Kurti: Roli i ambasadorit Grenell nuk ishte neutral

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një interviste për Euronews Albania, ka folur edhe për marrëdhënien e tij me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kurti tha se ka pasur komunikime dhe dy herë është takuar me të, por sipas tij, ambasadori Grenell u shpreh me një lloj insistimi që nuk donte të diskutohej.

“Grenell në tetor dhe në janar ka qenë në Kosovë dhe unë e kam takuar dy herë. Fillimisht pat thënë që Kosova duhet ta heqë tarifën, ndërsa në anën tjetër Serbia duhet ta ndërpresë fushatën kundër Kosovës. Mirëpo kur shkoi në Beograd në janar, këtë pjesën e dytë e hoqi dhe thoshte se vetëm Kosova duhet ta heqë tarifën dhe trysnia e tij në fillim u shpreh me një lloj insistimi që nuk donte të diskutohej”, deklaroi Kurti.

Ai po ashtu tha se ka komunikuar me Grenellin edhe pasi është rrëzuar Qeveria e tij më 25 mars, ndërsa deklaroi se LDK-ja u ‘dorëzua’ ndaj trysnisë së Grenell.

“Pra, ai ka pasur një rol jo neutral, më shumë një rol aktiv. Bëhet fjalë për një emisar shumë të rëndësishëm, mirëpo gjithashtu unë nuk kam pranuar që ta vë në pikëpyetje interesin e Kosovës, sepse reciprociteti është gjëja më normale në marrëdhëniet në mes dy vendeve. Mendoj se ai ka qenë i interesuar për një marrëveshje sa më të shpejtë”, tha Kurti në këtë intervistë.