Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Foto: Këshilli Evropian

Von der Leyen: Duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe më të besueshëm

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar nëse shtetet i përmbushin kriteret e kërkuara, do të ecin përpara dhe bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, derisa ka përgëzuar Shqipërinë dhe Malin e Zi në këtë drejtim. 

“Zgjerimi bazohet në meritë. Por të qenit i bazuar në meritë nuk do të thotë të jetë i ngadalshëm. Ne duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe më të besueshëm. Dhe procesi i zgjerimit duhet të jetë më i dukshëm. Vendet kandidate duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit, por edhe nga ana jonë, shtetet anëtare duhet t’u shpjegojnë qytetarëve tanë përfitimet e zgjerimit”- tha ajo për media më 05.06.2026, para nisjes të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat.

Von der Leyen tha se zgjerimi i BE-së do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe një rol më të madh të Evropës në botë. 

“Ekziston momentumi. Tani duhet ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe këtë lëvizje në anëtarësim”- tha ajo.

Në këtë Samit, për herë të parë Kosova po përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Presidenca bëri të ditur se Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit.

Pas përfundimit të takimeve të Samitit që po mbahet në Tivat, në orën 16:00 do të mbahen deklaratat përfundimtare për media dhe konferencat kombëtare për shtyp.

Në fund të samitit, rreth orës 15:30, është paraparë një konferencë e përbashkët për media e presidentit të Këshilli Evropian, António Costa, presidentit të Mali i Zi, Jakov Milatović, dhe presidentes së Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen.

Ky samit mbahet gjashtë muaj pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel dhe synon të riafirmojë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.

Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.