Foto: MPJD

Gërvalla merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, me ftesë të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Europian, po merr pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel, në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan BE-së në vitin 2004.

Sipas njoftimit të MPJD-së, gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.

“Në këtë takim, Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”- ka njoftuar MPJD.

Ndërsa tutje thuhet se Gërvalla do të realizojë edhe takime bilaterale me ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Kosovës i kanë mbetur më pak se një muaj deri te votat e ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës (KiE), të cilat përcaktojnë nëse vendi më i ri i kontinentit do të bëhet shteti i 47-të i organizatës për të drejtat e njeriut.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.