Arkiv - Foto: REL/AP

Kurti thotë se marrëdhëniet me Kosovë - SHBA kurrë nuk kanë qenë më mirë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në kurrë nuk kanë qenë më mirë.

Këtë deklaratë ai e bëri kur u pyet gjatë një interviste në TV Istogu Channel rreth deklaratave të emisarit të presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell.

Ndonëse nuk pranoi të japë qëndrim direkt sa i përket deklaratave të Grenellit, i cili thoshte se Kurti mashtron kur thotë se është i afërt me amerikanët, kryeministri thotë se ka kritika e vërejtje por që duhet të ecet para.

“Tërë jetën kam qenë aktivist por jo analist. Kurrë më mirë nuk i kemi pasur (marrëdhëniet me SHBA-në). Po blejmë edhe helikopterë ‘Black Hawk’, sistemin ‘Javelin’ anti-tank, grantin më të madh ndonjëherë prej SHBA-së Kosova e ka marrë në mandatin tonë, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit për bateritë. Bateritë do t’i kemi në Istog dhe në Ferizaj. Ne e kemi bërë avancimin kur raporti me Amerikë nuk e kemi veç diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje e gjithashtu edhe në zhvillim e energji. Kurrë ma mirë nuk u kanë. A ka nganjëherë kritika? A ka vërejtje? Po ne duhet me ecë përpara” – ka deklaruar Kurti.

Emisari presidencial amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, në rrjetin social “X” më 03.02.2025 ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme.

Sipas tij, “republikanët dhe demokratët kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrje të njëanshme të veprimeve dhe destabilizim të rajonit”.

Ai ka shtuar se Kurti po mashtron duke thënë së është i afërt me amerikanët.

Jeffrey Hovenier, ambasadori i fundit amerikan në Kosovë, pas takimit lamtumirës me kryeministrin Albin Kurti fliste për bashkëpunim të ngushtë e progres të Kosovës.

“Ne diskutuam përparimin e Kosovës gjatë mandatit tim dhe bashkëpunimin e ngushtë që do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara të avokojnë në mënyrë më efektive që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike” – thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.

Grenell në anën tjetër thotë se Kurti u kritikua për veprimet e tij edhe nga BE dhe NATO.

“Komuniteti ndërkombëtar janë të bashkuar kundër Kurtit.” – shkruan tutje ai.

Kjo nuk është hera e parë që Richard Grenell e komenton kryeministrin Kurti si një politikan që është rreshtuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Richard Grenell, i cili që në Presidencën e parë të Trumpit ka shërbyer edhe si emisar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, kishte pasur mospajtime me Albin Kurtin në mandatin e tij të parë.

Kurti kishte deklaruar në Euronews, më 28.04.2020, se ambasadori Grenell nuk ishte neutral në rolin e tij.

Ndër vendimet e para të Qeverisë Kurti në atë kohë kishte qenë vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë- vendim ky me të cilin nuk ishte pajtuar në atë kohë Grenell dhe kishte bërë thirrje të vazhdueshme për t’u larguar.

“Grenell në tetor dhe në janar ka qenë në Kosovë dhe unë e kam takuar dy herë. Fillimisht pati thënë që Kosova duhet ta heqë tarifën, ndërsa në anën tjetër Serbia duhet ta ndërpresë fushatën kundër Kosovës. Mirëpo, kur shkoi në Beograd në janar, këtë pjesën e dytë e hoqi dhe thoshte se vetëm Kosova duhet ta heqë tarifën dhe trysnia e tij në fillim u shpreh me një lloj insistimi që nuk donte të diskutohej.” -deklaronte Kurti në prill 2020, disa javë pasi ishte shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës përmes partnerit të atëhershëm qeverisës, LDK-së.

Kurti e kishte akuzuar Grenellin se ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në mocionin e mosbesimit të thirrur nga LDK, për të shkarkuar atë dhe Qeverinë e tij.

“Pra, ai ka pasur një rol joneutral. Më shumë një rol aktiv. Bëhet fjalë për një emisar shumë të rëndësishëm, mirëpo gjithashtu unë nuk kam pranuar që ta vë në pikëpyetje interesin e Kosovës, sepse reciprociteti është gjëja më normale në marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Mendoj se ai ka qenë i interesuar për një Marrëveshje sa më të shpejtë.” – kishte thënë mes tjerash Kurti në këtë intervistë të 28.03.2020.

Por, më shumë se 1 vit më vonë, pas një debati të ringjallur në publik se kush ishte arsyeja kryesore e shkarkimit të Qeverisë Kurti 1, ish-kryetari i LDK-së në atë kohë, Isa Mustafa, kishte përgënjeshtruar se Richard Grenell i kishte kërkuar LDK-së shkarkimin e Qeverisë.

“z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Dhe askush nga SHBA. LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate.” – kishte shkruar Isa Mustafa.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, drejtimin e Qeverisë e kishte marrë deri në atë kohë zëvendësi i tij, Avdullah Hoti.

Avdullah Hoti ishte bërë kryeministër, më 03.06.2020, përmes një koalicioni mes LDK-së, AAK-së, Nismës e Listës Serbe. Ai kishte marrë 61 vota pro.

Disa muaj më vonë, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë ishte nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit.

Por, në dhjetor 2020 kishte rënë Qeveria Hoti pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte konstatuar se njëra nga votat që e kishte bërë kryeministër Avdullah Hotin ishte e paligjshme.

Sipas vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Arifi e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti është shpallur e pavlefshme, pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për veprën penale – mashtrim me subvencione.

Zgjedhjet që u mbajtën pas rënies së Qeverisë Hoti, më 14.02.2021, u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo me mbi 50%.

Grenelli: Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme, komuniteti ndërkombëtar janë të bashkuar kundër Kurtit