Konferenca e Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësis, Foto: ZKA/Facebook

Zyra Kombëtare e Auditimit flet për dështimin e projektit të Ministrisë së Arsimit në vlerë mbi 5 milionë euro

Dështimi në funksionalizimin e projektit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për digjitalizimin e arsimit parauniversitar “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit” i ka shkaktuar 5,637,519 euro dëm buxhetit të Kosovës. 

Kështu ka deklaruar auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, në një konferencë për media më 29.04.2024, derisa ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit të Auditorit për projektin e digjitalizimit të arsimit parauniversitar.

Përveç raportit për projektin e Ministrisë së Arsimit, Spanca ka prezantuar edhe gjetjet dhe rekomandimet e raportit për projektin e Ministrisë së Shëndetësisë “Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (SIMSF)”.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se projekti në fjalë nuk është funksionalizuar dhe nuk janë arritur qëllimet e tij për e-edukimin dhe digjitalizimin e provimit të maturës. Rrjedhimisht, dëmi i shkaktuar i buxhetit të shtetit për shkak të dështimeve në funksionalizimin e këtij projekti është 5,637,519 euro” – ka thënë Spanca për projektin e MASHTI-t.

Sipas Spancës, Ministria e Arsimit e ka zhvilluar projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar në Kosovë në vlerë prej 4,931,000 euro gjatë viteve 2013 – 2017. 

Pasi ka treguar se për ta zhvilluar këtë projekt ishte negociuar marrëveshje për kredi të butë me bankën austriake “UniCredit Bank Austria”, e cila do të vazhdohet të paguhet në formë të kësteve të kredisë deri në vitin 2032, Spanca ka bërë të ditur se çka ishte paraparë të krijohej me zhvillimin e këtij projekti.

“Për zhvillimin e këtij projekti është negociuar marrëveshja për kredi të butë, përmes bankës austriake UniCredit Bank Austria, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe do të paguhet deri më 30 shtator 2032 në një vlerë totale 5,637,519 euro (përfshirë kryegjënë, interesin, tarifat). Me zhvillimin e këtij projekti ishte paraparë të krijohej sistemi me dy module, për komponentin e mësimit elektronik dhe komponentin e digjitalizimit të provimit të maturës, si dhe serverët për vendosjen e sistemit të zhvilluar” – ka shtuar Spanca.

Më tej Spanca ka theksuar gjetjet e tjera të raportit për projektin e MASHTI-t. Ajo tha se projekti i financuar plotësisht nga huamarrja është realizuar pa planifikim paraprak dhe është përcjellë me mangësi gjatë zhvillimit, të cilat i ka përmendur dhe ka deklaruar se kanë ndikuar në mosarritjen e qëllimit dhe përmbushjes së misionit të organizatës.

“Për më shumë, Ministria nuk ka siguruar pajisjet thelbësore dhe infrastrukturën harduerike dhe të rrjetit për qëllime të këtij projekti. Sistemi i zhvilluar nuk ka arritur të zbatohet në shkolla për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme dhe qasjes në rrjet për përdoruesit. Rrjedhimisht, ky sistem është jofunksional” – tha ajo.

Spanca ka ndarë edhe përvojën me MASHTI-n gjatë auditimit të projektit për digjitalizimin e arsimit parauniversitar.

Sipas saj, Ministria e Arsimit nuk ka arritur të ofrojë dokumentacionin e nevojshëm dhe qasjen në sistemet e informacionit, të kërkuara gjatë auditimit. 

“Kjo ka kufizuar dukshëm fushëveprimin e auditimit. Për më tepër, Ministria nuk ka arritur të sigurojë efikasitetin e produktit/sistemit të projektit, veçanërisht në lidhje me aftësinë e tij për t’i shërbyer qëllimit të tij zhvillimor, e aq më pak që sistemi ka mbetur i pashfrytëzuar dhe i pamirëmbajtur për një periudhë të gjatë kohore” – ka shtuar Spanca.

Tutje, ajo është shprehur se MASHTI nuk ka arritur të menaxhojë siç duhet me projektin, duke dështuar të caktojë menaxher të projektit dhe personel përgjegjës. Në këtë rast, Spanca ka ndarë detaje se si MASHTI ka paguar operatorin ekonomik.

“Ministria ka kryer pagesën për punën e realizuar nga operatori ekonomik pa u bërë ende pranimi nga komisioni i pranimit, duke mos arritur të sigurojë se produkti i pranuar është në pajtim me kontratën. Rrjedhimisht, projekti mbetet i paraportuar si i përfunduar, me pagesën përfundimtare. Kjo pagesë nuk është e regjistruar në SIMFK si shpenzim” – ka njoftuar Spanca.

Gjetje tjetër e ZKA për projektin e MASHTI-t është se kjo Ministri nuk ka arritur të sigurojë monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, prandaj nuk kishte raporte se ky sistem i zhvilluar është mirëmbajtur dy vite pas pranimit, siç është paraparë në marrëveshje.

“Për më tepër, parametrat e sigurisë që sigurojnë konfidencialitetin dhe mirëmbajtjen e qasjes së sistemit nuk janë zbatuar, duke rezultuar në humbjen e qasjes në sistem dhe pajisjet përkatëse” – tha ajo.

Si përfundim, Spanca ka thënë se MASHTI ka mangësi në qeverisjen e operacioneve të teknologjisë dhe informacionit. 

“Nuk ka bërë identifikim të qartë të kërkesave dhe planifikimin e nevojave për zhvillimin e projektit të TI-së, zhvillimin e sistemit dhe sigurimin e infrastrukturës harduerike, si dhe nuk ka drejtuar dhe monitoruar efektivisht zbatimin e projekteve të TI-së në MASHTI, për përmbushjen e misionit të vet” – ka shtuar ajo.

Spanca ka njoftuar po ashtu se i kanë dhënë 14 rekomandime MASHTI-t, me qëllim të adresimit të çështjeve të identifikuara lidhur me menaxhimin dhe zbatimin e projektit të teknologjisë së informacionit “Modernizimi i sistemit të edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”, si dhe, menaxhimin e projekteve të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në përgjithësi.

Në raportin e ZKA shihet se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka dorëzuar një letër-konfirmim me anë të të cilës ka konfirmuar se i ka parë rekomandimet e raportit të ZKA dhe nuk ka ndonjë koment për përmbajtjen e tij.

Ministrja Nagavci po ashtu ka deklaruar një periudhë brenda së cilës do të dorëzojnë një plan veprimi.

“Brenda 30 ditëve nga pranimi i raportit final do t’ju dorëzojmë një plan veprimi për implementimin e rekomandimeve të shtruara” – thuhet në letër-konfirmimin e Nagavcit më 20.03.2024.

Të gjitha rekomandimet dhe gjetjet e raportit të ZKA për projektin e digjitalizimit të arsimit parauniversitar në Kosovë mund të gjenden në këtë LINK.

Në anën tjetër, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për arsim të datës më 16.04.2024, ku është folur për Projektligjin e Provimit të Maturës Shtetërore, ministrja Nagavci kishte njoftuar se janë duke punuar për t’i sistemuar nxënësit që do t’i nënshtrohen provimit të maturës, në mënyrë që ata të aplikojnë online dhe rezultatet e provimit të mund të printohen në formë certifikate.

“Ajo që po synojmë të bëjmë në provimin e radhës e që nuk i përfshin edhe ndryshimet që janë adresuar në ligj është që kemi filluar pjesërisht digjitalizimin në aspektin e aplikimit online të sistemit të nxënësve dhe për mënyrën se si ata do të vendosen në klasa d.m.th nuk do të jenë të gjithë nxënësit e së njëjtës klasë në një klasë, por do të kemi nxënës të cilët do të shpërndahen në klasa të ndryshme që të mos lejohet të kopjojnë njëri-tjetrin” – ka treguar Nagavci më 16.04.2024.

Në këtë rast, Nagavci kishte përmendur projektin e digjitalizimit të arsimit, duke thënë se megjithëse ky projekt ka filluar në vitin 2013, ka përfunduar formalisht, porse nuk ka asgjë konkrete në aspektin e arritjes së këtij qëllimi.