(Arkiv) - Foto: kallxo.com
FFK dënon Dritën me katër ndeshje pa praninë e tifozëve
Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i shkallës së parë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka dënuar klubin e futbollit Drita me katër ndeshje pa praninë e shikuesve, si dhe 1 mijë e 500 euro gjobë për shkak të sjelljeve të tifozëve gjatë ndeshjes Drita – Prishtina, që është luajtur më 24.04.2024.
Në vendimin e Komisionit thuhet se pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e klubit Drita manifestuan sjellje të ashpra, josportive, të cilat dëmtojnë autoritetin sportiv të futbollit.
“Sjelljet e tyre duke u manifestuar me gjuajtje të gjësendeve të palejuara në drejtim të lojtarëve të klubit FC Prishtina, përafeërsisht rreth 25 shishe PVC, ashtu që tifozët e FC Dritës kalojnë rrethojat, duke depërtuar në fushë dhe konfrontuar drejtpërsëdrejti fizikisht me zyrtarët e klubit FC Drita” – thuhet ndër të tjera në vendim.
Pas ndeshjes, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, kishte sulmuar fizikisht kryetarin e tifozëve “Intelektualët”, Taulant Byqmeti.
Me 26.04.2024 Gjykata e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Gjilanit, që Zymberit dhe dy personave të tjerë t’u ndalohet t’i afrohen Byqmetit, si dhe detyrimin e paraqitjes në stacionin policor.
Gjykata vendos për të dyshuarit për sulmin fizik ndaj kryetarit të tifozëve ‘Intelektualët’