Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Dëshmitë se një ‘mal’ me prova u injoruan në rastin e Gjilanit

Një burrë nga Gjilani i akuzuar për dhunë ndaj gruas dhe vajzës, arriti të shpëtojë me vetëm një dënim me kusht dhe një pagesë prej 200 eurosh.

KALLXO.com ka analizuar dosjen dhe tërë rrjedhën e procesit hetimor e gjyqësor, i cili i mundësoi burrit të merrte dënimin e lehtë nga gjykata.

Disa dëshmitarë nuk u ftuan fare, ndërsa rrethana rënduese nuk u paraqitën  nga Prokuroria e Gjilanit në procesin gjyqësor.

E dhëna e parë problematike tregon se prokuroria e hetoi rastin më pak se 10 ditë, ndërsa gjatë hetimeve nuk mori asnjë dëshmitar në pyetje përpos deklaratave që palët i kishin dhënë në polici.

KALLXO.com zbulon se një pjesë të rëndësishme të kërcënimit kishin dëgjuar edhe policët që intervenuan në rast, mirëpo ata nuk u ftuan nga prokuroria për t’i argumentuar ato.

Çka ndodhi më 3 janar 2020? 

Ngjarja e 3 janarit e vitit 2020 kishte ndodhur në sy të pjesës më të madhe të familjes.

Burri ishte kthyer në shtëpi dhe kishte nisur një konflikt me gruan e në të cilin ndërhynë disa nga vajzat e tij. Njëra nga vajzat ishte përleshur me të atin, ndërsa sipas dosjes vajza tjetër u arratis tek fqinjët për të kërkuar ndihmën e policisë.

Konflikti kishte vazhduar edhe në sy të policëve, të cilët u bënë dëshmitarë të një kërcënimi serioz që i pandehuri e drejtoi ndaj gruas së tij.

“Veç kur dal dije ti nuk je në këtë dynja!” – i kishte thënë i pandehuri gruas së tij në prani të vajzave të tij, kur ishte arrestuar nga policia natën kritike.

Nuk ka evidencë se zyrtarët policorë që kishin ekzekutuar arrestimin ishin ftuar për të dëshmuar, për ta vërtetuar këtë kërcënim që kryerësi i kishte bërë gruas së tij kur ishte arrestuar.

Përpos mosintervistimit të policëve si dëshmitarë, analizimi i dosjes tregon se në listën e dëshmitarëve të ngjarjes nuk u vendos as fqiu i cili telefonoi policinë, e as njëra nga vajzat që ishte dëshmitare atë natë.

Gjithë këtë ngjarje e kishte parë dhe dëgjuar edhe njëra nga vajzat, e cila ishte 13-vjeçare, por e njëjta nuk është intervistuar nga organet e ndjekjes në praninë e një psikologu ose punonjësi të Qendrës për Punë Sociale.

Sipas Konventës së Stambollit e cila parasheh standardet e trajtimit të rasteve të dhunës në familje, ku vepra penale e dhunës kryhet në prani të fëmijës, prokuroria dhe gjykata  duhet ta marrin si rrethanë rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit.

Në mungesë të disa deklaratave të rëndësishme, prokuroria kishte vendosur të kryente hetimet e saj. Të dhënat tregojnë që aktakuza u ngrit vetëm bazuar në deklaratat në polici pa u intervistuar dëshmitarët dhe viktimat në prokurori.

Kështu e përshkruan ngjarjen kritike prokuroria në aktakuzën e saj.

“I pandehuri fillon ta ofendojë me fjalë të ulëta më pas e kërcënon se do ta mbys dhe e sulmon fizikisht me dorë në krah, më pas zihen mes vete, mirëpo ndërhyjnë vajzat e tyre për ta penguar mirëpo i pandehuri kthehet nga vajzat duke i ofenduar me fjalë të ulëta, ku T-në e sulmon fizikisht duke e goditur me shuplakë, e kërcënon me fjalë dhe e kap për fyti me ç’rast ajo për të shmangur sulmin merr një shishe të zbrazët me lëng dhe e godet në trup më pas e kap për fyti edhe L-në e cila arrin t’i shmanget dhe del jashtë shtëpisë duke kërkuar nga fqinjët që ta njoftojnë policinë me ç’rast si pasojë e veprimeve të dëmtuarit i pandehuri pos që ka cenuar rëndë dinjitetin e tyre u ka shkatuar frikë, dhembje, dhe shqetësim emocional” – thuhet në dosjen e prokurorisë.

Lidhur me këto veprime për të cilat dyshohej burri, policia kishte intervistuar natën kritike tri vajza të çiftit dhe vetë çiftin, ku nga  policia vajzat kishin kërkuar mbrojtje ngase ndiheshin të rrezikuara dhe filli i sjelljeve të të atit sipas tyre ishin problemet e tij që kishte në biznesin të cilin ai e kishte.

Në kallëzimin penal i dorëzuar prokurorisë tri ditë pas ngjarjes kritike, nga policia i pandehuri ka qenë i dyshuar për 2 vepra penale; Dhunë në familje dhe sulm.

Kanosjet që vajzat kishin pretenduar se babai i tyre i kishte bërë në momentin e arrestimit, nuk figurojnë në aktin akuzues, çka e bën akuzën të mangët dhe duke lënë fakte pa vërtetuar, të cilat ishin jo pak serioze.

Veprat e sulmit dhe të kanosjes nuk evidentohen në dosjen e prokurorisë në aktin akuzues i cili do të shtjellohet në vazhdim.

Sipas rrëfimit të njërës prej vajzave në polici, njëra nga motrat kishte arritur t’i shmanget sulmit të babait të saj duke dalë jashtë dhe duke kërkuar ndihmë nga fqinjët e saj për ta lajmëruar policinë.

Fqinjët, nuk ishin intervistuar nga policët, për të zbardhur të vërtetën që po pretendonin vajzat e çiftit.

SItuata është edhe më e rëndë kur lexohen deklaratat të cilat tregojnë se ngjarja ishte incizuar nga njëra prej vajzave, por në prokurori ky incizim nuk ishte përdorur si provë për të argumentuar ngjarjen.

Kurse, sipas njërës prej vajzave që ishte intervistuar, kishte thënë se nuk ishte hera e parë që babai i saj kërcënonte nënën dhe se ndihej në rrezik lidhur me atë se çka mund të ndodhte në vazhdim.

Lidhur me këto kërcënime që evidentohen nga njëra nga vajzat, nuk ka evidencë se policia ka ndërmarrë veprime hetimore të basitsjes me urdhër të prokurorisë për të parë nëse ushtruesi i dhunës kishte posedim arme.

Sipas gruas së tij, një armë ia kishte marrë policia vite më parë, kurse aktualisht nuk ka dijeni nëse burri i saj kishte armë, çka e bënte situatën edhe më serioze.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, të gjitha institucionet përfshirë këtu edhe policinë si pjesëmarrëse në procedurë penale ka detyrim që t’i vërtetojë saktësisht faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm.

Të dhënat nga dosja tregojnë se dhunë psikologjike ishte ushtruar edhe më herët, kurse ishte hera e parë që ishte ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarës – gruas së tij, por e njëjta nuk ishte ndjerë e kërcënuar nga i njëjti, sipas dojses gjyqësore të analizuar.

Kështu viktima i kishte thënë Zyrës për Mbrojtjes së Viktimave dhe Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, se nuk ka nevojë për marrjen e shërbimeve që ofrojnë këto institucione për mbrojtje apo për t’i ndihmuar dhe përfaqësuar në procedurë gjyqësore.

Por si duhet të veprojnë këto institucione në këto raste kur viktima deklarohet në këtë mënyrë?

Sipas Konventës së Stambollit për parandalimin e dhunës në familje, sigurimi i shërbimeve që ofrojnë këto insitucione, nuk varet nga gatishmëria e viktimës për të ngritur aktakuza ose për të dëshmuar kundër personit i cili ka kryer në këtë rast veprën penale të dhunës në familje.

“Sigurimi i shërbimeve nuk varet nga gatishmëria e viktimës për të ngritur akuza ose për të dëshmuar kundër një autori të një vepre penale” –  përshkruhet në kapitullin e IV-të  të kësaj konvente, kur flitet për mbrojtjen dhe mbështjetjen e viktimave të dhunës në familje.

Për këtë sistemi i drejtësisë kishte dështuar t’i ofronte mbrojtje gruas dhe dy vajzave  të cilat kishin qenë prezente në natën kritike, duke mos u përpjekur për ta zbardhur rastin në plotni, duke u mjaftuar me pranimin e fajësisë së kryerësit para gjykatës gati pas një viti, më 17 dhjetor të vitit 2020, dhe me disa raporte pesë rreshtash nga institucionet që do duhej të ofronin mbrojtje.

Kryerësi i dhunës i cili ishte liruar në procedurë të rregullt, ishte pyetur nga policia për plagët që i ishin shkakuar nga përplasja me të bijën, e cila për vetëmbrojtje nga sulmi i babait, e kishte goditur të njëjtin me shishe.

“A e din kush të ka goditë?”, “A ke nevojë për kontrollë mjekësore?” – ishin pyetjet që hetuesit policorë ia kishin bërë të pandehurit, duke ia bashkangjitur edhe fotografi të qafës së të njëjtit.

“A e din kush e ka goditë?”, “ A e ka goditë T-ja?” – e kishin pyetur policia gruan, lidhur me lëndimet që kishte pësuar i pandehuri.

Përveç fotove të lëndimeve që kishte marrë i pandehuri, në dosjen e analizuar vërehen edhe fotografi të dhomës së ndejës ku është zhvilluar përleshja mes tyre, ku vërehet rrëmuja e vendit të ngjarjes.

Gjykata e Gjilanit, gati një vit pas ngjarjes kritike e ka gjykuar këtë çështje duke shqiptuar dënim me kusht prej 60 ditësh burgim dhe gjobë në shumë prej 200 euro për biznesmenin e Gjilanit.

Procedura e arrestimit 

Kryerësi ishte arrestuar dhe pas marrjes në pyetje. I pandehuri ishte liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit, ku gjatë dëshmisë së tij ai e kishte mohuar që kishte ushtruar dhunë ndaj viktimave, ku vetë ishte paraqitur si viktimë. Provat e mëtutjeshme tregojnë se lirimi i tij kishte shkaktuar probleme në procesin e gjykimit.

Lënia e tij në liri do të bënte që i njëjti nuk do të paraqitej në seancë më 8 dhjetor, për çka edhe do të dështonte të mbahej gjykimi ndaj tij për shkak të mungesës. Mosgadishmëria për tu paraqitur në seancë nuk u përdor si rrethanë rënduese në gjykatë.

Këto institucione e njoftuan prokurorinë për përgjigjet e gruas dhe nuk u mor asnjë veprim nga të njëjtat.

Pas ndërmarrjes së këtyre veprimeve, intervistimeve, raporteve policore, prokuroria ngrit aktin akuzues 10 ditë pas ngjarjes kritike, më 13 janar të vitit 2020, duke propozuar të dëgjoheshin dëshmitarë edhe vajzat që kishin qenë natën kritike, e ishin përleshur me babain e tyre.

Por rrëfimin e tyre gjykata nuk pati mundësi ta dëgjojë, meqë  babai pranoi fajësinë dhe nuk u vazhdua me shqyrtim gjyqësor dhe administrim të provave.

Për më tepër, kur ishte deklaruar i pandehuri në procedurë, të dëmtuarat përfshirë nënën dhe 2 vajzat, ishin urdhëruar të largoheshin nga salla e gjykimit nga gjykatësi, e ishin kthyer prapë pasi deklarimi për pranim të fajësisë kishte mbaruar.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga askush në seancë, e gjykata ka vlerësuar se ky dënim me kusht do të arrijë qëllimin e tij dhe është në përputhje me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarit.

Pikërisht këtë pranim të fajësisë, gjykata e mori si rrethanë lehtësuese kur shqiptoi dënimin me kusht duke shtuar edhe pendesën e kryerësit dhe gjendjen “tepër të varfër” ekonomike.

Kurse, si rrethana rënduese gjykata gjeti vetëm dy; rrezikshmërinë shoqërore dhe shqetësimin emocional që i kishte shkaktuar gruas së tij e vajzave.

Këto të fundit nuk i ishin bashkangjitur ndjekjes penale.

Për veprën penale të përshkruar si më lart, prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të dhunës në familje, sipas Kodit Penal të nenit 248, dënueshmëria është me burgim deri në 3 vite dhe me gjobë, kur anëtari i familjes ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik, seksual ose ekonomik ndaj anëtarit tjetër të familjes së tij/saj.

Që nga ngjarja kritike në janar e deri në mbajtjen e seancës në shtator, kryefamiljarja deklaroi para gjykatës se nuk kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje, duke u mbyllur kështu kjo çështje me një dënim me kusht e gjobë për kryerësin e dhunës në familje.