Foto:KALLXO.com

Deputetët e opozitës dhe pushtetit përplasen rreth hetimeve për stafin diplomatik

Shkarkimi i 12 ambasadorëve të Kosovës në vitin 2021, si një prej çështjeve më të diskutueshme në kuadër të diplomacisë kosovare, ka shkaktuar përplasje verbale mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të opozitës në mbedhjen e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Përderisa propozuesja për themelimin e këtij Komisioni, deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i kërkonte 21 dokumente nga MPJD dhe instistonte që hetimi të bëhet vetëm gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, anëtarët nga LVV kërkuan që hetimi të bëhet edhe për pushtetet e kaluara.

Deputetja Musliu- Shoshi kërkoi që gjatë punës në këtë komision të bëhet hetim për periudhën 22.03.2021 deri në shkurt të vitit 2024, me akuzat që ka pasur shkelje në institucionin e politikës së jashtme. Por, nga krejt dokumentet që kërkoi, më së shumti ngriti diskutime konkursi i vitit 2011, si rezultat i të cilit ishin shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë.

Një kërkesë e tillë hasi në kundërshtimin e deputetëve të Vetvëndosjes: Arbëresha Hyseni-Kryeziu, Fitore Pacolli e Haxhi Avdyli nga Lista Guxo. Ata kërkuan që në hetim të përfshihen edhe dokumentet e viteve paraprake, pasiqë nuk mund të bëhet një hetim i cili ka ndërlidhje me mandatet tjera me dokumente të vetëm tri viteve të fundit.

“Jam kundër absolutisht që hetimi të bëhet vetëm për 3 vitet tona kur gjërat që kërkohen janë pashmangshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën përgjatë viteve”- tha Kryeziu-Hyseni, e cila la sallën e takimit pasiqë nuk u arritë të krijohej pajtueshmëri për këtë çështje.

E, Musliu-Shoshi këmbënguli që propozimi i saj që është miratuar në Kuvendin e Kosovës ka qenë vetëm për periudhën e fundit tre- vjeçare, kështuqë nëse kërkohet të zgjatet mandati i hetimit atëherë le të propozohet themelimi i një komisioni tjetër.

“Nëse vlerësoni që ka kërkesë për hetim në vitet tjera duhet një propozim apo kërkesë për komision tjetër. E keni nënshkrimin tim nëse doni hetim prej kur është themeluar MPJ-ja. Por këtu unë kam kërkuar vetëm për këtë periudhë”- tha Musliu-Shoshi, në mbledhjen e mbajtur më 30.04.2024.

Deklaratat e anëtares së PDK-së i vuri në mëdyshje deputeti Haxhi Avdyli duke iu drejtuar me fjalët: “A  ke siklet që të hetohen edhe dokumentet e viteve tjera”. Kjo fjali nxiti polemika mes dy palëve. Musliu-Shoshi iu kundërpërgjigj: “Nuk mund të më gjuani me shigjeta. Nuk kam kurrfarë sikleti”.

Ngjashëm si bashkëpartiakët nga LVV  u shpreh edhe deputetja Fitore Pacolli.

“Neve na duhen dokumente prej emërimit. Na po kërkojmë edhe dokumente shtesë prej kur është emëruar deri kur është përjashtuar edhe çfarë ka punuar ai diplomat. Pse po tutni me dalë përtej vendimit?”- tha Pacolli.

Kryetarja e Komisionit, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, tha që mund të pajtohen që ndërkohë të shtojnë dokumente gjatë hetimit nëse veç shtrohet nevoja për to.

“Nëse lind nevoja e një dokumenti ekstra, ne e kërkojmë. Aty për aty e shtojmë”- tha ajo.

Deklaratën e Musliu-Shoshit e përkrahu deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi e cila tha se mjaftojnë dëshmitarët të cilët mund të japin informata të mjaftueshme.

“Nëse ia nisim kështu (të thellohet hetimi edhe në mandate tjera) na bjen me u marrë shumë”- tha ajo.

Në fund edhe pse nuk u pajtuan njëzëri, u tha që të dërgohen kërkesat për dokumente nga të dy palët dhe të shikojnë nëse mund t’i  shqyrtojnë. Ndërkohë u aprovua kërkesa e deputetes Musliu-Shoshi që të ftohet një ekspert ligjor gjatë takimeve tjera, në mënyrë që të shihet nëse ka shkelje ligjore nëse në mandatin e Komisionit përfshihen edhe periudha më të gjata kohore se ajo që është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha degradimet që janë bërë në MPJD, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera. Ndër tjera, ajo kërkoi procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e Behar Ismës që ka qenë sekretar në MPJD, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.

Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kishte miratuar më 19.05.2021, propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të 12 ambasadorëve të emëruar politikë nëpër vende të ndryshme

Ambasadorët e shkarkuar kanë shërbyer në: Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Katar.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz atëkohë kishte thënë se “ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës”.

”Janë shkarkuar 12 ambasadorët politikë, sepse kanë qenë në disproporcion me ligjin tonë. Janë shkarkuar të gjithë për një herë, sepse në momentin që ke tejkaluar kuotën ligjore, atëherë i ke të gjithë të jashtëligjshëm. Pra, 12 ambasadorët politikë sepse kemi konsideruar se është shkelur ligji i shërbimit të Jashtëm politik”- kishte thënë ajo.