Ura te Liqeni i Badovcit (25.04.2024), Foto: KALLXO.com

Ngecin punimet për ndërtimin e urës te Liqeni i Badovcit

Edhe pse në kontratën e nënshkruar është përcaktuar se punimet do të kryhen brenda 125 ditëve, punimet për ndërtimin e urës në afërsi të Liqenit të Badovcit, që lidh Prishtinën me Gjilanin, kanë ngecur.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, punimet në urën e cila është bllokuar për qarkullim që nga fundi i muajit prill të vitit 2023, janë ndalur që nga 06.03.2024, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Liqenin e Badovcit. 

“Ju informojmë se që nga data 06.03.2024 në këtë projekt nuk ka aktivitete të punimeve për shkak të nivelit të lartë të Liqenit të Badovcit, që pamundëson fillimin e pozicioneve të punimit të pilotave të themeleve” – kanë thënë nga MMPHI për KALLXO.com.

Sipas tyre, aktualisht ministria është në fazën “e aprovimit të ndryshimeve të bëra në projekt”.

“Duke marrë parasysh që nuk mund të ndikojmë në uljen e nivelit të ujit në Liqenin e Badovcit, atëherë kemi filluar menjëherë shqyrtimin e disa mundësive tjera për fondimin e pilotave dhe themeleve. Për këtë është dashur që të bëhen disa ndryshime në projekt. Tani jemi në fazën e aprovimeve të këtyre ndryshimeve në mënyrë që të fillojmë sa më shpejtë ndërtimin e urës” – vazhdon përgjigja e Ministrisë.

Kontrata për “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar me 10.01.2024, më shumë se gjashtë muaj që nga bllokimi i urës për shkak të rrezikut.

Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” është 468 mijë e 522 euro. Në kontratën e nënshkruar në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe “Dreni Inginiering” thuhet se punimet do të kryhen në afat prej 125 ditëve.

Kështu kishte deklaruar edhe zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Pas konstatimit të ekspertëve që ura në Badovc duhet të mbyllet për qarkullim, ne menjëherë intervenuam. E mbyllëm urën duke e hapur Bypass-in, e asfaltuam rrugën si zgjidhje të përkohshme. Afati për përfundimin e punimeve është 125 ditë”- citohet nga mediat të ketë thënë Durmishi më 23.10.2023.

Duke llogaritur datën e nënshkrimit të kontratës 10.01.2024 dhe 125 ditëve të përcaktuar, i bie që punimet të përfundojnë në mesin e muajit maj 2024. Por në teren punimet kanë ngecur. Aktualisht është demoluar vetëm ura e vjetër.

Ura e re pritet të jetë 38 metra e gjatë, me tri hapësira drite si dhe me gjerësi të rrugës mbi të 7 metra e gjysmë dhe trotuaret e elementet tjera përcjellëse. 

Në fund të muajit prill 2023, MMPHI ka mbyllur urën tek Liqeni i Badovcit pas vlerësimit se paraqet rrezik.

Më 17.05.2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka asfaltuar rrugën alternative tek ura e Liqenit të Badovcit për qarkullim të veturave, deri në ndërtim të urës.