Pamje nga konferenca e PDK-së. Foto: PDK.
PDK: Korrupsioni në Qeverinë Kurti, kryefjalë në raportin e DASH-it për Kosovën
Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për korrupsion, paaftësi dhe dështim të skajshëm.
Deputetja Blerta Deliu- Kodra dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda thanë gjatë një konference për media, të mbajtur më 24.04.2024, se një gjë e tillë është pasqyruar edhe në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për Kosovën.
Të gjeturat e këtij raporti, sipas deputetes Deliu-Kodra faktojnë sesi tash e katër vjet Kosova udhëhiqet nga një “Qeveri e korruptuar, e paaftë, nepotiste, abuzuese e kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes dhe asaj të medias”.
Sipas saj, ky raport është tejet i zymtë dhe tregon realitetin tonë në Kosovë.
“Ky raport, që padyshim është kredibil dhe mirë i analizuar, shpërfaqë dështimin e skajshëm të kësaj Qeverie në të gjitha fushat, më të rëndësishmet në udhëheqjen e shtetit”- tha ajo.
Deliu-Kodra ngriti shqetësimin për konstatimin e raportit të DASH për korrupsion serioz qeveritar, pjesë e të cilit janë edhe pesë ministra e dy zëvendësministra nën hetime për vepra penale të cilët ndërlidhen me korrupsionin.
“Kemi edhe dy vendimet të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilat kanë shpallur fajtore ministren e MINT, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e MPJD, Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë. Rastet eklatante të kësaj Qeverie dhe eksponentëve të tyre gjatë këtij mandati që ndërlidhen me korrupsionin masiv qeveritar, janë tejet të shumta. Aferat e ambasadorit Martin Berishaj, Nagip Krasniqit të KEK-ut, Faruk Mujkës, Ridvan Muharremit dhe ministres Hajdari lidhur me rezervat shtetërore, kontratat njëburimore që tejkalojnë 200 milionë euro, deri te raportimet e fundit të mediave për faljen e miliona borxheve të kompanive nga ministri Liburn Aliu, vetëm sa forcojnë edhe më shumë këto konstatime të DASH-it”- ka thënë deputetja Kodra-Deliu.
Ajo ka përkujtuar se Vetëvendosja në vazhdimësi ka refuzuar kërkesat për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare, gjë që sipas saj, i shton dyshimet e bazuara për skandale.
Sipas saj, Kosova, viteve të fundit ka pësuar rënie në ranglistën për lirinë e medias si pasojë e presionit nga zyrtarë të Qeverisë Kurti.
“Kjo pasqyrë nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe integrimit të saj euro-atlantik. Përkundrazi, Qeveria, përmes veprimeve të saj ka përkeqësuar edhe mirëqenien e qytetarëve edhe imazhin e vendit në botë. Për këto arsye dhe jo vetëm, Kosova tashmë gjendet edhe nën sanksione ndërkombëtare me qindra-miliona euro të bllokuara. Kjo nuk është Kosova për të cilën është punuar me vite”- ka thënë ajo.
Ndërsa, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda ka potencuar se në raportin e DASH-it përshkruhet me saktësi dobësimi i përgjithshëm i nivelit të sundimit të ligjit dhe në veçanti ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë.
“Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar përmes ndërhyrjeve në organet e sistemit të drejtësisë. Një gjë të cilën ne si PDK e kemi thënë vazhdimisht, është konfirmuar tash edhe nga raporti i DASH-it. Ndërkohë, nuk është bërë asgjë për të realizuar reformat e premtuara në sistemin e drejtësisë, nuk ka filluar ende procesi i vettingut dhe kanë vazhduar shkeljet e Kushtetutës”, ka thënë Gruda.
Gruda foli edhe për problemet që ka Kosova me dhunën kundër grave dhe dhunën në familje, të cilat përmenden në raportin e DASH-it.