Qeveria e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Qeveria mban mbledhje elektronike, këto janë vendimet

Qeveria e Kosovës më 30.04.2024 ka mbajtur një mbledhje në formë elektronike, gjatë të cilës ka marrë tri vendime.

Sipas komunikatës së Qeverisë, kabineti qeveritar ka miratuar Kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitet 2025-2027, që paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet buxheti vjetor për vitin 2025.

“Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë”- thuhet në komunikatë.

Po ashtu Qeveria ka miratuar raportin tremujor të buxhetit për vitin 2024, i cili sipas njoftimit, përmban një përmbledhje të trendeve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë periudhës së këtij tremujori të vitit 2024.

Ndërsa thuhet se ky raport përmban edhe analiza përmbledhëse të periudhës përkatëse, pasqyron të hyrat sipas institucioneve mbledhëse në nivelin qendror dhe lokal, detaje mbi të hyrat sipas llojit të tatimeve, si dhe krahasimet me periudhat paraprake dhe projeksionet buxhetore.

Ndërsa, vendimi i tretë që është marrë në këtë mbledhje është miratimi i Programit të borxhit shtetëror për vitet 2025-2027.

Sipas komunikatës, në këtë dokument pasqyrohen zhvillimet e fundit në parametrat e borxhit shtetëror, vlerësohen rreziqet kryesore që ndërlidhen me strukturën e borxhit shtetëror dhe përcaktohen objektivat afatmesme të menaxhimit të borxhit shtetëror.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se mbledhja e mbajtur sot është mbledhja e 202-të.