Foto: REL

Aksidenti me fatalitet në Suharekë, 30 ditë paraburgim për të dyshuarën

Gjykata Themelore e Prizrenit, Dega në Suharekë, i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarës për aksidentin nga i cili vdiqën dy persona.

Aksidenti ka ndodhur mes një motoçiklete dhe një veture më 28.04.2024 në Shirokë të Suharekës.

Zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj, ka konfirmuar se vendimi për paraburgim është marrë sot nga gjyqtari Qemail Suka.

“Më 30 prill 2024,  ka marrë AKTVENDIM, është aprovuar kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurës M.G., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën  penale: rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 par 9 (nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave) lidhur me par. 6 (nëse vepra penale kryhet nga pakujdesia) dhe 1 të KP-së” – thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Gjyqtari ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

“Andaj është plotësuar kushti ligjor për caktimin e paraburgimit duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe ndjeshmërinë e rastit konkret, ku dy persona kanë humbur jetë, andaj masa e paraburgimit është edhe masë preventive për të siguruar prezencën e të pandehurës në procedurën e saj dhe për zhvillimin të papenguar të procedurës hetimore” – thuhet më tej.

Dy persona që gjendeshin në motoçikletë kanë vdekur pas përplasjes me një veturë. Aksidenti tragjik ka ndodhur në Shirokë të Suharekës pasditen e datës 28.04.2024.