Emisari për Dialog, Peter Sorensen dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. Foto nga profili i emisarit në X.

Sorensen për takimet në Kosovë dhe Serbi: Pashë përkushtim për normalizim e marrëdhënie të mira fqinjësore

I dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se gjatë takimeve që mbajti në këtë javë në Kosovë dhe në Serbi së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka parë përkushtim për normalizimin, pajtimin, marrëdhëniet e mira fqinjësor.

“Ka qenë kënaqësi ta shoqëroj Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në vizitën e tij në Kosovë dhe Serbi. Është mirë të shohësh përkushtim për normalizimin, pajtimin, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe një të ardhme evropiane për të gjithë qytetarët në Ballkanin Perëndimor”- ka shkruar ai në X më 05.06.2026, derisa ka publikuar një galeri me foto nga takimet në të dy shtetet.

Edhe pse Bashkimi Europian në vitin 2025 emëroi Peter Sørensenin si emisar të ri për Dialogun Kosovë–Serbi, në horizont nuk janë vërejtur ndryshime që do të sillnin gjallërim të procesit, i cili prej kohësh përshkruhet se është në “vdekje klinike”. Sorensen ende nuk ka arritur të ndërmjetësojë ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel mes dy udhëheqësve të të dyja shteteve.

Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës- tashmë në detyrë, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbajt më 14.09.2023 në Bruksel, por përfundoi pa ndonjë përparim të prekshëm. Ndërkaq, këtyre viteve janë zhvilluar vetëm disa takime dypalëshe në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel.

Kryeministri në detyrë njëherësh kandidat për të parin e vendit, Albin Kurti, ka potencuar se dialogu nuk ka vdekur, por ka prodhuar një marrëveshje të dakorduar në Ohër në mars të vitit 2023, e cila po bllokohet nga Beogradi. Në një intervistë të dhënë më 31.05.2026 për Kanal 10, Kurti drejtoi gishtin nga pala serbe.

“Problemi është që nuk po e nënshkruan Serbia. Përveç që nuk po e nënshkruan marrëveshjen, as nuk po e respekton. Neni 4 thotë mos me pengu Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia përditë po e shkel. Çka kam faj unë?” – tha Kurti.

Për të ecur përpara, Kurti ka vendosur një barrikadë prej tri parakushtesh të prera: dorëzimi i Milan Radoiçiqit te autoritetet e Kosovës, tërheqja zyrtare e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, pa nënshkrim të marrëveshjes nuk ekziston siguria juridike, nuk ekziston kredibiliteti i procesit dhe as mirëbesimi i palëve.

Ai po ashtu ka dërguar një mesazh të qartë sa i përket raporteve me ndërkombëtarët.

“Aleatët i kam aleatë e partnerë, por vendimet duhet të jenë tonat, se ne kemi me jetuar këtu” – tha Kurti kur u pyet në lidhje me “trysninë” e bashkësisë ndërkombëtare për Dialogun.

Kurse, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kushtin që formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga pala kosovare të jetë “një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog”.

Në mars të vitit 2026, u shënuan tri vite që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.