Dhunë psiqike, kanosje e sulm fizik - Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Gjashtë raste të dhunës në familje u raportuan nga Policia më 23.04.2024.

Dy raste u raportuan në Fushë Kosovë, një në Drenas, një në Gjilan dhe nga një rast në Ferizaj e Pejë.

Në Fushë Kosovë, më 22.04.2024 u arrestua i dyshuari për shkak se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij më 20.04.2024. Pas arrestimit, i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Rasti tjetër në Fushë Kosovë ka të bëjë me raportimin në Polici të një gruaje e cila thotë se ndihet e kërcënuar nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari u arrestua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt.

Në Drenas një burrë u arrestua pasi që dyshohet se sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij. Pasi që u intervistua, prokurori vendosi ta liroj në procedurë të rregullt.

Prindërit e tij dyshohet se i ka kanosur një burrë në Gjilan. I dyshuari u dërgua në mbajtje.

Një person në Ferizaj dyshohet se ka kanosur përmes rrjeteve sociale gruan me të cilën kishte bashkëjetuar. I dyshuari u dërgua në mbajtje.

Dhunë psiqike ka raportuar se po i ushtron bashkëshorti i saj, një grua në Pejë. Pas intervistimit, i dyshuari u dërgua në mbajtje, ka njoftuar Policia.