Pesë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje u raportuan në Polici të Kosovës më 23.04.2024.

Dy raste janë raportuar në Prishtinë, një në Gjilan, një në Pejë dhe një në Rahovec. Në lidhje me këto raste pesë persona janë arrestuar.

Në Prishtinë, është arrestuar një burrë i cili dyshohet se kishte kanosur ish të dashurën e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë, ku një burrë ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje me vëllain e tij mashkull kosovar i ka shkaktuar dhunë psikike dhe kanosje.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Në Gjilan, Policia ka arrestuar një burrë, nën dyshimin se kishte ofenduar dhe kanosur ish bashkëshorten e tij më 17.04.2024. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq në Pejë, Policia ka arrestuar një grua, shtetase e Shqipërisë pasi e njëjta dyshohet se ka kryer dhunë në familje ndaj bashkëshortit të saj, po ashtu shtetas i Shqipërisë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Në Rahovec, organet e rendit kanë arrestuar një burrë i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje, me të cilën i dyshuari bashkëjeton që tetë vite.

Sipas raportit policor, viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.