A mund të jemi alergjik ndaj ujit?
Derisa uji në dukje është një substancë e padëmshme për shumicën prej nesh, për disa persona është një burim i madh shqetësimi. Urtikaria nga uji, është një gjendje e rrallë që karakterizohet me paraqitjen e urtikave, skuqjeve në lëkurë në kontakt me ujin, pavarësisht nga temperatura e tij, duke përfshirë djersën dhe lotët.
Këto ndryshime urtikariale zakonisht shfaqen brenda 20-30 minutave pas kontaktit me ujë dhe mund të përcillen me kruarje, djegie dhe ndjesi të shpimeve të pakëndshme. Ndryshimet janë të vogla (afërsisht 1-3 mm) me skaje të definuara qartë. Më së shpeshti paraqiten në qafë, në pjesën e sipërme të trupit dhe në krahë, megjithëse mund të shfaqen kudo në trup, madje dhe në zonat që nuk janë në kontakt me ujin. Rrallëherë, pacienti mund të përjetojë simptomë sistemike me fishkëllima në gjoks dhe frymë nxënie.
Shumica e rasteve të urtikaries nga uji, ndodhin në mënyrë sporadike tek personat pa histori familjare. Megjithatë, janë raportuar raste familjare, disa prej të cilave të ndërlidhura me gjendje të tjera shëndetësore potencialisht të trashëguara.
Diagnoza bazohet në historinë e pacientit dhe duhet të konfirmohet nga testi pozitiv i provokimit me ujë.
Meqenëse është e pamundur të shmanget plotësisht uji, trajtimi synon të parandalojë ose minimizojë simptomat e shkaktuara nga kontakti me ujin. Trajtimi kryesor është marrja e përditshme e antihistaminikëve. Për disa pacientë, simptomat nuk mund të kontrollohen në mënyrë adekuate me antihistaminikë dhe mund të kenë nevojë për ndërhyrje të mëtejshme për të pasur kontroll adekuat simptomatik. Aplikimi i emulsioneve me përmbajtje vaji dhe kremave që përmbajnë vazelinë para ekspozimit ndaj ujit është treguar mjaft efektiv.
Pacientët me urtikarie nga uji mund të vuajnë nga stresi psikologjik për shkak të frikës nga uji. Kruarja e zgjatur rezulton në dëmtime të lëkurës, që pastaj mund të infektohen në mënyrë dytësore. Pacientët këshillohen të kufizojnë kontaktin me ujë, sa më shumë të jetë e mundur, të bëjnë dushe të rralla dhe të shkurtëra, të kenë veshje komode, të kenë kujdes në ndryshimet e motit.
Ne vitin 2005, Dr. Valbona ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ne vitin 2015 përfundoi Specializimin për Alergologji dhe Imunologji Klinike. Në vitin 2020 mori titullin Doktor i Shkencave Mjekësore në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodij” në Shkup.
Për ta kontaktuar doktoreshën ndiqni këtë link https://www.facebook.com/avicenaks
Lexoni edhe :
- Temperatura tek fëmijët rreziqet dhe shkaktarët
- Si ta trajtojmë daljen e dhëmbëve tek fëmijët
- Kur duhet të kryhet analiza e Hemogramit?