Isa Mustafa: Grenell nuk ka kërkuar nga LDK që të rrëzohet Qeveria Kurti 1

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se i dërguari i ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK-ja që të rrëzohet Qeveria Kurti 1, në kohën kur Mustafa ka qenë kryetar i partisë.

Mustafa ka theksuar se Grenell ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për t’i dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe  dialogut.

Reagimi i Mustafës vjen pasi ditët e fundit në media është raportuar se shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se  Grenell kishte kërkuar nga LDK-ja ta rrëzojë Qeverinë Kurti 1 vitin e kaluar.

“I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në”, ka shkruar Mustafa.

Ish-kreu i LDK-së ka theksuar se Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e marrëveshjes së koalicionit kur e shkarkoi ministrin e LDK-së, Agim Veliun.

“Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve,  e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve”, thuhet mes tjerash në publikimin e tij.

Qeveria Kurti 1 ishte rrëzuar në mars të vitit të kaluar me mocion mosbesimi të iniciuar nga partneri i saj qeverisës atë kohë LDK-ja.