ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Dështimi për të hetuar mitrovicasin që ngujoi motrat në shtëpi

 “Është në traditën e shqiptarit që motra të njoftojë vëllanë kur të dalë prej shtëpisë” – i kishte thënë policisë kryerësi i dhunës, i cili e kishte rrahur motrën e tij më 6 qershor të vitit 2020. Kjo deklaratë nga gjykata e shkallës së parë ishte parë si rrethanë lehtësuese mbi bazën e të cilës zbuti dënimin kur trajtoi këtë rast.

Dy vajza nga Mitrovica kishin telefonuar policinë në qershor të vitit 2020. Denoncimi i tyre ishte se vëllezërit po i ngujonin në shtëpi dhe nuk i linin të dilnin jashtë pa lejen e tyre.

Një hulumtim i Kallxo.com faktoi se gjatë hetimeve të ngjarjes, policia dhe prokuroria nuk hetuan përgjegjësitë e njërit prej vëllezërve, ndërsa tjetri përkundër krimit serioz u dënua me një dënim me gjobë.

Rasti është hetuar nga policia dhe prokuroria e Mitrovicës ndërsa është gjykuar në gjykatën e po të njëjtit rreth.

Në dosjen e lëndës figuron se më 6 qershor 2020 një vajzë kishte denoncuar se vëllai i saj e kishte rrahur.

Problemet në hetimin e ngjarjes nisin qysh në fillimin e saj.

Dosja shpalos detaje se policia e prokuroria si organe hetuese, nuk e kishin përmbushur karakterin “hetues të obligimeve”. Në dosje figuron se përveç vëllait i cili ushtronte dhunë fizike e psiqike mbi motrat e tij, ishte edhe vëllai tjetër që ushtronte dhunë psiqike.

I njëjti asnjëherë nuk u intervistua nga policia e prokuroria, për të vërtetuar deklaratat e dy motrave nga Mitrovica.

Ky person, sipas evidencës penale të prezantuar nga prokuroria i dyshuar për 5 vepra të tjera penale, përfshirë lëndim trupor, dëmtim të pronës, prishje të rendit publik e ngacmim.

Në këtë dosje të analizuar, evidentohet se kishte pasur edhe kërcënime për vrasje.

Ajo çka nuk evidentohet është nëse prokuroria ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë së tyre, për të parë nëse i njëjti posedonte armë apo diçka tjetër ilegale.

Veprimet e prokurorisë

Ngjarja kritike kishte ndodhur më 6 qershor, kurse aktakuza ndaj kryesit të dhunës ishte ngritur 6 muaj më pas.

Vëllai ishte akuzuar për dhunë në familje, për dhunën fizike që ai e kishte ushtruar, e përmes të cilës motrave u kishte shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.

Sipas dosjes së prokurorisë, motrat nuk guxonin të dilnin nga shtëpia lirshëm apo të vendosnin në mënyrë të pavarur për jetën e tyre.

Dëshmitare e këtyre veprimeve kishte qenë edhe nëna e tyre, deklaratat e së cilës ishin konsideruar kontradiktore nga gjykata.

Deklarata të cilën e kishte dhënë para policisë në ditën kritike ishte ndryshe prej asaj çka ajo kishte thënë para gjykatës.

Në polici ajo kishte pohuar se dhunën i biri e ushtronte ndaj vajzave të saj – motrave të tij për shkak të rrethanave familjare. E njëjta kishte potencuar se dhuna kishte qenë gjithmonë prezente edhe nga bashkëshorti i saj – prindi i fëmijëve.

“Në traditën e kombësisë shqiptare gruaja duhet të respektojë burrin dhe kjo është normale për ta rrahur atë ” – kishte thënë dëshmitarja për dhunën që ushtronte burri ndaj saj.

Çka e bën këtë dosje më shqetësuese është se kjo dëshmitare në natën kritike ishte shprehur e frikësuar për jetën e vajzave të saj.

“Jam tutë që po mi mbytë qikat” – kishte thënë në polici natën kritike nëna për djalin e saj.

Ndërsa para gjykatës ajo kishte thënë se qëllimi i vëllait ishte ruajtja e motrave, kurse viktima e kishte nervozuar djalin e saj çka e kishte çuar deri tek dhuna.

“Ia ka fërkuar dorën pak në fytyrë dhe u tërhoq i zemëruar dhe ka dalë nga shtëpia” – i kishte thënë gjykatës për dhunën fizike të djalit ndaj bijës së saj.

Më datën 06.06.2020 ora 10:20 në shtëpinë e familjes, ai kreu një ngacmim fizik ose psikologjik me qëllim që të rrezikonte dinjitetin e një personi tjetër brenda familjes, dhe atë ndaj motrave të dëmtuara V-në dhe L-në, në mënyrë që në ditën kritike, pa ndonjë arsye fizikisht sulmon të dëmtuarën V-në, sepse motrat janë në kontroll të vazhdueshme dhe mosmarrëveshje sepse ai i ndalon të dalin nga shtëpia, gjë e cila për pasojë ka në lloj të dhunës psiqike e cila provohet përmes raportit mjekësor me emër të të dëmtuarës V-së për të cilën ato kërkuan të largohen nga shtëpia dhe të shkojnë në strehimore, sepse veprimet e të pandehurit shkaktojnë ankth dhe frikë” – kështu i kishte përshkruar prokuroria veprimet e vëllait në aktin akuzues.

Për këto veprime, kryerësin e dhunës Gjykata e Mitrovicës e kishte dënuar më 4 mars të vitit 2021, me burgim me kusht prej 6 muajsh, dhe gjobë prej 200 eurosh.

Në dosjen e analizuar vërehet se kjo gjobë i ishte zëvendësuar me burgim, meqë ai nuk e kishte paguar të njëjtën.

Sipas Kodit Penal një ditë burg është e barabartë me 20 euro.

Nëse personi i dënuar nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë gjobën, gjykata mund të zëvendësojë dënimin me gjobë me dënim me burgim. Kur dënimi me gjobë zëvendësohet me dënimin me burgim, 20 euro gjobë llogaritet e barabartë me 1 ditë burgim “ – thuhet në këtë Kod.

Nuk ka evidencë në dosjen e gjykatës nëse ky person e ka vuajtur dënimin e shqiptuar nga gjykata.

Dhuna u raportua se kishte ndodhur në qershor të vitit 2020, aktakuza ishte ngritur 6 muaj pas, kurse nuk është mbajtur asnjë seancë deri në fillim të vitit 2021, ndërsa epilogun gjyqësor ky rast e kishte marrë 10 muaj pas dhunës së ushtruar.

Trajtimi me prioritet i rasteve të tilla është parim i cili parashihet me Ligjin për Mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën ndaj grave.

Ky parim thotë se funksionarët, zyrtarët dhe personat e tjerë të autorizuar që kryejnë punë në emër të shtetit, kanë detyrimin të trajtojnë me prioritet të gjitha masat dhe aktivitetet për të parandaluar çdo efekt të dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje.

Në të dy seancat e mbajtura vëllai e kishte mohuar dhunën fizike duke thënë se qëllimi i vetëm i tij ishte ndihma ndaj motrave dhe përkujdesja ndaj tyre.

Seancat gjyqësore kishin qenë të mbyllura për shkak të situatës me COVID me vendim të KGJK-së.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, i cili ka qenë në fuqi kohën e kryerjes së veprës penale, ndër përgjegjësitë e policisë janë edhe informimi i viktimës, përfaqësuesin ligjor ose mbrojtësin e viktimës për të drejtat e tij në përputhje me këtë ligj, por edhe me të drejtën për të kërkuar urdhërin për mbrojtje të përkohshme.

Zyra për Mbrojtjen e Viktimave nuk kishte qenë prezent në seancë.

Zyrtarët e kësaj zyreje e kishin njoftuar gjykatën për mungesën e tyre, por arsyetimi për të njëjtën nuk evidentohet në dosjen e analizuar.

Deklarata e kryerësit në polici

Kryerësi i dhunës në polici kishte mohuar se e ka goditur motrën e tij.

Ai kishte thënë se ditën kritike viktima ishte grindur me nënën e saj, kurse e njëjta (viktima) kishte përdorur fjalë banale karshi tij.

Sipas tij, viktima u bënte probleme në shtëpi dhe e thërriste policinë pa ndonjë arsye. Ai shton se e njëjta ishte ndarë nga bashkëshorti për shkak të dhunës fizike dhe kishte një fëmijë të cilin e shihte në mënyrë periodike.

Nga dosja në fjalë, rezulton se kjo e dëmtuar, nuk kishte qenë “rehat as në shtëpinë e burrit, as në të vëllait”.

I dyshuari ka deklaruar se për këtë rast ishte njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale.

Në dosjen e analizuar nuk figuron ndonjë shkresë e këtij institucioni në grumbullin e provave nga ana e prokurorisë.

Çka kishte deklaruar viktima në polici?

E dëmtuara, e cila në dosjen gjyqësore konstatohet të jetë me probleme të shëndetit mendor, sipas raportit mjekësor me “çrregullim depresiv”, para gjykatës kishte deklaruar se ka probleme shëndetësore që nga viti 2019, dhe të dy vëllezërit që kishte e mbyllnin në shtëpi.

Gjendja mendore e viktimës në këtë rast, i jep asaj statusin e viktimës së ndjeshme.

“Viktimë e ndjeshme – është viktima e veprës penale e cila është fëmijë, person me aftësi të kufizuara fizike apo mendore, person me aftësi të zvogëluar, grua shtatzënë, i/e moshuar ose person marrëdhënia apo varësia e të cilit ndaj kryesit e bën atë veçanërisht të ndjeshëm ndaj viktimizimit të përsëritur, frikësimit të përsëritur apo hakmarrjes së përsëritur” – thuhet në Kodin Penal.

Viktima kishte deklaruar  se arsyeja e sjelljeve të vëllait të saj është xhelozia, dhe kalon shumë kohë në dhomën e saj vetëm mos të përballej me vëllanë.

Kjo viktimë e dhunës kishte deklaruar se sa herë dilte nga shtëpia për në qytet, shoqërohej nga njëri nga vëllezërit.

Provat materiale të cilat prokuroria e mbështet akuzën e saj para gjykatës janë: kallëzimi penal i datës 17 qershor 2020, raporti i policisë, raporte mjekësore të viktimës, deklarata të dëshmitarëve të dhëna në polici, e deri tek evidenca kriminale e të pandehurit.

Me këto prova gjykata e gjeti fajtor duke e dënuar me burgim me kusht prej 6 muajsh, dhe gjobë 200 euro.

Prokuroria e pakënaqur me vendimin e gjykatës

Mbi dënimin e shqiptuar me kusht dhe gjobë kishte ushtruar ankesë prokuroria, ku kishte kërkuar ashpërsim të dënimit.

Në ankesë, sipas prokurorisë dënimi për veprën penale është me gjobë dhe burg deri në 3 vite kurse gjykata nuk e kishte pasur fare në konsideratë këtë fakt.

Pretendimet ankimore të prokurorisë në ankesën e saj

Sipas prokurorisë, gjykata është dashtë t’i marrë si rrethana rënduese peshën e veprës, pasojat e natyrës së rëndë dhe afatgjate.

Ndaj këtij pretendimi, Apeli gjeti se në këtë rast nuk ka pasur asnjë pasojë konkrete.

Prokuroria konsideroi se gjykata është dashtë të marrë parasysh edhe faktin se vepra është kryer ndaj motrave dhe njëra nga to kishte tërhequr të drejtën për të dhënë dëshmi gjatë gjykimit.

Një fakt tjetër të cilin prokuroria kërkoi nga Apeli të marrë parasysh është edhe rritja e vazhdueshme e rasteve të dhunës në familje dhe pasojat që duhet të merren parasysh.

Përfundimisht, prokuroria kishte theksuar se  dënimi nuk është në proporcion me shkallën e fajësisë dhe pasojave dhe me dënimin e shqiptuar nuk do të arrihej qëllimi i tij.

Apeli ndau mendim ndryshe nga prokuroria.

Shkalla e dytë e gjyqësorit refuzoi këtë ankesë si të pabazë duke thënë se kjo çështje nuk ka pasur as shkelje procedurale e as shkelje të Ligjit Penal.

Rrethanat lehtësuese të cilat u vlerësuan nga shkalla e parë dhe u vërtetuan edhe nga ajo e dyta, ishin se kryesi nuk ishte më parë i dënuar, gjendja e tij shëndetësore, dashuria ndaj motrave dhe kujdesi ndaj tyre “duke respektuar traditat dhe duke i bindur se motrat e tij duhet të njoftojnë vëllanë kur të dalin nga shtëpia”.

Rrethana rënduese e cila u mor parasysh nga këto gjykata, ishte fakti se dhuna ishte kryer ndaj viktimës së ndjeshme dhe kufizimi i lirisë së tyre.

Ky rast është përmbyllur me një dënim minimal nga gjykata, e vërtetuar nga instanca e Apelit, e vëllai ishte falur nga motrat për sjelljet e tij duke mos iu bashkangjitur ndjekjes penale.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.