Departamenti për krime të luftës me vetëm tre prokurorë

Rritja e numrit të prokurorëve që trajtojnë rastet e krimeve të luftës dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është diskutuar në Komisionin Parlamentar të Drejtat e Njeriut, më 30.04.2024.

E ftuar për të raportuar lidhur me ketë çështje ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se një nga prioritetet e ministrisë që ajo e udhëheq është adresimi i krimeve të luftës.

Sa i përket rritjes së numrit të prokurorëve special ajo përkujtoj se me gjithë faktin se ministria ka ndarë 100 mijë euro për rekrutimin e tyre, numri i prokurorëve brenda Departamentit për krime të luftës prap ka mbetur i vogël.

“Kur jemi tek rritja e numrit të prokurorëve special, ne me KPK-në kemi rënë dakord që ky numër të ngritët, sepse kanë qenë vetëm katër. Mbi 100 mijë euro kemi rënë dakord t’ia dedikojmë KPK-së me qëllim të rekrutohen edhe pesë prokurorë të tjerë, gjashtë bashkëpunëtorë profesional dhe dy staf mbështetës. Përkundër buxhetit të ndarë ende numri i departamentit është shumë i vogël. Vetëm tre”- u shpreh ajo.

Haxhiu ka thënë se beson që është e rëndësishme rritja e numrit të prokurorëve special, ndërsa ka përmendur edhe fillimin e zbatimit të vendimit për gjykimin në mungesë.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, nga ana e tij ka përmendur disa nga sfidat me të cilat përballen.

Me këtë rast, ai ka veçuar dorëheqjen e prokurorëve serbë në Mitrovicë të Veriut.

“Sfidë që kemi pasur është dorëheqja e prokurorëve serbë në Mitrovicë ku kanë dhënë dorëheqje 10 prokurorë dhe 22 nga stafi mbështetës. Gjendja është e vështirë sepse kemi bërë kërkesa buxhetore të arsyeshme. Vitin e kaluar kemi bërë kërkesë për 21 milionë por janë aprovuar vetëm 15 milionë. Tani për tani janë tre prokurorë special, kanë qenë katër, një ka dal në pension”- ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i Departamentit për krime të luftës në Prokurorinë Speciale, Ilir Morina, ka thënë se kanë trashëguar çështje komplekse nga misionet e huaja.

“Veprimi i parë si Prokurori speciale ka qenë identifikimi i problemeve. Në strategji kemi adresuar disa nga sfidat. Bashkëpunimi me komisionin qeveritar është shumë i mirë, por sfida qëndron te rastet kur viktima nuk e ka marrë statusin. Janë 6 aktakuza dhe tre raste që ka filluar hetimi, ndërsa rastet tjera janë në procedurën paraprake”- ka thënë ai.

Morina ka bërë të ditur se në vitin 2023 janë kryer 23 lëndë nga Departamenti i krimeve të luftës, ndërsa prej vitit 2016 deri më 2019 kanë qenë vetëm 12 lëndë.