ILUSTRIM - Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com
'Plumbi i parë për ty', si dështuan Policia e Prokuroria në hetime?
Një hulumtim i KALLXO.com zbulon dështimin sistematik të organeve të ndjekjes për të hetuar një kërcënim serioz ndaj një gruaje në Gjakovë.
Analiza është bërë duke trajtuar dosjen e lëndës nga faza e denoncimit e deri në vendimin final.
Rasti i analizuar ka ndodhur në fillimet e pandemisë COVID-19.
E tërë ngjarja ishte zhvilluar në Gjakovë. Burri sipas dosjes e kishte kërcënuar me vrasje gruan.
“Veç mos të nxafsha se kam me të vra, plumbin e parë kam me ta jap ty e pastaj të tjerëve”, ishin fjalët të cilat burri nga Gjakova ia drejtori ish-gruas së tij. Për këtë kërcënim serioz personi, një recidivist i veprave penale u dënua nga gjykata me vetëm 120 ditë burgim, ani pse kërcënimet e tilla dënohen disa herë më rëndë sipas Kodit Penal.
Analizimi i dosjes së dhunës tregon përpjekjet minimale të Prokurorisë për të zbardhur rastin e kanosjes me jetë mes ish-bashkëshortëve.
Në dosjen e arkivuar shpërfaqet se personi kishte të kaluar kriminale dhe ai ishte përballur disa herë me ligjin.
Nga e kaluara e tij kriminale rezulton se ndaj tij janë marrë katër aktgjykime të plotfuqishme – që të gjitha kanë të bëjnë me lëndim të lehtë trupor.
Njëra prej të cilave raste ka subjekt viktime gruan e njëjtë si në dosjen e analizuar.
Kurse i dyshuar figuron të jetë për dhunë në familje në dy instanca si dhe për keqtrajtim dhe braktisje të fëmiut.
I njëjti rezulton të mos i jetë bindur gjykatës në të shkuarën, gjë e cila evidentohet me urdhër arrestin e lëshuar ndaj tij lidhur me një rast të dhunës në familje.
Përsëritja e veprave penale është rrethanë që ligji e parasheh të rëndojë dënimin, mirëpo këtë Prokuroria nuk e pa të arsyeshme që ta përmend në gjykim.
Fillimisht vepra penale ka qenë e kualifikuar si kanosje lidhur me veprën penale të dhunës në familje.
Mirëpo, në seancën e vetme gjyqësore që është mbajtur prokurori ka bërë rikualifikimin e veprës me ç’rast tërësisht ka larguar pjesën e dhunës në familje,
Kështu, duke lënë si vepër penale vetëm kanosjen edhe pse vepra ka ndodhur në mes të dy ish-bashkëshortëve.
Në këtë pikë analiza konstaton se prokurori ka shmangur komplet ligjin për dhunë në familje i cili e përfshinë dhunën në familje edhe në rastet kur ajo ndodhë nga personat e divorcuar.
Përveç kësaj në të njëjtin ligj thuhet se nën këtë ombrellë përfshihen edhe personat që kanë fëmijë të përbashkët, që në këtë rast subjektet kanë plot tre fëmijë së bashku.
Nga kjo mund të konkludohet se viktima dhe kryerësi i dosjes së analizuar konsiderohen subjekte të dhunës në familje, sipas ligjit për dhunë në familje.
Këtë ndryshim në kualifikim, sipas dosjes, prokurori e ka bazuar në një udhëzim të Gjykatës Supreme i cili rezulton të jetë ai i 11 qershorit të vitit 2020.
Sipas faqes së parë të këtij udhëzimi, kualifikimi i veprave në situata të tilla duhet të bëhet sipas veprës bazë, në rast se përmbushen elementet për një vepër bazë, që në këtë rast është Kanosja.
Pra, udhëzimi në fjalë e ka për qëllim filtrimin e veprave të cilat e marrin cilësimin e dhunës në familje.
Mirëpo, nëse udhëzimi lexohet deri në fund, konkretisht në faqen e tetë, shihet se në rastet ku vepra është kryer me qëllim të dhunës psikologjike ndaj viktimës, kualifikimi duhet të bëhet si dhunë në familje. E që në aktakuzën e dosjes së analizuar ekspresivisht thuhet se ish-bashkëshorti ka shkaktuar keqtrajtim psikologjik përmes kanosjes.
Mangësitë në hetim dhe prova
Në dosje thuhet se në prill të vitit 2020 viktima kishte shkuar në Polici për të raportuar rastin e kanosjes nga ish-bashkëshorti i saj.
Me rastin e intervistimit të viktimës nga Policia reflektohet një tendencë për të deleguar fajin nga kryerësi në viktimën e kanosjes.
“Pse i keni çu kërkesë për shoqërim dhe keni komunikuar me të?”, ishte njëra prej tre pyetjeve që Policia i parashtroi viktimës me qëllim të zbardhjes së rastit.
Pra, Policia e ka pyetur gruan e kanosur se pse ka shoqëri në rrjetin social “Facebook” me burrin i cili është babai i tre fëmijëve të saj.
Ndërkaq, Policia edhe burrit i kishin parashtruar vetëm tre pyetje, një prej të cilave ishte se a kishin pasur mosmarrëveshje të mëparshme.
Në Polici kryerësi i dhunës kishte deklaruar se nuk e ka kërcënuar viktimën por vetëm i kishte kërkuar të kthehet me të.
Hetimet filluan një ditë pasi ka ndodhur rasti siç evidentohet me aktvendimin për fillim të hetimeve të datës 9 prill të vitit 2020.
Fakti se kanosja ishte bërë nën kërcënimin e armës nuk ishte indicie e mjaftueshme për organet hetimore që të bëhej bastisja e shtëpisë së burrit për të vërtetuar se a ka në posedim armën me të cilën kishte kanosur të vriste.
Ndërkaq, në raportin e Policisë shkruhet se i pandehuri nuk posedon armë edhe pse nuk është bërë as edhe një lloj kontrolli për të arritur deri në këtë konkludim.
Mangësitë në procedurën e intervistimit për zbardhjen e këtij rasti nuk e gjetën fundin në Polici.
Prokurori i rastit nuk i parashtroi më shumë se tre pyetje të akuzuarit, e të cilat janë të njëjtat me pyetjet e parashtruara në Polici.
Kurse viktimën, prokurori nuk e mori mundin as ta ftonte për intervistë, kështu duke krijuar pasqyrën e ngjarjes duke u bazuar vetëm në versionin e palës së akuzuar.
Të dhënat tregojnë që nuk pati asnjë person tjetër të intervistuar në këtë rast.
Me këto hetime ishte ngritur edhe aktakuza më datë 21 prill. Edhe pse viktima në Polici kishte deklaruar se i posedon të gjitha bisedat në të cilat ishte kanosur nga ish-bashkëshorti i saj, këto nuk figurojnë askund në dosjen e lëndës si pjesë e provave. Në këtë rrethanë analizimi tregon se Policia dhe Prokuroria nuk morën asnjë veprim për t`i siguruar provat dhe për t`i përdorur ato në Gjykatë.
Procedura gjyqësore
Lidhur me rastin është mbajtur vetëm një seancë gjyqësore më datë 15 korrik të vitit 2020.
Në të njëjtën seancë nuk ka qenë prezente viktima, për të cilën Gjykata nuk ka provë se është në dijeni për seancë edhe pse ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt.
Në dosje figuron se seanca e tillë është mbajtur e hapur për publikun, ani pse ligji e parasheh që seancat e tilla të mbahen të mbyllura për publikun.
Kjo bie në kundërshtim me praktikën gjyqësore por edhe Kodin e Procedurës Penale i cili me nenin 289 thotë se ‘parashihet përjashtimi i publikut kur është në interes mbrojtja e jetës familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve tjerë në procedurë’.
Gjatë kësaj seance kryerësi i dhunës e pranoi fajin si dhe ka shprehur keqardhje dhe ka deklaruar se në atë moment ka qenë i dehur dhe i nervozuar.
Në provat e lëndës nuk ka asnjë dëshmi se personit i ishte bërë testi i alkoolit në momentin kur ishte arrestuar. Këtë pranim të fajësisë nuk e kundërshtoi as prokurori as mbrojtësi i viktimave i cili kishte qenë prezent në gjykim.
Kodi Penal e parasheh se si rrethanë rënduese të merret edhe nëse viktima është posaçërisht e mbrojtur apo e ndjeshme.
Po ky ligj viktimën e ndjeshme e përkufizon si “person marrëdhënia apo varësia e të cilit ndaj kryesit e bën atë veçanërisht të ndjeshëm ndaj viktimizimit të përsëritur, frikësimit të përsëritur apo hakmarrjes së përsëritur”.
Në këtë rast, nuk është hera e parë që viktima ka qenë e viktimizuar nga ish-bashkëshorti i saj.
Edhe pse rrethanë e përmendur në udhëzimin e cituar nga vetë prokurori, ai nuk e propozoi këtë si rrethanë rënduese, e madje nuk kishte propozuar asnjë rrethanë rënduese.
Po atë ditë çështja gjeti epilog me rastin e shpalljes së aktgjykimit me të cilin kryerësi u dënua me 120 ditë apo afër 4 muaj burgim efektiv.
Fakti se kryerësi është i martuar me një grua tjetër me të cilën ka fëmijë dhe se i njëjti është i pashkolluar u morën nga Gjykata si rrethana lehtësuese mbështetur në të cilat zbutet dënimi.
Në Kodin Penal në fuqi analfabetizmi dhe statusi martesor nuk parashihen si rrethana lehtësuese.
Kurse si rrethanë rënduese ka gjetur faktin se i njëjti ka qenë i dënuar më parë dhe se vepra është kryer në marrëdhënie familjare.
Prokuroria rezulton të jetë plotësisht e kënaqur me këtë dënim.
Kjo evidentohet jo vetëm në faktin se nuk ka parashtruar ankesë në gjykatë të shkallës së dytë, por në përgjigjen kundrejt ankesës së mbrojtjes e ka cilësuar dënimin si “të matur dhe në harmoni me peshën e veprës”.
Sipas Kodit Penal, kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër se do ta privojë nga jeta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.