ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

'Rehabilitimi' i (pa)arritur për 4 vite për kryesin e dhunës në familje në Prizren

Plot 6 herë personi i njëjtë ka kaluar nëpër zingjirin e sistemit të drejtësisë në Kosovë si autor i veprës së njëjtë  – dhunë në familje. Një hulumtim i Kallxo.com zbulon se prokuroria mori pak dëshmitarë për të argumentuar krimin ndërsa edhe përkundër konstatimit që personi kishte probleme serioze me alkoolin prokuroria nuk kërkoi trajtim të detyrueshëm për varësinë ndaj alkoolit.

Në mes viteve 2018-2022 gjykata e kishte shkruar plot 6 herë frazën: Përmes këtij  dënimi do të arrihet qëllimi i rehabilitimit të personit të dënuar”, por në Gjykatën e Prizrenit, kjo frazë “shabllon” që nga viti 2018 nuk e kishte arritur qëllimin.

Faktet tregojnë se një recidivist i dhunës në familje kishte qenë i dënuar plot 6 herë që nga viti 2018 nga e njëjta Gjykatë për dhunë brenda familjes, vetëm të kualifikuar ndryshe, herë “lëndim të lehtë trupor” e herë “dhunë në familje”.

Për këto vepra atij i ishin shqiptuar dënime me burgim, por sa herë kishte dalur nga burgu, ishte kthyer në habitatin e tij – ta rrihte gruan me të cilën kishte 6 fëmijë.

“Edhe këtë herë i’a fali”- thoshte viktima para gjykatës.

Kallxo.com ka hulumtuar njërën nga dosjet e këtij personi të trajtuara nga kjo gjykatë në kohën e COVID-19, ku i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike në gjendje të dehur ndaj bashkëshortes së tij, në shtator të vitit 2020.

Nga kjo dosje vërehen dëshmitarë të anashkaluar nga prokuroria, veprime të shpejta, por duke lënë mangu një sërë veprimesh që do i kontribuonin zbardhjes së çështjes e mbledhjes së provave.

Ditën kritike më 8 shtator, viktima deklaron në polici se bashkëshorti i saj me të cilin ishte e martuar që 20 vite, kishte ardhur i dehur në shtëpi, në të cilën kishte pasur edhe punëtorë që po e renovonin shtëpinë e tyre.

Këta punëtorë, recidivisti i dhunës në familje në gjendje të dehur i kishte ofenduar duke i sharë, e duke i përzënë nga shtëpia, kurse gruan e kishte kapur për flokësh dhe e kishe goditur në pjesë të ndryshme.

Për këtë gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 3 muaj burgim dhe gjobë 150 euro, duke e liruar nga shpenzimet procedurale për shkak të gjendjes së dobët ekonomike – statusit të përfituesit të ndihmës sociale.

Ndonëse në dosjen e këtij rasti, bashkëshorti i 6 fëmijëve kishte pasur probleme me alkoolin që e shpiente deri tek dhuna, nuk ka evidencë se të njëjtit i është shqiptuar masa e trajtimit të personit të varur nga alkooli ose droga, si masë e veçantë krahas dënimit.

Sipas nenit 87 të Kodit tonë Penal, gjykata mund ta shqiptojë këtë masë të trajtimit të detyrueshëm, kur konsideron se motivi i kryerjes së veprës penale ka qenë alkooli (në këtë rast) dhe kur gjykata shqipton dënim, por edhe kur e liron nga dënimi ose i është shqiptuar vërejtje gjyqësore.

“Nëse masa e trajtimit të detyrueshëm është shqiptuar krahas dënimit me burgim, ajo mund të zgjasë derisa të kryhet dënimi. Koha e kaluar në institucionin e kujdesit shëndetësor do të llogaritet në dënimin e shqiptuar” – thuhet në këtë nen.

Për këtë rast, procedura ka zgjatur 1 muaj e një javë, që nga raportimi i rastit e deri tek fjala e fundit e gjyqësorit.

Gjatë kësaj periudhe i njëjti kishte qëndruar në paraburgim, çka do të thotë se koha e kaluar në paraburgim do i’a konsumonte dënimin, si rrjedhojë ai qëndroi në burg 2 muaj.

Sipas të dhënave të kësaj gjykate, edhe pas këtij rasti të dhunës që ka hulumtuar BIRN, i njëjti prapë ka kryer veprën “dhunë në familje” në shtator të vitit 2023.

 

Çka kishin deklaruar në polici viktima, i dyshuari, dhe punëtori?

Policia duket se ka qenë shumë e shpejtë në veprimet e ndërmarra, duke intervistuar viktimën dhe një punëtor, kurse të dyshuarin nuk kishte arritur ta intervistonte për shkak se sipas testit të alkoolit në të rezultonte 3.93 promil, kur ishte arrestuar.  Hulumtimi tregon se në atë vend kishte edhe  dëshmitarë të tjerë por ata nuk ishin marrë në pyetje.

Viktima ishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare për lëndimet e marra, e këto lëndime nuk do të kualifikoheshin si lëndime të rënda ose të lehta nga eksperti mjeko-ligjor në procedurë të hetimeve.

Sipas dosjes së policisë, viktima kishte deklaruar se ndihej e kërcënuar vazhdimisht nga bashkëshorti i saj, duke shtuar tutje se e kishte kanosur edhe me fjalët “ka me të therë me thikë”.

Dhunë ajo thoshte se ushtronte edhe ndaj fëmijëve të tyre.

Në mesin e këtyre fëmijëve, ata kishin edhe një fëmijë me aftësi të kufizuar, fakt të cilin do ta përdorte avokatja e bashkëshortit mos të lihej në paraburgim klienti i saj.

Nuk ka evidencë në dosjen në fjalë, nëse policia ose prokuroria ka intervistuar fëmijët e qiftit për t’i vërtetuar të thënat e viktimës.

Veprimet e dhunshme, gruaja deklaroi në polici se bashkëshorti i saj i bënte edhe kur nuk ishte në gjendje të dehur, e përveç kësaj ai bënte edhe veprime të turpshme në prani të vajzës së tyre 10 vjeçare.

Kurse punëtori i cili kishte qenë prezent kishte thënë se i zoti i shtëpisë  kishte ofenduar dhe i’u kishte thënë “lene mos punoni”, por të njëjtit kishin vazhduar punën.

Ai kishte rrëfyer se kishte parë bashkëshortin e gruas duke e goditur të njëjtën në shpinë me grushta.

Për këtë dëshmitar okular, nuk ka evidencë se është dëgjuar nga ana e prokurorisë, por deklaratën e tij e dhënë në polici do ta përmendte prokurori në shkresat e tij në vazhdim të procedurës.

 

Veprimet e ndërmarra nga organet hetimore dhe të ndjekjes

Kallëzimi penal i policisë do të dorëzohej në prokurori një ditë pas ngjarjes kritike me kualifikimin “lëndim i lehtë trupor”, kurse prokuroria do të fillonte hetimet e saja ditën kur është dorëzuar ky kallëzim.

Sipas të dhënave të policisë, dhuna nuk ishte ushtruar në prani të fëmijëve.

Sipas dosjes së policisë, rasti nga Sektori i Hetimeve është trajtuar si “dhunë në familje” dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas një formulari të përdorur nga policia, këtë rast ishte vlerësuar si rast me intensitet me rrezikshmëri të mesme, duke marrë parasysh përdorimin e dhunës nën ndikimin e alkoolit dhe “kryesi shpreh pakënaqësi në shoqërinë e viktimës” – përshkruhet në dosjen e policisë që i është dorëzuar prokurorisë.

Rasti do të hetohej nga ky organ, si i tillë “lëndim i lehtë trupor”, edhe në kërkesën për caktim të paraburgimit, deri në finalizimin e aktakuzës më 5 tetor të vitit 2020, pa u bërë 1 muaj pas fillimit të hetimeve.

Në këtë aktakuzë prokurori cilëson rastin si “dhunë në familje” nga neni 248, paragrafi 1 dhe 2 i Kodit Penal të Kosovës, duke kërkuar nga gjykata ta dënojë, në bazë të këtyre provave; raportin mjekësor nga spitali për viktimën, ekspertimin mjeko-ligjor, procesverbalin me intervistimin e viktimës, intervistimin e të  pandehurit, foto-album me lëndimet e viktimës.

Ky foto-album që e ka përmendur prokurori, që përmbajnë pamje të lëndimeve që ka marrë viktima nuk evidentohet në dosjen e hulumtuar të gjykatës.

E vetmja fotografi në dosjen e gjykatës është kryesit të dhunës, e bërë nga policia ditën kritike që është munduar ta intervistojë.

Në fund të muajit shtator, kryesi i dhunës para prokurorisë, pas një intervistimi që kishte zgjatur 20 minuta. Në 20 minuta prokuroria synoj që të zbardhë ngjarjen duke parashtruar vetëm tre pyetje në të cilat i pandehuri kishte deklaruar se i vije keq për veprimet që i kishte bërë dhe ishte shprehur i penduar.

“Mendimi është t’a vazhdojmë jetën tonë të përbashkët e të kujdesem për fëmijën tonë të sëmurë…” – kishte thënë ai para prokurorit, e në praninë e avokates së tij.

Kurse për arsyen e dhunës, tha se ishte një mosmarrëveshje për një nga fëmijët e tyre që ishte e martuar, e ku e kishte goditur gruan e tij nuk i kujtohej për shkak të gjendjes nën ndikim të alkoolit.
Gjykata e ka lënë në paraburgim këtë person deri në marrjen e aktgjykimit më 15 tetor të vitit 2020, masë të cilën e kishte kundërshtuar në Apel dy herë avokatja e kryesit të dhunës, edhe kur i’u kishte caktuar paraburgimi edhe kur i’u kishte vazhduar.

Paraburgimi i është vazhduar më 6 tetor, 9 ditë para së të dënohej.

 

Shqyrtimi gjyqësor i filluar në 15:39 dhe i mbaruar në 16:00

 Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur më 15 tetor të vitit 2020 kur prezent kishin qenë prokurori, viktima, mbrojtësi i viktimave, kryesi e avokatja e të njëjtit, pa asnjë kundërshtim nga palët ishte aprovuar pranimi i fajësisë nga kryesi.

Në këtë seancë prokurori kërkoi ta marrë parasysh rrethana rënduese recidivizmin, peshën e veprës, e faktin se është kryer brenda marrëdhënies familjare, kurse avokatja kërkonte të merrej parasysh rrethana lehtësues; se është mbajtës i familjes, gjendjen e rënduar ekonomike, e faktin se ishte prindër i një fëmije me nevoja të veçanta.

Nuk ka evidencë të gjykatës, se prokurori ka kërkuar nga gjykata të dijë se si ka qenë i dënuar në rastet paraprake, lidhur me lartësinë e dënimeve.

Në seancë e cila ishte e hapur për publikun, viktima u shpreh se “i’a fal edhe kësaj here”- duke mos parashtruar kërkesë pasurore-juridike në kontest civil.

Mbrojtësi i viktimave mbeti pranë fjalëve të prokurorit, dhe sipas vullnetit të viktimës, kompensim nuk do të kërkohet për këtë rast.

Në shqiptimin e dënimit me burgim, gjykata përmendi edhe rastet kur kryesi kishte qenë i dënuar për raste të ngjashme, ku vetëm brenda vitit 2019 ishte dënuar nga gjykata plot 3 herë.

Sipas evidencës që posedon gjykata, i njejti ka shfrytëzuar 3 herë të drejtën për t’u shlyer si kryes i veprave penale nga Evidenca Penale.

Sipas nenit 97 të Kodit Penal, tek pjesa e rehabilitimit gjyqësor thuhet se “gjykata me kërkesën e personit të dënuar, mund të vendosë që dënimi t’i shlyhet nga evidenca e personit të dënuar dhe ai person konsiderohet i padënuar nëse ka kaluar gjysma e afatit përkatës të paraparë me paragrafin 2. të nenit 96 të këtij Kodi dhe nëse personi i dënuar gjatë kësaj kohe nuk ka kryer vepër të re penale.”

Me rastin e vendosjes për shlyerjen e dënimit të parashkruar ose përfunduar me falje ose me ndryshim të Kodit Penal, gjykata merr parasysh sjelljen e personit të dënuar pas mbajtjes së dënimit, natyrën e veprës penale dhe rrethanat e tjera të cilat mund të jenë të rëndësishme për vlerësimin e përshtatshmërisë së shlyerjes së dënimit” – përshkruhet tutje në nenin në fjalë.

Sipas Rregullores për Sistemin Qendror të Evidencës Penale, në kuadër të pasojave të shlyerjeve të dënimit, personit nuk i figuron dënimi tek Certifikata për Gjendjen Penale.

Tutje, informacione mbi dënimin, sipas nenit 12 të kësaj Rregulloreje mund t’i zbulohen vetëm gjykatës, prokurorit, policisë apo organeve të autorizuara me ligj.

Standardet ligjore

Sipas Udhëzuesit të Gjykatës Supreme, për Cilësimin e Rasteve dhe Trajtimin e tyre për Dhunë në Familje, për ta cilësuar saktë veprën penale duhet të kihen parasysh këto elemente:

  1. Lloji i veprës penale
  2. Konstatimi për ekzistim të raportit mes kryesit dhe viktimës
  3. Pasoja e shkaktuar e veprës penale

Kodi Penal njeh edhe statusin e “viktimës së ndjeshme” e cila përfshinë dhe viktimën që i është nënshtruar viktimizimit në mënyrë të përsëritur.

Viktimë e ndjeshme – është viktima e veprës penale e cila është fëmijë, person me aftësi të kufizuara fizike apo mendore, person me aftësi të zvogëluar, grua shtatzënë, i/e moshuar ose person marrëdhënia apo varësia e të cilit ndaj kryesit e bën atë veçanërisht të ndjeshëm ndaj viktimizimit të përsëritur, frikësimit të përsëritur apo hakmarrjes së përsëritur.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, i cili ka qenë në fuqi kohën e kryerjes së veprës penale, ndër përgjegjësitë e policisë janë edhe informimi i viktimës, përfaqësuesin ligjor ose mbrojtësin e viktimës për të drejtat e tij në përputhje me këtë ligj, por edhe me të drejtën për të kërkuar urdhrin për mbrojtje të përkohshme.

Dënueshmëria për këtë vepër penale të kryer, është me gjobë dhe burgim deri në 3 vite.

Neni 248- Dhuna në familje “Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet”.

SHËNIM: Pasur parasysh se kemi të bëjmë me një dosje të dhunës në familje, me qëllim të mbrojtjes së identitetit të palëve të përfshira në këtë rast – në artikull janë larguar të dhënat e palëve duke përfshirë edhe inicialet e tyre.  

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.