Kadri Veseli padit për shpifje deputetin e Vetëvendosjes, Visar Korenica

Kadri Veseli, përmes avokatit Faton Fetahu, e ka paditur për shpifje deputetin e Vetëvendosjes, Visar Korenica.

Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, avokati Faton Fetahu, ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje kundër deputetit Korenica, i cili sipas tij në muajin mars 2024, në një deklaratë për një media kishte përmendur Veselin se “kishte ndikuar në një projekt në Administratën Tatimore të Kosovës”.

Fetahu në një postim në Facebook ka shkruar se i kanë dhënë rast deputetit Korenica për “përmirësimin e shprehjes shpifëse, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

“Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen. Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në media një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë”- ka shkruar Fetahu.

Ndërsa Naim Spahiu, avokat i deputetit nga radhët e Vetëvendosjes, Visar Korenica ka thënë se beson që padia është e pa bazuar.

“Presim gjykata kur të dërgojë aktvendimin për përgjigje, i kthejmë të njëjtin. Mendojmë dhe besojmë fuqishëm që padia është e pa bazuar”- tha Spahiu.

 

Ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli aktualisht është duke u gjykuar në Hagë nën akuzat për krime lufte.