitin 1993 për organizimin e rezistencës së armatosur(UÇK).