Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

QKUK planifikon ndërtimin e Qendrës për Djegie

Kosova ende nuk e ka një qendër në të cilën do mund të trajtoheshin në mënyrë të posaçme pacientët të cilët pësojnë djegie. Tek këtë vit ka nisur të zhvillohet ideja që brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të ndërtohet një qendër e tillë. Sipas planit, kjo qendër do të përfshihej në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive.

Me ndërtimin e kësaj qendre do të ulej mbingarkesa në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive e cila trajton pacientët e djegur dhe të njëjtit do të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme.

Deri tani, trajtimi i pacientëve me djegie, sipas drejtoreshës së Klinikës, Violeta Zatriqi, nuk është adekuat për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe hapësirës së nevojshme. Zatriqi tha se kjo qendër do të mundësonte trajtim të shpejtë, të saktë, bashkëkohor dhe të dinjitetshëm për pacientët që pësojnë djegie.

Për të ilustruar arsyet pse duhet ndërtuar kjo qendër, Zatriqi shtroi disa pyetje: “Sa kushton jeta e një njeriu?”, “Sa i kushton buxhetit të Kosovës transferimi i pacientit për trajtim jashtë Kosovës?”, “Sa është kostoja e ditëve të qëndrimit të pacientit në spital për t’u trajtuar?” dhe “Sa është etik/njerëzor trajtimi i improvizuar i pacientëve të djegur në mungesë të Qendrës për Djegie?”.

Ndërtimi i kësaj qendre, sipas drejtoreshës do të ndikonte në zvogëlimin e vdekshmërisë së pacientëve, zvogëlimin e listës së pritjes për operim për pacientët e tjerë në klinikë, kursimin e buxhetit të shtetit dhe familjeve duke mos referuar jashtë vendit.

Ajo po ashtu tha se kjo do të ishte qendër referente edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat nuk kanë një qendër të tillë, dhe Kosova do të përfitonte nga fondet e sigurimeve të këtyre shteteve.

Sipas saj, trajtimi i një pacienti jashtë vendit kushton 100 deri në 150 mijë euro, plus transporti që ajo tha se kushton 50 deri në 70 mijë euro.

299 është mesatarja e djegieve në vit, sipas të dhënave që ajo paraqiti. Zatriqi kujtoi disa prej djegieve që shkaktuan më së shumti pasoja, duke përmendur djegien e 13 personave në Kqiq në vitin 2024, 13 personave në Ferizaj në 2021, 10 fëmijëve në vitin 2007, 20 personave në Drenicë në 2006 e të tjera.

Zatriqi tha se ky projekt është një dëshirë e kahmotshme e stafit të Kirurgjisë Plastike dhe pati kritika që kjo çështje nuk është prioritizuar edhe më parë.

Duke vënë në tavolinë edhe skenarët më të këqij, ajo hipotetikisht pyeti se në mungesë të kësaj qendre çfarë veprimesh do të merrnin institucionet shëndetësore nëse do të ndodhte ndonjë incident në KEK, Trepçë apo amvisëri.

Struktura e kësaj qendreje, siç u prezantua nga drejtoresha përbëhet nga 20 shtretër, prej të cilave 6 për fëmijë, 12 për të rritur, 2 dhoma të veçanta si dhe 6 shtretër për mjekim intensiv, 2 salla operative, 2 lidhtore, laboratori, dhe hapësira për krijimin e lëkurës artificiale të quajtur skin-banka.

Ajo tha se stafi dhe pajisjet do të jenë të njëjta me ato të Kirurgjisë Plastike, mirëpo duhen edhe punësime dhe pajisje të reja më të sofistikuara.

“Duhen 15 kirurgë plastikë për Qendrën e Djegies, ne jemi 13 kirurgë dhe kemi 9 specializantë. 22 kirurgë do të ofrojnë shërbime në të dy njësitë” – tha Zatriqi.

Ajo nuk dha një shifër për koston e objektit sepse varet nga madhësia e objektit, por tha se çmimi justifikohet duke marrë parasysh koston e jetës së njeriut dhe të trajtimit jashtë vendit.

Drejtoresha Zatriqi këtë projekt e prezantoi para Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), më 02.05.2024.

Bordi vendosi me 6 vota për krijimin e shërbimit të ri për pacientët me djegie, që do të fillonte pas ndërtimit të objektit.

Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi, tha se ky vendim është privilegj për bordin, i cili kishte diskutuar nevojën për ndërtimin e Qendrës për Djegie edhe në mbledhje të kaluara.

Ai kërkoi që të krijohet një grup punues në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë që raportit të prezantuar t’i shtohet plani i veprimit e baza ligjore. Ai po ashtu tha se duhet të krijohen udhërrëfyesit dhe protokollet klinike për shërbimet që do të ofroheshin.

Bardiqi përmendi se ka qenë fat që Turqia ka trajtuar falas disa prej pacientëve që kanë pësuar djegie falë një marrëveshjeje mes dy shteteve.

Bordi i SHSKUK-së është organi më i lartë drejtues i institucionit dhe përbëhet nga Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Enver Gashi – drejtor financiar dhe Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor, e cila mungoi në këtë mbledhje që u mbajt më 02.05.2024.

Ndërkaq, kryesuesi i bordit Naim Bardiqi në këtë mbledhje dha dorëheqje nga pjesëmarrja në bord, pas përfundimit të mandatit të tij 1-vjeçar si kryesues.