
Grenelli: Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme, komuniteti ndërkombëtar janë të bashkuar kundër Kurtit
Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si emisar presidencial për misione të posaçme, në rrjetin social X ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme.
“Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit. As në mandatin e Bidenit. Republikanët dhe Demokratët kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrje të njëanshme të veprimeve dhe destabilizim të rajonit.” – shkruan Grenell mes të tjerash.
Tutje, ai ka thënë se Kurti po mashtron duke thënë së është i afërt me amerikanët.
“Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha Qeveritë e tjera të Kosovës është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni.” – shkruan Grenell.
I have many friends in Kosovo and Albania…and many friends in Serbia and throughout the region.
The Trump Administration has worked and will continue to work towards peace for everyone in the Balkans.
But we need trustworthy partners.
The Kurti Government was not…
— Richard Grenell (@RichardGrenell) February 3, 2025
Grenell shkruan tutje se Administrata e Trumpit ka punuar dhe vazhdon të punojë me të gjithë në Ballkan, por thotë që u nevojiten partnerë të besueshëm.
Ai thotë se Kurti u kritikua për veprimet e tij edhe nga BE dhe NATO.
“Komuniteti ndërkombëtar janë të bashkuar kundër Kurtit.” – shkruan tutje ai.
Mes të tjerash, Grenell thotë se Kurti ka qenë kundër çdo ideje të ofruar nga presidentët amerikanë: Klinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.
“Kompanitë amerikane janë duke u zgjeruar në Shqipëri e Serbi, por jo edhe në Kosovë, për shkak të Kurtit.” – ka shkruar tutje Grenell.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës për të marrë një qëndrim, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nga Qeveria nuk janë përgjigjur.
Kjo nuk është hera e parë që Richard Grenell e komenton kryeministrin Kurti si një politikan që është rreshtuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Richard Grenell, i cili që në Presidencën e parë të Trumpit ka shërbyer edhe si emisar i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi, kishte pasur mospajtime me Albin Kurtin në mandatin e tij të parë.
Kurti kishte deklaruar në Euronews, më 28.04.2020, se ambasadori Grenell nuk ishte neutral në rolin e tij.
Ndër Vendimet e para të Qeverisë Kurti në atë kohë kishte qenë vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë- Vendim ky me të cilin nuk ishte pajtuar në atë kohë Grenell dhe kishte bërë thirrje të vazhdueshme për t’u larguar.
““Grenell në tetor dhe në janar ka qenë në Kosovë dhe unë e kam takuar dy herë. Fillimisht pati thënë që Kosova duhet ta heqë tarifën, ndërsa në anën tjetër Serbia duhet ta ndërpresë fushatën kundër Kosovës. Mirëpo, kur shkoi në Beograd në janar, këtë pjesën e dytë e hoqi dhe thoshte se vetëm Kosova duhet ta heqë tarifën dhe trysnia e tij në fillim u shpreh me një lloj insistimi që nuk donte të diskutohej.” -deklaronte Kurti në prill 2020, disa javë pasi ishte shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës përmes partnerit të atëhershëm qeverisës, LDK-së.
Kurti e kishte akuzuar Grenellin se ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në mocionin e mosbesimit të thirrur nga LDK, për të shkarkuar atë dhe Qeverinë e tij.
“Pra, ai ka pasur një rol jo neutral. Më shumë një rol aktiv. Bëhet fjalë për një emisar shumë të rëndësishëm, mirëpo gjithashtu unë nuk kam pranuar që ta vë në pikëpyetje interesin e Kosovës, sepse reciprociteti është gjëja më normale në marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Mendoj se ai ka qenë i interesuar për një Marrëveshje sa më të shpejtë.” – kishte thënë mes të tjerash Kurti në këtë intervistë të 28.03.2020.
Por, më shumë se 1 vit më vonë, pas një debati të ringjallur në publik se kush ishte arsyeja kryesore e shkarkimit të Qeverisë Kurti 1, ish-kryetari i LDK-së në atë kohë, Isa Mustafa kishte përgënjeshtruar se Richard Grenell i kishte kërkuar nga LDK-së shkarkimin e Qeverisë.
“z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK. Sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Dhe askush nga SHBA. LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate.” – kishte shkruar Isa Mustafa.
Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, drejtimin e Qeverisë e kishte marrë deri në atë kohë zëvendësi i tij, Avdullah Hoti.
Avdullah Hoti ishte bërë Kryeministër, më 03.06.2020, përmes një Koalicioni mes LDK-së, AAK-së, Nismës e Listës Serbe. Ai kishte marrë 61 vota pro.
Disa muaj më vonë, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë ishte nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit.
Por, në dhjetor 2020 kishte rënë Qeveria Hoti pas një Vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte konstatuar se njëra nga votat që e kishte bërë kryeministër Avdullah Hotin ishte e paligjshme.
Sipas Vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Arifi e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti është shpallur e pavlefshme, pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për veprën penale: “mashtrim me subvencione”.
Zgjedhjet që u mbajtën pas rënies së Qeverisë Hoti, më 14.02.2021, u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo me mbi 50%.