Si t’i parandaloni alergjitë në ditët e pranverës?

Pranvera po vjen, por në trupin tonë ndodhin ndryshime si: Lodhje, dhembje koke, apati, gjendje dobësie, mungesë oreksi apo çdo gjë që fillon me rilindjen e stinës si alergjitë e ndryshme .

Ndryshimet stinore ndikojnë në ritmin biologjik të organizmit të njeriut. Ato shoqërohen me rritje të temperaturave, zgjatjen e ditës dhe ndryshimin e mënyrës së të ushqyerit. Trupit të njeriut i duhet kohë për t’u përshtatur me këto ndryshime. Kjo është arsyeja pse njerëzit ankohen shpesh për lodhje të tepruar, këputje, mungesë përqendrimi.

Cilët persona janë më të atakuar nga këto ndryshime?

Shenjat e mësipërme janë më të theksuara në persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, organizmi i të cilëve jo gjithnjë i përballon aq lehtë. Në fakt, kjo shihet si një periudhë tranzicioni me të cilën i gjithë organizmi i njeriut bën përpjekje për t’u ambientuar me stinën që vjen.

Sistemi që preket më shumë është ai kardiovaskular dhe sistemi respiratorë. Incidencën më të madhe për t’u prekur e kanë ata që vuajnë nga zemra dhe hipertensioni si dhe alergjitë me theks alergjitë sezonale. Mekanizmi është shumë i thjeshtë, pasi të gjithë e dinë se nga të ftohtit trupi i njeriut tkurret. Për pasojë dhe enët e gjakut. Duke pasur një seksion më të ngushtë në vazat e gjakut, ndodh rritja e tensionit mbi vlerën normale. Aty ku vazat e trurit ose të zemrës janë të ngushtuara ose të dobëta ndodhin infarktet. Po ashtu, duke u rritur tensioni, vazat e gjakut çahen.

Këshilla për personat që vuajnë nga sëmundje të sistemi kardiovaskular

Personat që vuajnë nga sëmundje të sistemit kardiovaskular këshillohet të bëjnë një vizitë që në fillim të stinës tek mjeku familjarë apo edhe kardiologu ku bëjnë ndërhyrje në kuptim të dhënies së këshillave apo edhe korrigjim te dozës së  medikamenteve gjatë kësaj periudhe. Më tej, në muajin qershor, kur fillon edhe vapa për të kaluar në stinën e verës, bëhet ulja e dozës së ilaçeve që rrisin vazat e gjakut .

Depresioni

Depresioni është një tjetër sëmundje që agravon gjatë dimrit dhe mund të ketë pasoja edhe në stinën pasardhëse. Depresioni apo paradepresioni dhe gjendjet e ankthit rëndohen shumë gjatë dimrit për dy arsye. Në dimër shtohen orët  gjatë natës dhe ulen ato ditore.  Kjo është arsyeja që për një njeri me depresion, në dimër agravohet gjendja e tij”. Kjo është ana e mirë e ardhjes së pranverës, e cila sjell një rritje të orëve të ditës dhe rritje të substancës që ngre humorin tek individët. Kalimi i periudhës së dimrit për në pranverë sjell një periudhë tranzicioni dhe ndryshimi në humorin e njeriut. Mjeku këshillon të kihet kujdes në moskalimin e depresionit me mënyra individuale. Pacientët duhet të drejtohen medoemos tek mjeku familjarë. Shumë pak prej tyre e bëjnë një gjë të tillë. Zakonisht ata marrin benzodiazitina apo qetësues  deri tek larguesit e ankthit. Individë të tillë bëhen shumë të varur ndaj tyre”. Nëse jeni me depresion, mos lejoni që ai t’ju përfshijë të tërin. Këshillohet dalja nga shtëpia, shoqërimi me njerëz apo gjetja e një hobi. E këshillueshme është psikoterapia.

Pranvera vjen me alergjitë ndaj pluhurit

Ardhja e stinës së pranverës shënon edhe fillimin e sëmundjeve alergjike. Nuk janë të paktë ata që rrinë me shami në dorë për të përballuar alergjitë e stinës. “Fillon poleni i disa luleve, i cili sjell lindjen e disa sëmundjeve alergjike, të cilat duhet të marrin mjekim si të gjitha sëmundjet e tjera”. Nuk janë të paktë njerëzit që preken nga alergjitë e ndryshme që në fillim të marsit. Njerëzit alergjikë ndaj pluhurit dhe polenit të luleve, me ardhjen e pranverës e dinë pandërprerë  që do t’i lotojnë sytë, do t’i skuqen dhe do t’i kruhen qerpikët, tërë ditën do të teshtijnë. As dhjetëra facoleta nuk do të mjaftonin për të ndalur sëmundjen. Ne mjekët familjare rekomandojmë  mjete mjekësore, siç janë antihistaminikët, pikat për hundë, akupunktura, hemopatia apo hiposensibiliacioni (futja e alergjenit në mënyrë që në trup të krijohen antitrupat).

Lëkura, shqetësimet tjera lëkurore që sjell stina e pranverës

Lëkura e njeriut tregon gjendjen e shëndetit, ushqimin dhe stilin e jetës që bën secili. Grupi i sëmundjeve të lëkurës është një tjetër shqetësim që vjen si pasojë e ndryshimit të stinëve.

Këshilla të përgjithshme mbi alergjitë sezonale pranverore :

Në momentin që shfaqen simptomat e një alergjie respiratore, fillimisht duhet shkuar te mjeku familjarë  apo specialisti për të vendosur saktë diagnozën dhe për të identifikuar alergjenin (ose alergjenët) ndaj të cilëve ju jeni të ndjeshëm, në mënyrë që të përcaktohet saktë terapia dhe masat e nevojshme parandaluese përpara fillimit të stinës së poleneve (pranverës). Si mënyrë parandaluese mund të sugjerohet klima detare, pasi në këto vende përqendrimi atmosferik i poleneve është relativisht i ulët.

Për individët të cilët janë të diagnostikuar me një formë alergjie po japim disa këshilla.

Gjatë periudhës së poleneve evitoni:

  • Daljet në orët e përqendrimit më të madh të poleneve në atmosferë, duke preferuar më shumë daljet në mëngjes dhe në darkë vonë
  • Rrugët me trafik dhe mjediset e gjelbra.
  • Shëtitjet nëpër lëndina, sidomos nëse ka erë.
  • Dritaret e hapura kur udhëtoni me makinë.
  • Aktivitetet në natyrë në orët e drekës, sidomos në ditët me diell dhe me erë.

Gjithashtu:

  • Merrni frymë me hundë pasi në këtë mënyrë filtrohet ajri që në hyrje, ose mbani një maskë kundër pluhurit.
  • Lani flokët sa më shpesh pasi polenet që ndodhen në ajër mund të kalojnë në flokë dhe më pas të depozitohen në jastëk gjatë gjumit.

Bimët janë përgjegjëse për alergjitë ndaj poleneve, dhe alergjitë janë të ndryshme pasi ne kemi një shumëllojshmëri bimësh. Edhe pse bimët alergjike janë të përhapura më shumë në zonat rurale sesa në ato urbane, polenet prekin më shumë njerëzit që jetojnë në qendrat e qyteteve, aty ku trafiku i makinave është shumë i madh. Vëzhgimet kanë treguar se efekti i alergjenëve të çliruar nga polenet vjen duke u rritur nga ndërveprimi me ndotësit e ajrit dhe ndotësit që nxjerrin makinat.

Mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë

Të shmanget kontakti me lëndët apo substancat alergjike, por në rastin e alergjive stinore, të cilat janë kryesisht nga polenet, është e vështirë të evitohet kontakti, pasi kjo kërkon qëndrimin larg ambienteve të hapura në periudhën e përhapjes apo migrimit të poleneve, mbajtjen mbyllur të dritareve, përdorimin e filtrave të ajrit, etj. Simptomat mund të zbuten nëpërmjet marrjes së medikamenteve të rekomanduara gjithmonë nga mjeku.

Këshilla e mjekut

Rekomandohen vizita të rregullta shëndetësore tek mjeku I familjes krahas tyre dhe analiza adekuate në favor të parandalimit , diagnostifikimit dhe trajtimit adekuat të këtyre problemeve shëndetësore.

Për ta kontaktuar doktorin ndiqni këtë link https://www.facebook.com/avicenaks

Lexoni edhe: