Aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Kllokotit për ‘Cenim të përcaktimit të lirë të votuesve’
Prokuroria Speciale Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, S.M., për veprën penale – Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve.
Prokuroria Speciale njofton se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri S.M. në bashkëkryerje me të dënuarin B.D., ish-kryetarin e Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq dhe persona të tjerë, kanë kanosur seriozisht qytetarët e nacionalitetit serb të Komunës së Kllokotit, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor.
Sipas njoftimit, kjo ka ndodhur gjatë periudhës kohore të zgjedhjeve parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Të njëjtët, u kanë kërkuar qytetarëve që të votojnë për subjektet e caktuar politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna, ashtu që i dënuari B.D. në cilësinë e Kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik ‘’Lista Serbe’’, kurse i pandehuri S.M. në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota për subjektin politik me numër 129 ‘’ Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq’’.
Çështja ka kaluar në kompetencë të gjykatës për procedurë të mëtutjeshme, kurse gjatë kësaj faze të procedurës i pandehuri mbrohet në liri, theksohet në njoftim.