VIDEO - Dënimi i komandantit ‘Molla e Kuqe’, pala e dëmtuar kërkon dënim më të lartë

Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e kuqe”, u dënua me 9 vjet e gjashtë muaj burg për përfshirjen e tij në privimin nga liria të Haxhi Përteshit në vitin 1998.

Pas një rigjykimi, Gjykata e shkallës së parë në Prizren, e shpalli përsëri fajtor dhe e dënoi ish-pjesëtarin e UÇK-së nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile.

E lidhur me këtë dënim përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha, tha se janë të kënaqur që i njëjti është gjetur fajtor nga gjykata por jo edhe me lartësinë e dënimit.

“Për herë të dytë në gjykatë, u vërtetu fajësia e të akuzuarit, gjë që palën e dëmtuar e kënaq me vendimin në fjalë por jo edhe ne raport me dënimin e shqiptuar, mendoj që dënimi i shqiptuar ka pas arsye bazë dhe rrethana posaçërisht rënduese që e kanë përcjellë çështjen edhe gjatë kryerjes së veprës penale edhe pas kryerjes së veprës penale edhe gjatë këtij gjykimi që të shqiptohet një dënim më i lartë”- tha avokati Asdren Hoxha.

I njëjti tha se do të paraqesë ankesë lidhur me lartësinë e dënimit, duke kërkuar që i njëjti dënim të jetë më i lartë.

“Kështu si përfaqësues i palës së dëmtuar paralajmërojmë ankesë sa i përket lartësisë së sanksionit penal duke kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që këtë dënim ta rris përkatësisht ta ashpërsoj” – tha avokati Hoxha.

Aktakuza thoshte se Shala në qershor të ’98 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, kishin shkuar në shtëpinë e Haxhi Përteshit, duke dyshuar se ai bashkëpunonte me forcat serbe. Ata e morën Përteshin dhe e mbajtën të mbyllur në një vend të paidentifikuar. Më 1 korrik të atij viti, trupi i pajetë i Përteshit u gjet në afërsi të rrugës pranë qendrës së fshatit Duhël.

Gjykata obligoi gjithashtu të akuzuarin që të paguajë shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të kompensimit të viktimave.

Gjatë procesit, Shala ka mohuar akuzat e Prokurorisë duke thënë se ai ka luftuar kundër ushtrisë dhe policisë serbe dhe gjatë luftës nuk ka pasur detyra të ndalojnë ose të intervistojnë ndonjë shqiptar apo serb.

Mbrotja e tij, ka pretenduar se me asnjë provë të vetme nuk është provuar se Shala ka qenë personi i cili ka urdhëruar ose ka zbatuar ndonjë urdhër për ta ‘privuar nga liria’ të njderin Haxhi Përteshi siç thuhet në aktakuzë. E po ashtu me asnjë provë nuk është sqaruar fakti se a akuzohet për veprime në drejtim të dhënies së urdhrit apo për zbatimit të ndonjë urdhri.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin sipas ligjit.

Remzi Shala akuzohet se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të ’98 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimeve se ai bashkëpunonte me forcat serbe kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin.

Në aktakuzë përshkruhet se tek dyert e oborrit e kanë thirrur emrin e tij dhe pasi dëshmitari Agron Përteshi, djali i viktimës i përgjigjet thirrjes dhe i fton të hynë, të njëjtit kanë hyrë në oborrin e shtëpisë ku i pandehuri i cili u printe dhe ishte i vetmi pa maskë në fytyrë ka kërkuar të takohet me viktimën Haxhi Përteshi i cili ishte brenda në shtëpi.

Tutje thuhet se pas njoftimit nga Agroni, del në oborr ku i pandehuri e pyet: ‘A je ti Haxhia?’, pas përgjigjes: ‘Po, unë jam” e pas një bisede të shkurtë, i pandehuri kërkon nga ai që të shkoj me ta se: ‘dëshirojmë me pas një bisedë më të gjatë me ju”. Kur i dëmtuari i thotë: ‘po, vetëm t’i marr cigaret” i pandehuri i thotë: ‘hajde se i kemi të gjitha’.

Sipas Prokurorisë, pasi kanë dalë nga dyert e oborrit, të dëmtuarin e kanë kap nga duart duke vazhduar në këmbë në drejtim të Lagjes së Çatanëve dhe pas disa çastesh i dëmtuari Agron Përteshi i sheh dritat e automjetit që nga Lagjja e Çatanëve kanë lëvizur në Grajçevc.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël” – thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Me këtë Remzi Shala akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 te LPJ-së lidhur me nenin 3(1.a) te Konvetës së IV të Gjenevës e dënueshme sipas nenit 152 parag.1 dhe2 lidhur me nenin 31 te KP-së.

Remzi Shala është dënuar me 14 vjet burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vjet burgim. Megjithatë, këto vendime u anuluan nga Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar për gjykimin për krime lufte që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin janë dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Për më shumë informacione dhe detaje lidhur me këtë rast, ju lutemi lexoni artikujt e tjerë në LINK.