Rruga se si u shmangën dëshmitarët e rastit të vajzës që u grushtua nga babai

Burgim me kusht është dënimi që Gjykata e Prishtinës i shqiptoi një burri, i akuzuar se e rrahu vajzën e tij për një telekomandë televizori.

Kjo analizë tregon rrugëtimin se si një burrë nga Prishtina arriti të shpëtojë me dënim minimal për lëndimet që ia shkaktoi të bijës.

KALLXO.com ka analizuar në tërësi dosjen hetimore të rastit, e cila është arkivuar në Gjykatën e Prishtinës, për të zbardhur një varg problemesh të cilat i shoqërojnë rastet e dhunës në familje, sidomos ato që u trajtuan gjatë kohës së pandemisë.

Të dhënat tregojnë për parregullsi pasi gjatë trajtimit të rastit në Polici nuk u intervistuan të gjithë dëshmitarët. I dyshuari, edhe pse pretendohej se ishte me probleme mendore, u dërgua në paraburgim, ndërsa Prokuroria gjatë prezantimit në seancë gjyqësore nuk u parashtroi asnjë pyetje dëshmitarëve.

Zhvillimet në Polici

Deklarata e viktimës potencon se ajo u godit nga babai i saj dhe pas goditjes u rrokullis shkallëve me ç’rast pësoi lëndime.

Viktima deklaroi në Polici se babai i saj kishte probleme mendore ndërsa potencoi që në kohën kur ishte kryer akti i dhunës në shtëpi ishte edhe kunata e saj.

Në deklaratë viktima kishte përmendur që babai i saj edhe në raste të tjera kishte pasur probleme dhe akte të dhunës.

Analizimi i dosjes tregon se viktima kishte shkuar këmbë në stacionin e Policisë, madje, siç përshkruhet në dosje, ajo kishte shkuar zbathur.

Sipas një qëndrimi të prokurorit të shtetit, Policia duhet të shkojë me urgjencë te viktima e dhunës në familje. Në raste të tilla, denoncimet nëse kryhen me telefon, Policia duhet të shkojë dhe ta shoqërojë viktimën deri në zonën e sigurt.

Në dosjen e analizuar nuk ka përgjigje pse viktima nuk e kishte telefonuar Policinë por kishte shkuar këmbë deri në stacion.

Dosja tregon se gjatë hetimit të rastit polici pati probleme të tjera serioze. Elementi i parë që bie në sy është largimi nga procesi i dëshmitares së rastit (kunatës së viktimës).

Sipas dosjes, kunata nuk ishte ftuar për të dëshmuar fare në këtë rast ndërsa dëshmitari i vetëm mbeti vëllai i viktimës.

Përpos që nuk e kishte intervistuar kunatën, Policia nuk kishte tentuar as të zbardhte arsyet pse kunata nuk kishte raportuar në Polici aktin e dhunës ndaj viktimës.

Sipas Kodit Penal mosraportimi i veprave të tilla është vepër penale.

Dështimi për të intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjeve të tilla dërgon në situata ku gjykata e ka të paqartë ngjarjen.

Të dhënat tregojnë që në ditën e parë Policia nuk kreu ndonjë bastisje në shtëpinë e personit të dyshimtë për të kontrolluar nëse ka armë apo ndonjë mjet të ndaluar.

Madje, sipas dosjes, në pyetjet e Policisë nuk figuronte pyetja bërë dëshmitarëve nëse ata e dinin nëse familjari i tyre kishte në posedim ndonjë armë.

I tërë hetimi i Policisë ishte kurorëzuar me kallëzimin penal të dorëzuar brenda 24 orëve, mirëpo sipas dosjes, gjatë kësaj kohe Policia nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim tjetër për të argumentuar pretendimet e palëve.

Njëri nga pretendimet kryesore ishte se i dyshuari ishte recidivist dhe kishte probleme mjekësore.

Policia nuk kishte intervistuar asnjë person tjetër që do të konstatonte nëse ky person kishte probleme mjekësore, ndërsa, sipas dosjes, i dyshuari u dërgua në qendrën e mbajtjes pa u konsultuar me një psikiatër.

Brenda 48 orëve, sipas dosjes së hetimit, për të pandehurin ishte kërkuar masa e paraburgimit në Gjykatë.

I njëjti ishte paraburgosur për 30 ditë pa u sqaruar pretendimi se ai kishte probleme të natyrës psikike.

Mbrojtësi i viktimave ishte kontaktuar nga hetuesja e Policisë, por mbrojtësi kujdestar i kishte njoftuar se dalin vetëm për raste të natyrës emergjente, për shkak të pandemisë.

Hetimi i Prokurorisë

Dosja tregon që edhe në hetimet e zhvilluara nga Prokuroria pikëpyetjet rreth rastit nuk ishin mbyllur.

Dëshmitarët e identifikuar më parë janë injoruar edhe nga Prokuroria.

Të dhënat tregojnë se edhe përkundër faktit që në deklarimet e palëve të intervistuara përmendet prezenca e kunatës së të dëmtuarës gjatë incidentit, kjo e fundit nuk u ftua për intervistë.

Në dosje potencohet fakti se edhe në Prokurori nuk pati vullnet të konstatohet gjendja mendore e personit të dyshuar.

Në shkresat e lëndës figuron që përpos avokatit të të pandehurit kërkesë për ta ekzaminuar psikikisht të pandehurin kishin bërë edhe fëmijët e tij, përfshirë viktimën, mirëpo kjo ishte injoruar.

Prokuroria kishte filluar hetimet më 17 prill të vitit 2020, siç evidentohet në aktvendimin për fillim të hetimeve.

Me urdhër të Prokurorisë ishte kryer ekzaminimi mjekoligjor përmes të cilit ishin konstatuar lëndime të lehta trupore.

Ndërsa aktakuzën e kishte ngritur më 12 maj, më pak se një muaj nga data e incidentit, me ç’rast veprimet e të akuzuarit i ka kualifikuar si dhunë në familje, vepër penale e inkriminuar me nenin 248 të Kodit Penal.

Më 18 prill, avokati i të dyshuarit, i caktuar nga Gjykata, i kishte dorëzuar Gjykatës kërkesë për ekzaminimin psikiatrik të të mbrojturit të tij, ku të njëjtin e kishte cilësuar si agresiv.

Me këtë rast avokati kishte kërkuar nga Gjykata që ndaj të akuzuarit të shqiptohej sanksion më i butë dhe atë trajtim i detyrueshëm psikiatrik.

Por këtë kërkesë Gjykata e kishte refuzuar me arsyetimin se avokati nuk ka ofruar prova se i dyshuari vuan nga çrregullime mendore.

Një situatë të tillë e rregullon Kodi i Procedurës Penale në fuqi në kohën e trajtimit të kësaj lënde, me nenin 508.

Sipas këtij neni nëse në çdo kohë gjatë procedurës ekziston dyshimi se i pandehuri ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore ose në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore në kohën e kryerjes së veprës penale apo nëse ka ndonjë çrregullim mendor, gjykata sipas detyrës zyrtare ose me propozimin e prokurorit të shtetit apo të mbrojtësit, mund të caktojë ekspert për të kryer ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit për të konstatuar nëse:

– në kohën e kryerjes së veprës penale i pandehuri ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore ose aftësisë së zvogëluar mendore,

– i pandehuri është i paaftë për të përballuar gjykimin.

Në vazhdim, më 21 prill 2020, edhe fëmijët e të akuzuarit, pra e bija – viktima dhe vëllai i saj – dëshmitari, kishin dorëzuar parashtresë në Prokurori.

Përmbajtja e kësaj parashtrese ka qenë në lidhje me faktin se i ati i tyre nuk ishte në gjendje të mirë mendore dhe vuan nga çrregullime të natyrës së tillë.

Sipas dosjes, i akuzuari u kishte telefonuar fëmijëve të tij nga qendra e paraburgimit, duke u kërkuar falje dhe u kishte premtuar se nuk e përsërit më atë veprim.

Më 15 maj të atij viti, Gjykata ia kishte vazhduar paraburgimin të dyshuarit, masë e cila u zbatua deri në mbajtjen e seancës gjyqësore.

Procedura gjyqësore

Procesi gjyqësor në këtë rast kishte filluar dhe mbaruar shumë shpejt.

Sipas dosjes, fajin për veprën e cila i vihej në barrë e ka pranuar i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar, e cila është mbajtur më 21 maj.

Në të njëjtën ditë Gjykata ka marrë aktgjykimin dënues me të cilin e ka dënuar të akuzuarin me dënim minimal – burgim 3 muaj me kusht, dhe gjobë në shumën 330 euro.

Sipas Kodit Penal në fuqi në kohën e veprës, kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.

Po ashtu, në të njëjtën ditë gjykata ka ndërprerë paraburgimin pasi që ka vlerësuar se janë shuar kushtet ligjore për vazhdimin e kësaj mase.

Në matjen e dënimit Gjykata ka marrë si rrethanë lehtësuese faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, pendesën e shprehur, si dhe premtimin se veprën nuk do ta përsërisë më.

Kurse rrethana rënduese konstatohet se nuk ishin gjetur.

Dosja tregon se rrethanat rënduese nuk ishin identifikuar as nga Prokuroria, e cila gjatë trajtimit të rastit nuk i kishte prezantuar Gjykatës asnjë rrethanë rënduese, e cila do të kërkonte që i pandehuri të dënohet më ashpër për veprimin që e kishte bërë.

Të dhënat tregojnë që Prokuroria nuk ishte ankuar ndaj vendimit në fjalë, duke u pajtuar me dënimin e ulët.

Sipas veprimeve të tjera tregohet se personi në fjalë nuk kishte paguar as gjobën dhe për këtë arsye Gjykata i kishte zëvendësuar dënimin me gjobë në dënim me burgim.

Karshi ekzekutimit të këtij dënimi, më 24 shtator 2020, Gjykata i ka bërë kërkesë Shërbimit të ekzekutimit të sanksioneve penale që dënimi me gjobë të kthehet në dënim me burgim.

Sipas nenit 43 të Kodit Penal nëse personi i dënuar nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë gjobën, Gjykata mund të zëvendësojë dënimin me gjobë me dënim me burgim.

Kur dënimi me gjobë zëvendësohet me dënimin me burgim, njëzet (20) euro gjobë llogaritet barabartë me një (1) ditë burgim.