Dyshimet për rrugën Prishtinë – Podujevë, Durmishi ftohet për intervistë nga Prokuroria Speciale
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, në lidhje me tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Durmishi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke thënë se intervista i është caktuar më datë 08.05.2024. Ai nuk ka bërë të ditur se në çfarë cilësie është ftuar për intervistim, si i dyshuar apo dëshmitar.
“Të ftosh zv.ministrin për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që na jep të drejtë neve si autoritet kontraktues, më duket sinqerisht e pakuptimtë. Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim”– ka shkruar Durmishi në Facebook.
Tutje, Durmishi ka thënë se ka dorëzuar shumë raste në Prokurorinë Speciale e në Polici dhe sipas tij, “asnjë rast nuk është trajtuar”.
“… përkundrazi zvarriten me vite e vite edhe pse ka fakte sa të duash për krim e korrupsion. Rasti i mirëmbajtjes së urave p.sh. ku nga 500 mijë euro të planifikuara në fund kontrata përfundon në 5 milionë e 300 mijë euro. Nuk e di çfarë fakti tjetër i duhet prokurorit për të vepruar”– ka shkruar Durmishi.
Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.
Këtë e kishte konfirmuar edhe vetë OSHP, në nje vendim të marrë më 04.12.2023.
Sipas vendimit të OSHP-së, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e llotit të dytë të magjistrales Prishtinë-Podujevë, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi për këtë llot kishte ankesë aktive dhe tenderi është dashur të pezullohej.
Ankesa në OSHP ishte dorëzuar më 15.06.2023, ndërsa kontrata ishte nënshkruar katër ditë më vonë, më 19.06.2023 nga Nexhat Krasniqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit, i cili është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kontrata ishte nënshkruar edhe nga Hysen Durmishi, zv/ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nga Izedin Bytyqi, zv/zyrtar kryesor Administrativ në këtë ministri.
Një nga pesë kontratat, ajo në vlerë prej 9.2 milionë eurove i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv/ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.
Për shkak të mospezullimit të aktivitetit të prokurimit, Gjykata e Tenderëve ka kërkuar që t’i revokohet certifikata e zyrtarit përgjegjës të prokurimit në këtë ministri. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) e kishte konfirmuar për KALLXO.com se zyrtari i ministrisë që OSHP ka kërkuar t’i revokohet certifikata është Nexhat Krasniqi.
Përkundër shkeljeve të konstatuara, OSHP-ja kishte rekomanduar që vendimi i ministrisë dhe kontrata e nënshkruar me kompaninë “Bageri” të mbetet në fuqi.
“Paneli shqyrtues vendosi lënien në fuqi të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit në rastin konkret duke u nisur kryesisht nga parimi i përgjithshëm i interesit publik duke ju referuar nenit 104 par. 4 pika (iii) të LPP-së, sipas të cilit OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik”- thuhej në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Prokurorinë Speciale për të kuptuar se në çfarë cilësie është ftuar Hysen Durmishi, por zëdhënësi Ekrem Lutfiu dhe kryeprokurori Blerim Isufaj kanë qenë të paqasshëm.