Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK me të hyra mbi 800 mijë euro gjatë vitit 2023

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar më 15.11.2024 raportet financiare të partive politike për vitin 2023.

Bazuar në këto Raporte, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), gjatë vitit të kaluar ka pasur gjithsej 808 mijë e 983 euro të hyra.

Nga kjo shumë, 657 mijë e 168 euro rezultojnë si të hyra nga buxheti, 400 euro si donacione, 1 mijë e 456 euro si të hyra të liruara nga të hyrat e shtyera, si dhe 149 mijë e 958 euro janë regjistruar si të hyra tjera.

Ndërsa për vitin 2023, PDK ka pasur në total 715 mijë e 985 euro shpenzime. Prej tyre, 561 mijë e 711 euro janë shpenzime për paga dhe kompenzime; 21 mijë e 222 euro për transport; 46 mijë e 494 euro shpenzime për reklama dhe konferenca; 3 mijë e 872 euro për blerje të mallrave; 57 mijë e 381 euro shpenzime të përgjithshme dhe 25 mijë e 304 euro shpenzime të ndryshme.

Suficiti në raport me të hyrat dhe shpenzimet të PDK-së për vitin 2023 është 92 mijë e 996 euro.

Sipas këtij raporti financiar, PDK ka bërë një hulumtim opinioni përgjatë vitit 2023, përmes një kompanie private, të cilën e ka paguar 7 mijë e 365 euro për këtë shërbim.

Ajo që bie në sy është se PDK përgjatë vitit 2023 ka marrë vetëm 400 euro donacion. Kjo shumë është dhënë nga i njëjti person, në tri raste të ndara.

PDK është partia e dytë me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës, me gjithsej 18 të tillë, dy më shumë se LDK-ja.

Sipas Ligjit për Financimin e Subjekteve politike, çdo parti politike e regjistruar në KQZ, deri me 31 janar të çdo viti e ka për obligim të dorëzojë në KQZ raportin financiar mbi të hyrat, shpenzimet, pasurinë dhe donacionet.

Në raport duhet të përfshihen të gjitha detajet e të gjitha transaksioneve brenda periudhës së raportuar.

Por, këto raporte, siç ka bërë të ditur KQZ, janë të paaudituara dhe si të tilla mund të pësojnë ndryshime pasi të auditohen nga auditorët e jashtëm.