Dështimi i Prokurorisë dhe Policisë së Pejës në hetimin e dhunës në familje

Një hulumtimi i realizuar nga Kallxo.com shpërfaqë një dështim sistematik në policinë dhe prokurorinë e Pejës për të hetuar një rast të dhunës në familje. Dy organet nuk ndërmorën asnjë hap për të hetuar deklaratat e viktimës ku ajo pretendonte se është rrahur ndërsa asnjë dëshmitar, përfshirë dëshmitarin okular të ngjarjes nuk u intervistuan nga Prokuroria e Policia. Si rrjedhojë e hetimeve të dobëta dhe mungesës së argumentimit të veprës ushtruesi i dhunës shpëtoi me një dënim me gjobë.

Dosja është gjykuar në Gjykatën e Pejës por të dhënat tregojnë se akti akuzues për rastin është ngritur pa u ndërmarrë as edhe një veprim i vetëm hetues nga Prokuroria.

Në Dosje nuk figuron aktvendimi për fillim të hetimeve ndërsa Prokuroria përveç se nuk ka intervistuar dëshmitarin, nuk ka marrë mundin të intervistojë as viktimën e dhunës e as të dyshuarin, e aq më pak të propozojë në gjykim rrethana për rëndimin e dënimit.

Përpjekjet minimale për të sjellë drejtësi në një rast ku gruaja përjetoi dhunë nga bashkëshorti i saj nuk erdhën vetëm nga organi i ndjekjes por edhe nga Gjykata e cila dhunuesin e dënoi me dënim me kusht.

Dënimi me kusht në kohëzgjatje prej tre muajsh dhe gjoba në shumë prej 100 ose 300 eurove, të dyja këto me kusht, prekin kufirin e minimumit e dënimit të paraparë për veprën penale të dhunës në familje.

Paqartësia sa i përket vlerës reale të gjobës buron nga fakti se përveç mangësive substanciale në trajtimin e rastit, Dosja ishte e ngërthyer në gabime teknike të një natyre që krijojnë konfuzitet sa i përket elementeve thelbësore të rastit.

Kështu, në aktgjykimin e gjetur në Dosje, në të njëjtën fjali lexojmë dy versione të dënimit me gjobë, një herë thotë 100 euro, kurse në kllapa në formë numerike lexon 300 euro. Shuma reale e gjobës mbetet e panjohur pasi që nuk qartësohet më në asnjë segment të mëtutjeshëm të aktgjykimit.

Përveç kësaj e tërë dosja ka gabime teknike sa i përket datave dhe kronologjisë së rastit.

Neglizhenca hetimore

Nga dosja kuptohet se rasti është paraqitur në polici më 28 maj të vitit 2020 nga viktima e cila ka rrëfyer se si burri i saj e kishte kërcënuar në banesën ku ajo po jetonte bashkë me fëmijën e tyre dy vjeçar.

Ajo po jetonte me qera bashkë me fëmijën pasi që kishte qenë e ndarë nga burri. Në polici viktima tha se me të njëjtin kanë qenë të martuar për pesë vite ndërsa gjatë gjithë këtyre pesë viteve ka qenë e nënçmuar dhe e rrahur brutalisht, mirëpo që kjo ishte hera e parë që rasti ishte lajmëruar në Polici.

Në këtë pikë institucionet nuk kishin marrë asnjë veprim për të dokumentuar dhunën që kishte ndodhur më herët.

Këto pretendime të dhunës fizike i ka pranuar edhe vetë bashkëshorti gjatë intervistës së dhënë në Polici. “Po, tri katër herë e kam rrahur”- ishin fjalët e tij para policisë.

Rrëfimi i kësaj dhune fizike nuk i kaloi kurrë dyert e stacionit policor. Policët nuk kishin parashtruar asnjë pyetje për të kuptuar nëse kishte dëshmitarë dhe prova që mund ta argumentonin këtë dhunë në të kaluarën.

Në dosje nuk figuron asnjë veprim i Prokurorisë për të zbardhur më tutje këto raste, madje një gjë të tillë prokurori nuk e përmendi as në gjykim për ta propozuar si rrethanë për ashpërsimin e dënimit.

Po në të njëjtën ditë në Polici u deklarua edhe i dyshuari, i cili e pranon se më parë e kishte rrahur gruan e tij si dhe e ka pranuar se në ditën kritike të rastit e ka kanosur të njëjtën.

Ndërkaq sipas dosjes versioni i gruas është se në mbrëmjen e 27 majit 2020, burri i saj me të shkuar në banesën ku po qëndronte me fëmijën, ka filluar ta godasë derën me grushte dhe shqelma deri sa ka ardhur pronari i banesës për ta qetësuar.

Përkundër faktit se pronari i banesës kishte qëndruar brenda banesës me bashkëshortët për një orë, ai nuk është propozuar nga Prokuroria për t`u dëgjuar si dëshmitar dhe nuk është përfshirë fare në këtë procedurë gjyqësore.

Tutje, sipas rrëfimit të viktimës në Polici, të nesërmen në orët e mëngjesit dhunuesi kishte shkuar përsëri në banesë ku e kishte sulmuar verbalisht dhe kanosur atë.

Sipas saj, ai i kishte ngritur duart drejt fytit të saj dhe e kishte kanosur me fjalët “me këto duar kam me të mbytë ty dhe familjen tënde, dhe nëse shkoj në burg e mbaj për të gjithë, jo vetëm për ty” – dhe më pas “mos gabo me shku në Prishtinë se seriozisht e kam se të mbys”.

Gjatë marrjes në pyetje nga Policia viktima tha se ndihet e rrezikuar nga burri i saj, por nuk pranoi të qëndrojë në strehimore edhe pse një mundësi e tillë iu ofrua nga Policia.

Prokurori i rastit ishte njoftuar për këtë ngjarje mirëpo kishte urdhëruar që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Të dhënat tregojnë që Prokuroria nuk ndërmori asnjë veprim për të zbardhur ngjarjen.

Pas deklarimit në Polici, Prokuroria nuk ndërmori asnjë veprim të mëtutjeshëm deri në ngritje të Aktakuzës më 19 qershor të vitit 2020. Megjithatë, kjo aktakuzë nuk evidentohet të jetë Aktakuzë e drejtpërdrejtë.

Aktakuza thotë se në ditën kritike dhunuesi kishte shkuar në banesën e viktimës ku kishte filluar t`i bërtasë që të lëshojë banesën dhe provon ta hapë me forcë derën, por që nuk arrin ta bëj një gjë të tillë, dhe më pas e kërcënon.

Këto veprime Prokuroria i ka kualifikuar si Dhunë në Familje, vepër penale e paraparë me nenin 248 të Kodit Penal të Kosovës.

Për të mbështetur akuzat e ngritura, Prokuroria nuk ka propozuar asnjë provë më tepër se deklaratat e dhunuesit dhe viktimës të dhëna në Polici.

Pra, pasqyra e ngjarjes së përshkruar në aktakuzë është asgjë më shumë se përshkrimi i dhënë nga palët kundërthënëse. Për më tepër, në aktakuzë Prokuroria propozon të mbahet “shqyrtim gjyqësor verbalo – publik”.

Kjo bie në ndesh me Kodin të Procedurës Penale, i cili me nenin 294 parasheh përjashtimin e publikut kur është në interes mbrojtja e jetës familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve të tjerë në procedurë.

Një tjetër aspekt i injoruar krejtësisht nga i tërë zingjiri i organeve të drejtësisë është prezenca e fëmijës 2 vjeçar në ditën kritike.

Gjatë analizimit të Dosjes përmendet se viktima ka qenë duke jetuar me fëmijën e tyre në banesën ku ka ndodhur kanosja, mirëpo askund në Dosje nuk përshkruhet ndonjë veprim që është ndërmarrë qoftë nga Policia, Prokuroria apo edhe Gjykata, që të vërtetohet nëse fëmija në fjalë ka qenë prezent gjatë kësaj ngjarje apo jo.

Kujtojmë se prezenca e fëmijës në kryerjen e veprave të tilla është situatë të cilën ligji e parasheh si rrethanë e cila duhet të rëndojë dënimin e shqiptuar.

Kjo është e paraparë me Konventën e Stambollit, me nenin 46, i cili thotë se nëse vepra është kryer në prani të një fëmije mund të merret si rrethanë rënduese në përcaktimin e dënimit.

Trajtimi nga Gjykata

Gjykata filloi gjykimin e kësaj çështje hiç më pak se 7 muaj pas ngritjes së aktakuzës, pasi që shqyrtimi fillestar për herë të parë u caktua dhe u mbajt më datë 20 janar të vitit 2021 e që zgjati jo më shumë se 20 minuta.

Kodi i Procedurës Penale në fuqi atëkohë përmes nenit 242 thotë se shqyrtimi fillestar duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga ngritja e aktakuzës.

Përveç se e pasafatshme, seanca u mbajt pa prezencën e viktimës së krimit. Sipas Dosjes gjykata nuk ka provë se viktima e ka pranuar ftesën, pra nuk ka informatë nëse e njëjta ka qenë apo jo e njoftuar se po mbahet gjykimi.

Në këtë seancë i pandehuri e pranoi fajin për veprën që i vihej në barrë, pranim të cilin nuk e kundërshtoi Prokuroria as mbrojtësja e viktimave e cila ishte prezente në gjykim.

Prokuroria në këtë gjykim nuk është deklaruar fare lidhur me rrethanat për ashpërsim apo lehtësim të dënimit, pra nuk ka propozuar asnjë rrethanë për rëndim të dënimit.

Me rastin e matjes së dënimit Dosja evidenton se as Gjykata nuk ka gjetur asnjë rrethanë rënduese, kurse rrethana lehtësuese gjeti plot gjashtë.

Kështu për lehtësim të dënimit gjykata mori parasysh sjelljen korrekte në gjykatë. Pranimin e fajësisë, pendimin dhe keqardhjen e shprehur, premtimin se nuk e përsërit më veprën dhe faktin se nuk ka qenë më parë në ndesh me ligjin.

E kënaqur me dënimin minimal të shqiptuar del të jetë edhe Prokuroria e cila nuk evidentohet të ketë apeluar vendimin e tillë, kështu duke mos bërë asnjë përpjekje që ky dënim të ngritet. Si rrjedhojë aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm pa ankesën e prokurorisë.

 

SHËNIM: Pasur parasysh se kemi të bëjmë me një dosje të dhunës në familje, me qëllim të mbrojtjes së identitetit të palëve të përfshira në këtë rast – në artikull janë larguar të dhënat personale të palëve duke përfshirë edhe inicialet e tyre.  

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës: “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.