Sasha Mirkoviq. Foto nga arkivi
Supremja liron nga akuza ish-kryetarin e Kllokotit, akuzohej për keqpërdorim të rreth 30 mijë eurove
Sasha Mirkoviq, ish-kryetar i komunës së Kllokotit sw bashku me Zeqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq, me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ata akuzoheshin se duke keqpërdorur pozitat e tyre kanë dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej 29 mijë e 330 euro.
Mirkoviq, në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit ka qenë i akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e tij, pasi e ka ditur se inventari i destinuar për objektin e komunës nuk ka arritur në objekt të komunës, dhe në mënyrë kundërligjore ka formuar komisionin komunal për pranim të atij inventari.
Ish-kryetari akuzohej se i kishte tubuar anëtarët e komisionit dhe i kishte detyruar të hartojnë një raport kinse inventari ka arritur në Komunë.
Aktakuza që kishte siguruar asokohe KALLXO.com tregonte se Selimi, Pira dhe Steviq kishin hartuar këtë raport, ndonëse e kishin ditur se porosia e njëjtë nuk kishte arritur fare.
Mirëpo, nga 6 marsi i këtij viti, katër të akuzuarit janë liruar nga kjo akuzë, pasi sipas Gjykatës Supreme të njëjtit me këto veprime të paligjshme nuk e kanë lënë pas dore interesin publik, për interesat e tyre personale.
“Përkundrazi, ata përpiluan një procesverbal që nuk përkonte me realitetin, duke pas parasysh interesin e publikut të kësaj komune të re, që mjetet e alokuara të mos ktheheshin në buxhetin e Kosovës” – thuhet në aktgjykimin e supremes.
Në këtë aktgjykim është thënë se Supremja pas shqyrtimit të pretendimeve në kërkesat që janë parashtruar nga të akuzuarit, ka vlerësuar se në rastin në fjalë me të drejtë është pretenduar se është shkelur ligji penal në dëm të të dënuarve.
Gjykata ka thënë në vendim se nga provat e administruara ka dalë se në vitin 2010 Komuna e Kllokotit ka fituar një grand nga Unioni Evropian për ndërtimin e objektit të kësaj komune të re.
Pas kësaj, sipas aktgjykimit, nëpërmjet procesit të tenderimit, tenderin e ka fituar një kompani kroate e cila ka lidhur kontratë me donatorin, ku afati për ndërtimin e objektit ka qenë deri më 12 korrik 2012.
Tutje tregohet se me qëllim të kompletimit të objektit, Komunës së Kllokotit, nga Ministria e Pushteti Lokal të Republikës së Kosovës i janë alokuar mjete për inventar, në shumë prej 30 mijë euro.
“Pas marrjes së këtyre mjeteve, Komuna ka shpallë tender për inventarizimin e objektit, e cila ishte në ndërtim e sipër ndërsa tenderin e ka fituar kompania “M.”, me pronar E.A., ku edhe kanë lidhur kontratë i kanë përcaktuar detyrimet dhe afate e përmbushjes së kontratës” – thuhet në aktgjykim.
Në aktgjykim tregohet se në mes Unionit Evropian dhe ndërtuesit, kompanisë kroate, ishte iniciuar një kontest gjyqësor dhe punët kishin ngel ta papërfunduara, pra kishte qenë vetëm ndërtimi i vrazhdë.
Supremja arsyetimin e saj më pas e vazhdon duke thënë se nga komuna ishte përpiluar procesverbali se është pranuar inventari, ndonëse diçka e tillë nuk kishte ndodhur, pasi kishte qenë fundi i viti buxhetor dhe mjetet duhej shfrytëzoheshin sipas destinimit.
Në rast se nuk do të ndërmerreshin këto veprime, sipas supremes, mjetet e alokuara do të ktheheshin në buxhetin e Kosovës, prandaj edhe i pandehuri S.M., si kryetar komune i kishte mbledhur komisionin kompetent dhe aty kishin përpiluar procesverbalin.
Madje, supremja shton edhe një arsye tjetër, ku thotë se inventari nuk ishte pranuar akoma nga kompani, për arsye se objekti i komunës nuk kishte përfunduar dhe nuk kishin ku ta sistemojnë atë.
Po ashtu, sipas Supremes veprimet e të akuzuarve ishin marr me qëllim që të shmangen procedurat për rimarrjen e mjeteve që veç se kishin qenë të alokuara.
Tutje në aktgjykimin e supremes është thënë se sipas vlerësimit të tyre, veprimet e të pandehurve – zyrtarë të komunës, duke përfshirë edhe kryetarin, ishin veprime të paligjshme, për faktin se po e legjitimonin një gjendje që nuk ishte e tillë, pra që nuk i kishin shpenzuar mjetet.
Mirëpo, tutje supremja thotë se jo çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare, nënkupton edhe veprën penale.
I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Elbasan Alidema, i cili ishte thënë se ka keqpërdorur pozitën e tij duke qenë pronar i kompanisë “M.”, edhe pse nuk e ka dërguar fare inventarin në komunë ka përpiluar faturë kinse në tërësi është përmbushur kontrata.
Aktakuza që kishte siguruar atëkohë KALLXO.com kishte sqaruar se Ministria e Pushtetit Lokal tani të akuzuarit Alidema i paguan shumën prej 29 mijë e 330 euro.
Në anën tjetër, Supremja edhe Alidemën e ka liruar nga akuza nën arsyetimin se ai fare nuk e kishte statusin e personit zyrtar, por i njëjti kryen punë private personale të tija.
Supremja ka thënë se ai vetëm ka përmbushur detyrimet nga kontrata dhe sipas tyre është e fare pa rëndësishme, fakti se ai e ka nënshkruar një dëshmi për dorëzimin e inventarit të porositur nga Komuna e Kllokotit.
Alidema, sipas Supremes me kohë i kishte kryer punët nga kontrata dhe duhej ta dorëzonte atë inventar, mirëpo inventari nuk merrej nga komuna.
Tenderi për inventar e uli në bankën e të akuzuarit ish-kryetarin e komunës së Kllokotit