Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel (djathtas). Burimi: Faqja zyrtare e presidencës kubane

SHBA sanksionon presidentin e Kubës në lëvizjen e fundit të presionit ndaj lidershipit të ishullit

Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione presidentit kuban, Miguel Diaz-Canel, gruas së tij dhe tre individëve të tjerë, në lëvizjen e fundit të administratës Trump për ushtrimin e presionit ndaj lidershipit të ishullit që u dënua menjëherë nga Havana, ka raportuar të premten (05.06.2026) agjencia amerikane e lajmeve, AP.

Në sanksione përfshihet Alejandro Castro Espín, djali i vetëm i ish-presidentit kuban, Raul Castro, dhe Vilma Espin. Ai shërbeu si këshilltar në Komisionin e Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Kubës dhe ishte i pranishëm kur Raul Castro priti presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Barack Obama në Havana gjatë takimit historik në mars 2016. Djali i Castro Espinit, Raul Alejandro Castro Calis, është përfshirë gjithashtu në këtë listë.

Sanksionet e reja vihen derisa presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me veprime ushtarake në Kubë që nga rrëzimi i udhëheqësit venezuelas, Nicolas Maduro, në janar dhe më pas vendosjes së bllokadës energjetike që pengoi dërgesat e karburantit në Kubë. Kjo ka çuar në reduktime të ashpra elektrike, mungesa ushqimesh dhe kolaps ekonomik në krejt ishullin. Kërcënimet u bënë më serioze pasi SHBA-ja shpalli akuza penale kundër Raul Castros muajin e kaluar.

Sanksionet e së enjtes, të datës 04.06.2026, të cilat fuqizohen pas nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv të Trumpit me të cilin zgjeron sanksionet kundër ishullit, ngrijnë pronat dhe llogaritë bankare të individëve në SHBA. Por është e paqartë sesa të ndërthurura janë financat e tyre me sistemin financiar amerikan.

Është “shumë e pamundur” që presidenti i Kubës dhe të tjerë të kenë asete në SHBA, ka deklaruar Richard Feinberg, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së për Amerikën Latine dhe profesor emeritus i ekonomisë politike ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.

Ai ka theksuar se sanksionet “mund të shihen si paraprijëse për një ndërhyrje ose rritje të presionit mbi regjimin për të arritur marrëveshje”, duke shtuar se retorika e Trumpit dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, “mund t’ju çojë në të dy drejtimet”.

Díaz-Canel ka akuzuar Trumpin se dha “deklarata të reja kërcënuese kundër Kubës” dhe ka thënë se “këto masa synojnë përforcimin e bllokadës dhe përshkallëzimin e konfliktit midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com