Dështimi i dokumentuar në dosjet e dhunës në familje 

Nëntë dosje të arkivuara të dhunës në familje janë analizuar nga KALLXO.com gjatë vitit 2023 në gjykatat themelore të Kosovës.

Hulumtimi i tillë është bërë duke nisur nga analizimi i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia, punën e prokurorisë e më pas tërë rrjedhën e procesit gjyqësor deri te shpallja e aktgjykimit.

Rasti 1 – Pejë

Ndër rastet e analizuara është dosja e Gjykatës së Pejës. Hulumtimi i KALLXO.com ka shpërfaqur dështimin sistematik të punës së Policisë dhe Prokurorisë, të cilat nuk kishin hetuar fare deklaratat e viktimës së dhunës e cila kishte rrëfyer se është rrahur brutalisht, e nuk e kishin intervistuar fare as të dyshuarin. Përveç kësaj, as në Polici e as në Prokurori nuk ishte intervistuar as edhe një dëshmitar i vetëm.

Kjo neglizhencë sa u përket hetimeve rezultoi më një dënim me gjobë të shqiptuar nga Gjykata për kryesin e dhunës, i cili kanosi me jetë me fjalët: “Me këto duar kam me të mbytë ty dhe familjen tënde, dhe nëse shkoj në burg e mbaj për të gjithë, jo vetëm për ty” dhe më pas: “Mos gabo me shku në Prishtinë se seriozisht e kam se të mbys”.

https://kallxo.com/ligji/deshtimi-i-prokurorise-dhe-policise-se-pejes-ne-hetimin-e-dhunes-ne-familje/

Rasti 2 – Gjilan

Një tjetër rast i analizuar është ai i një burri nga Gjilani, i cili gjatë një përleshjeje fizike, në prani të vajzave, iu drejtua bashkëshortes së tij me fjalët kërcënuese: “Veç kur dal dije ti nuk je në këtë dynja!”. Për këto veprime ai ishte dënuar me 200 euro gjobë nga Gjykata e Gjilanit.

Ani pse ishte prezente njëra nga vajzat, Prokurorisë nuk iu duk e nevojshme që ajo të ftohet si dëshmitare e as komshiu, i cili kishte thirrur Policinë pasi vajzat i kërkuan ndihmë. Për rastin hetimet nuk zgjatën më shumë se 10 ditë.

https://kallxo.com/ligji/deshmite-se-nje-mal-me-prova-u-injoruan-ne-rastin-e-gjilanit/

Rasti 3 – Gjakovë

Analiza e radhës e dosjes nga Gjakova ka të bëjë me dënimin minimal prej 120 ditësh burgim që iu dha recidivistit, i cili kërcënoi me vrasje ish-gruan e tij. Me fjalët: “Veç mos të nxafsha se kam me të vra, plumbin e parë kam me ta jap ty e pastaj të tjerëve” iu drejtua burri ish-gruas përmes rrjeteve sociale, e Policia e pa si të arsyeshme t’i drejtohet të njëjtës me pyetjen: “Pse i keni çu kërkesë për shoqërim dhe keni komunikuar me të?”.

Përkundër faktit se kanosja ishte bërë nën kërcënimin e armës nuk ishte indicie e mjaftueshme për organet hetimore që të bëjnë bastisjen e shtëpisë së dhunuesit. Pa asnjë kontroll është konstatuar se burri nuk posedon armë.

https://kallxo.com/ligji/plumbi-i-pare-per-ty-si-deshtuan-policia-e-prokuroria-ne-hetime/

Rasti 4 – Prishtinë

Një ndër dosjet e analizuara nga KALLXO.com ka të bëjë me rastin e dhunës me pretekstin e një telekomande televizori, ku një burrë u dënua me tre muaj burgim me kusht dhe 330 euro gjobë për goditjen që rrokullisi shkallëve të bijën e tij. Vajza viktimë e të atit të saj kishte shkuar e zbathur për të raportuar rastin në Polici.

Përveç neglizhimit të dëshmitares në tërë procesin gjyqësor, në këtë rast u neglizhuan edhe pretendimet e ngritura për gjendjen psikike e aftësinë mendore të burrit të dënuar.

https://kallxo.com/lajm/rruga-se-si-u-shmangen-deshmitaret-e-rastit-te-vajzes-qe-u-grushtua-nga-babai/

Rasti 5 – Ferizaj

Sa i përket Gjykatës së Ferizajt, KALLXO.com ka analizuar dosjen e cila tregonte se burri recidivist kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij për herë të katërt me arsyetimin se: “Flinte deri vonë e se e përdorte shumë telefonin”. Përkundër faktit se tre herë më parë ishte dënuar për dhunë pikërisht ndaj gruas së tij, Gjykata e Ferizajt e vlerësoi si të arsyeshëm dënimin minimal prej 6 muajsh.

Herën e parë i akuzuari për dhunë ishte dënuar me burgim me kusht. Për herë të dytë u dënua me 1 muaj burgim efektiv, i cili iu shndërrua në gjobë prej 200 eurosh, e herën e tretë sërish me 1 muaj burgim të përkthyer në 300 euro gjobë.

https://kallxo.com/ligji/recidivisti-i-dhunes-ne-familje-denohet-per-te-katerten-here-nga-gjykata/

Rasti 6 – Prishtinë

Një tjetër dosje e analizuar në Gjykatën e Prishtinës tregon rastin e kanosjes së bërë në prani të vajzës 7-vjeçare e nën kërcënimin e thikës. Burri nga Prishtina i tha gruas së tij se: “Kam me marrë thikën dhe me të ther dhe do të bëj çfarë du unë. Dilëm prej shpisë!”. Për këtë kërcënim serioz për jetën e gruas, ky burrë u dënua me 3 muaj burgim e 200 euro gjobë nga Gjykata e Prishtinës.

Me të vendosur për rastin Gjykatës nuk i la përshtypje dëbimi nga shtëpia në mesnatë, ushtrimi i dhunës në prani të fëmijës e dhuna e ushtruar në vazhdimësi, duke shqiptuar kështu një dënim afër pragut të minimales së paraparë me ligj.

https://kallxo.com/uncategorized/dhuna-ne-familje-historia-e-pahetuar-e-gruas-nga-prishtina/

Rasti 7 – Prishtinë

KALLXO.com ka analizuar dosjen e tretë në kryeqytet, për rastin ku një burrë i dyshuar për plot 40 vepra penale ishte dënuar me 5 muaj burgim për kanosjen që i bëri gruas së tij në prani të dy fëmijëve të tyre. Ajo çka evidentohet në këtë dosje është frika që familja e burrit përjetonin nga ai. Në dosjen e Policisë del se djali i tyre ka deklaruar se i ka lutur organet e drejtësisë që të merren me babanë e tij pasi, sipas djalit, “mund të vijë deri tek ndonjë vrasje”.

Përveç kësaj, evidentohet se gruaja kishte kërkuar urdhër mbrojtës por që nuk është proceduar me një kërkesë të tillë edhe pse viktima kishte thënë se disa herë më parë burri në fjalë e kishte shkelur një urdhër të tillë.

https://kallxo.com/lajm/si-tentoi-prokuroria-me-tri-pyetje-te-zbardhte-dosjen-e-dhunes-ne-familje/

Rasti 8 – Prizren

Ndër rastet e analizuara nga KALLXO.com është edhe dosja e Gjykatës së Prizrenit, ku autori i gjashtëfishtë i dhunës në familje ishte dënuar nga Gjykata me 3 muaj burgim dhe gjobë 150 euro pasi nën ndikimin e alkoolit kishte kapur gruan e tij për flokësh dhe e kishte goditur në pjesë të ndryshme.

Edhe pse evidentohet se i njëjti, baba i gjashtë fëmijëve, kishte probleme me përdorimin e alkoolit, Gjykata nuk i shqiptoi masë të trajtimit të personit të varur nga alkooli ose droga krahas dënimit minimal.

https://kallxo.com/gjate/rehabilitimi-i-paarritur-per-4-vite-per-kryesin-e-dhunes-ne-familje-ne-prizren/

Rasti 9 – Mitrovica

Një analizë e dosjes së dhunës në familje në Mitrovicë për rastin ku dhunuesi nga Mitrovica ngujonte në shtëpi e rrihte motrat e tij, Gjykata e Mitrovicës e kishte marrë si rrethanë rënduese deklaratën e dhunuesit se: “Është në traditën e shqiptarit që motra të njoftojë vëllanë kur të dalë prej shtëpisë”, e në fund i shqiptoi dënim me 6 muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë.

https://kallxo.com/gjate/analize/deshtimi-per-te-hetuar-mitrovicasin-qe-ngujoi-motrat-ne-shtepi/

Hulumtimi i Kallxo.com ka shpërfaqur problematika të mëdha në punën e organeve përgjegjëse në hetimin e rasteve të dhunës në familje.

Zbrazëtirat në veprimet hetimore vërehen që nga hallka e parë e trajtimit të rasteve të dhunës në familje, pra Policia.

Ndërkaq neglizhencë në kryerjen adekuate të hetimeve dallohet edhe në punën e prokurorisë, ku hulumtimi i KALLXO.com vë në pah disa raste ku dëshmitarë, shpeshherë edhe okularë, janë injoruar nga organi ndjekës duke mos u ftuar fare për intervistim.

Përveç kësaj, analizat shpërfaqin edhe raste ku prokurorët që trajtojnë rastet e dhunës në familje nuk propozojnë rrethana për rëndimin e dënimit ndaj të akuzuarit, edhe kur rrethanat e tilla janë evidente në rast e që një gjë e tillë mund të rezultojë me dënime të ulëta nga gjykatat.

Një tjetër fenomen i shpërfaqur nga analizimi i dosjeve të dhunës në familje është fakti se në rastet e kanosjeve, e madje edhe atyre nën kërcënimin e armës, nuk është bërë bastisja e shtëpive dhe lokaleve për të verifikuar se a posedon armë personi.

Praktika e dënimeve të shqiptuara për burrat që rrahin gratë, sa i përket rasteve të analizuara, rezultojnë të jenë shumë të buta krahas standardeve të parapara me legjislacionin penal të Kosovës.

Kodi Penal i Kosovës për veprën penale të dhunës në familje ka përcaktuar suazat brenda së cilave mund të dënohet një kryes i dhunës në familje, ku kufiri minimal i dënimit është gjoba ndërsa kufiri maksimal burgimi deri në tre vite.

Kështu vetëm në katër prej nëntë rasteve të analizuara gjykata ka shqiptuar dënim me burgim efektiv, ndërsa në pesë raste të tjera kryesit e dhunës janë dënuar me kusht.

Ani pse ligji e parasheh dënimin maksimal të jetë deri në 3 vite burgim, asnjë dënim prej të gjitha rasteve të analizuara nuk e ka tejkaluar kohëzgjatjen prej 6 muajsh. Ndërkaq mesatarja e kohëzgjatjes së dënimeve në rastet e analizuara del të jetë rreth 4 muaj.

Sa i përket gjobës, një dënim i tillë ka shoqëruar shumicën prej dënimeve me burg apo me kusht në secilën prej dosjeve të analizuara, kurse mesatarja e gjobave të shqiptuara rezulton të jetë pak mbi 200 euro.