Gjykata i jep vrejtje gjyqësore gjyshit që sulmoi Rrahman Jasharajn

Gjykata e Prishtinës e gjeti fajtor Musli Rexhepin për veprën penale cenim i të drejtës në grevë.

Gjykata sot pas fjalës përfundimtare, mori vendim dënues dhe i shqiptoi 82 vjeçarit si dënim vërejtje gjyqësore.

Musli Rexhepi po akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale – cenim i të drejtës në grevë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, që është gjyshi i një nxënëse të një shkolle në Prishtinë, po akuzohet se me qëllim të pengimit të grevës në mënyrë të paligjshme, e ka kanosur kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“O plak, po na i lë fëmijët pa shkollë, kam me të vra”- ishin fjalët që ai po dyshohet se i ka thënë në drejtim të Rrahman Jasharajt.

Dosja e prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com thotë se i pandehuri ka tentuar ta sulmoj të pandehurin, por që ishte ndaluar nga të pranishmit.

Sipas Prokurorisë, me këto fjalë, i dyshuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë tek i dëmtuari, në këtë rast tek Rrahman Jasharaj.

Për këtë akuzë të prokurorisë ai ishte deklaruar i pafajshëm në seancën dëgjimore për paraburgimin e kërkuar nga prokuroria.

 

Zbulohet dosja e Prokurorisë – Çka i tha gjyshi Rrahman Jasharajt?