Ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiq - Foto: KALLXO.com

Ish-kryetari i Kllokotit tenton ta sulmojë kryetarin aktual

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com një incident mes ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit Sreçko Spasiq dhe kryetarit aktual Bozhidar Dejanoviq.

Burime të KALLXO.com tregojnë se ish-kryetari ka tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin aktual.

Sipas këtyre burimeve, ish-kryetari Spasiq, i cili është i dënuar me kusht, si dhe një person tjetër, i kanë dalë me veturë përpara kryetarit Dejanoviq disa metra larg objektit të Komunës dhe porsa kryetari ka hipur në veturën e tij zyrtare i është bllokuar rruga me veturë nga Spasiq.

Sipas këtyre burimeve, Spasiq dhe personi që ishte me të kanë dalë nga vetura dhe kanë tentuar ta sulmojnë kryetarin Dejanoviq, duke tentuar ta hapin derën e makinës, ta thejnë xhamin dhe ta nxjerrin kryetarin aktual.

Rasti thuhet se ka ndodhur dy ditë më parë, rreth orës 23:00, teksa kryetari Dejanoviq po dilte nga zyra e tij ku ende ishte duke punuar.

Incidentin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Gjilanit.

“Po, Policia e Kosovës e ka marrë informatën për rastin. Personat janë intervistuar për rastin. Është njoftuar edhe kryeprokurori i shtetit dhe rasti është iniciuar si sulm dhe rasti shkon në procedurë të rregullt në gjykatë”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani.

Ndryshe, ish-kryetari i Kllokotit, Sreçko Spasiq në tetor 2016 është dënuar me dhjetë muaj burg me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

http://kallxo.com/denohet-kusht-kryetari-kllokotit/

Sipas vendimit të Gjykatës, Spasiq nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm nëse nuk dëshiron që ta vuajë dënimin.