Ilustrim
Si tentoi Prokuroria me tri pyetje të zbardhte dosjen e dhunës në familje?
Me vetëm tri pyetje të parashtruara një prokuror në Prishtinë kishte tentuar ta zbardhte një rast të dhunës ndaj një gruaje në kryeqytet. Situata përfundoi me një dënim të vogël për personin i cili akuzohej se kishte kryer aktin.
Analizimi i një dosjeje të dhunës në familje shpërfaq prova serioze se një person i shpëtoi dënimit maksimal për dhunën ndaj gruas së tij vetëm për shkak se hetimet nuk ishin realizuar siç duhej, ndërsa prova të rëndësishme për rastin ishin injoruar nga Policia e Prokuroria.
Hulumtimi zbardhi se Prokuroria injoroi një vepër penale në plotni, nuk kreu bastisje dhe nuk siguroi dëshmitarë të tjerë për ngjarjen për të argumentuar veprën.
Të dhëna të tjera tregojnë se prova të rëndësishme të cilat do e krijonin pasqyrën e ngjarjes u injoruan dhe nuk u përmendën fare në Gjykatë nga Prokuroria.
Kallxo.com është duke analizuar rrjedhën e rasteve të dhunës në familje për të zbuluar cilat janë problemet të cilat rezultojnë në dënime të ulëta dhe amnisti në raste për kryerësit e dhunës në familje.
Tri hulumtimet të kryera më herët kanë shpërfaqur probleme serioze në institucionet e rendit dhe drejtësisë në trajtimin e kësaj teme.
Dosja e radhës e analizuar është e arkivuar në Gjykatën e Prishtinës. I dyshuari është dënuar me pesë muaj burgim ndërsa pretendimet janë se ai kanosi gruan dhe ushtroi dhunë psikike.
Të dhënat bazike që zbulohen në nisje të hulumtimit paraqesin të kaluarën e personit të dyshuar. Dosja e tij ka të regjistruara rreth 40 vepra penale për të cilat dyshohet, përfshirë aty kanosje, ngacmim, vjedhje, sulm, armëmbajtje, etj.
Personi i dyshuar, sipas dosjes së analizuar, kishte dëshmuar se nuk u bindet organeve të drejtësisë pasi gjatë trajtimeve të rasteve të tij ai nuk ishte paraqitur në gjykatë.
Kjo evidentohet me faktin se ndaj tij janë lëshuar plot 9 urdhërarrestime brenda periudhës 12-vjeçare.
Dosja tregon se personi kishte prirje të ngacmonte gruan pasi në vitin 2015 ishte dënuar me tetë muaj për veprën – ngacmim.
Sipas Ligjit, kur dikush ripërsërit veprën dënimet duhet të jenë më të larta mirëpo ky fakt u injorua komplet në procesin që u zhvillua në vitin 2020.
Të dhënat tregojnë se prokurori i çështjes gjatë seancës nuk i kërkoi Gjykatës që personi të dënohet më shumë për shkak se e kishte përsëritur veprën.
Injorimi i veprave dhe provave në hetime
Të dhënat nga analizimi i dosjes tregojnë se viktima më datë 22 maj kishte raportuar rastin në policinë e Prishtinës. Bashkë me viktimën në polici ishte paraqitur edhe djali i viktimës i cili kishte rrëfyer për ngjarjen dhe një kanosje që kishte ndodhur një ditë më herët.
Ngjarja e parë që kishte përshkruar djali ishte ngjarja e datës 21 maj 2020 kur sipas viktimës i dyshuari e kishte kërcënuar e tij se do t’i vriste të gjithë sepse e kishin lodhë.
Por të dhënat tregojnë se policia procedoj në prokurori vetëm ngjarjet që ndodhën më datë 22 maj 2020.
Atë ditë sipas përshkrimit të prokurorisë i dyshuari kishte shkuar tek banesa ku qëndronte e dëmtuara me dy fëmijë me ç ‘rast ka trokitur me forcë në derë gati duke e thyer dhe e kishte sharë të njëjtën.
Sipas të dhënave viktima e kishte raportuar ngjarjen dhe policia kishte arrestuar personin e dyshuar.
Ani pse personi në fjalë në të kaluarën ka qenë i prangosur për shkak të armëve, në dosje nuk figuron se shtëpia e tij është bastisur nga autoritetet në rastin përkatës.
Mbrëmjen e incidentit e dëmtuara, djali i tyre si dhe i akuzuari ishin intervistuar nga policia, ku deklarimet e tyre kanë shërbyer si prova mbi të cilat gjykata e dënoi personin.
Në deklaratat e dhëna në polici nuk ka dëshmitarë të tjerë që janë identifikuar për këtë ngjarje.
Ndjenja e frikës që ky person kishte ngjallur tek familja e tij evidentohet në dosjen e policisë ku djali i tyre kishte deklaruar se edhe më herët i ka “lutur” të gjitha organet e drejtësisë që të merren me rastin e babait të tij, duke thënë se “mund të vijë deri tek ndonjë vrasje”.
Kurse për dhunën e ushtruar, burri i dyshuar kishte deklaruar se shkak i mosmarrëveshjes kishte qenë fakti se viktima e kishte dëbuar nga shtëpia e tij dhe nuk e ka lejuar të shoh vajzën e tij.
Ndërkaq verzioni i viktimës është se vajza vet nuk dëshiron të takohet me të atin për shkak se kishte përjetuar gjëra jo të mira.
Të dhënat tregojnë se për rastin në fjalë janë njoftuar me shkrim edhe mbrojtësi i viktimave dhe qendra për punë sociale por që në dosje nuk evidentohen veprime të ndërmarra nga këto institucione.
Në dosjen e policisë figuron informata se viktima kishte kërkuar urdhër mbrojtës mirëpo në dosjen e gjykatës nuk evidentohet të jetë proceduar kërkesa e tillë.
Ndërkaq gjatë intervistimit të prokurorit viktima kishte deklaruar se në të kaluarën ka pasur urdhër mbrojtës ndaj burrit të saj, por që ai i kishte shkelur disa herë.
Hetimet e ‘shpejta’ të prokurorisë
Nga hetimi i policisë rasti ishte bartur tek Prokuroria e Shtetit. Të dhënat nga analizimi i dosjes tregojnë se prokurori nuk arriti të gjejë asnjë dëshmitarë tjetër shtesë apo ndonjë provë shtesë që do të zbardhte rastin më tutje.
Prokuroria i kishte ftuar dhe marrë në pyetje të dëmtuarën më 16 qershor me çast viktimës i janë parashtruar vetëm tre pyetje nga prokurori i rastit.
Akti akuzues nga prokuroria është ngritur një ditë pas intervistimit, më datë 17 qershor të vitit 2020.
Përmes këtij akti i dënuari ishte ngarkuar me veprën penale të dhunës në familje e inkriminuar me nenin 248 paragrafin e parë të Kodit Penal, vepra penale e kanosjes ndaj djalit nuk ishte përfshirë në këtë rast.
Pas ngritjes së aktakuzës, gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit të cilën e kishte kërkuar prokuroria me arsyetimin se i njëjti mund të përsërisë veprën penale duke u bazuar në faktin se është recidivist.
I dënuari ka qëndruar nën këtë masë nga data 22 maj deri më 21 qershor të vitit 2020 kur në procesin rekord të trajtimit ai ishte dënuar me 5 muaj burgim.
Trajtimi nga gjykata
Seanca fillestare është mbajtur më datë 19 qershor dhe në dosje evidentohet të ketë qenë e hapur për publikun.
Kodi i Procedurës Penale me nenin 289, parashihet përjashtimi i publikut kur është në interes mbrojtja e jetës familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve tjerë në procedurë.
Në seancë kryerësi i dhunës ka pranuar fajin për veprën me të cilën ngarkohej si dhe ka shprehur pendesë.
Në këtë seancë viktima para gjykatës kishte deklaruar se e ndjen veten shumë të rrezikuar e që sipas saj, për sa kohë ai person ndodhet në liri ajo nuk do të gjejë qetësi shpirtërore.
Këtë deklaratë të saj gjykata e kishte marrë për bazë si rrethanë rënduese me rastin e matjes së dënimit.
Kurse, prokurorja i kishte propozuar gjykatës që me rastin e matjes së dënimit të marrë parasysh “rrethanat lehtësuese”, por që nuk evidentohet të ketë përmendur asnjë rrethanë lehtësuese.
Në asnjë rast, që nga zanafilla e rastit e deri në fund të gjykimit të tij, prokurori i shtetit nuk ka propozuar që recidivizmi të merret si rrethanë rënduese kundër personit që vetë e ka akuzuar.
Gjykata me rastin e matjes së dënimit ka marrë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajit, pendimin e shprehur si dhe premtimin se nuk do e përsëritë më veprën.
Kurse, si rrethana rënduese gjeti shkallën e lartë të rrezikshmërisë shoqërore, faktin se veprën e ka kryer në ambient familjar, faktin se viktima ndihet e rrezikuar si dhe aktgjykimin e formës së prerë me të cilin është dënuar i akuzuari më herët.
Ky aktgjykim u shpall më 19 qershor, me të cilin kryerësi i dhunës u dënua me 5 muaj burgim efektiv.
Përveç kësaj u dënua edhe me gjobë prej 200 eurosh, i cili dënim është me kusht.
Kurse dënueshmëria për këtë vepër sipas Kodit Penal në fuqi në kohën e veprës, kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.
Prokuroria del të jetë e kënaqur me ndëshkimin minimal ndaj personit që e ka akuzuar.
Këtë e evidenton fakti se në dosje nuk ka evidencë të ndonjë ankese të Prokurorisë në gjykatën e shkallës së dytë.
Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.