Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Haxhiu: Kosova në vijë me BE-në, meriton pyetësorin, statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar nga samiti në Tivat të Malit të Zi se Kosova pret hapa konkretë nga Bashkimi Evropian, duke përmendur se Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punon palodhshëm për qytetarët kosovarë dhe për të ardhmen evropiane.

Haxhiu gjatë deklarimit të saj të parë në një format të tillë në nivel të liderëve, ka bërë të qartë se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikat e bllokut evropian dhe se ka ardhur koha që ky përkushtim të vlerësohet me merita.

“Siç jeni në dijeni, ne jemi plotësisht në një vijë me politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Nga ky samit presim diskutime frytdhënëse nga të gjithë përfaqësuesit dhe rezultate pozitive. Prandaj, Kosova meriton marrjen e pyetësorit, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”- ka thënë Haxhiu për media më 05.06.2026.

Haxhiu tha se ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. 

Ajo shtoi se një Bashkim Evropian i bashkuar dhe më i madh është përgjigjja më e fuqishme ndaj atyre që synojnë të krijojnë paqëndrueshmëri në Evropë. 

“Kosova kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë përgjatë gjithë këtij procesi. Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punojmë palodhshëm për qytetarët tanë dhe për të ardhmen tonë evropiane”- shtoi ajo.

Ajo ka shprehur mirënjohje ndaj shtetit mikpritës, Malit të Zi për organizimin e këtij samiti, duke e cilësuar pjesëmarrjen e Kosovës si tejet të rëndësishme në një kohë kur po diskutohen sfidat e sigurisë dhe zgjerimi i BE-së.

“Integrimi në BE nuk është thjesht një proces teknik. Ai ka të bëjë me mirëqenien, paqen, demokracinë dhe dinjitetin – si për Evropën, ashtu edhe për popullin tonë”- ka përfunduar ajo.

Pas përfundimit të takimeve të Samitit që po mbahet në Tivat, në orën 16:00 do të mbahen deklaratat përfundimtare për media dhe konferencat kombëtare për shtyp.

Në fund të samitit, rreth orës 15:30, është paraparë një konferencë e përbashkët për media e presidentit të Këshilli Evropian, António Costa, presidentit të Mali i Zi, Jakov Milatović, dhe presidentes së Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen.

Ky samit mbahet gjashtë muaj pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel dhe synon të riafirmojë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.

Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.