Kur duhet të kryhet analiza e Hemogramit

Njëra prej analizave laboratorike që më së shpeshti e kërkojnë mjekët është Hemogrami, që ndryshe njihet edhe si “numërim i plotë i gjakut” ose në gjuhën popullore edhe si “pasqyra e gjakut”.

Kjo analizë kërkohet shpesh meqë duke i parë rezultatet e “numërimit të plotë të gjakut” mund të marrin sinjalet e para për shumë sëmundje. Kjo analizë e shpejtë ju mundëson që ju të merrni informacione për gjendjen e tuaj trupore.

Analiza laboratorike “Hemogrami” apo siç njihet ndryshe edhe numërimi i plotë i gjakut është një grup testesh që përcaktojnë:

  • numri i leukociteve dhe formula e leukociteve
  • numri i eritrociteve
  • numri i trombociteve
  • përqendrimi i hemoglobinës
  • hematokriti (përfaqëson raportin e qelizave të gjakut me plazmën e gjakut)
  • indekset e eritrociteve: madhësia mesatare e eritrociteve (MCV), hemoglobina mesatare në eritrocite (MCH), përqendrimi mesatar i hemoglobinës në eritrocite (MCHC)

Secila prej tyre tregon gjendjen shëndetësore të një pacienti dhe rrjedhimisht u mundësojnë mjekëve diagnostikimin e  sëmundjeve.

Çfarë është formula leukocitare?

Formula leukocitare përfaqëson totalin dhe përqindjen e pesë llojeve kryesore të leukociteve: neutrofilet (granulocitet neutrofile), limfocitet, monocitet, eozinofile (granulocitet eozinofile) dhe bazofile (granulocitet bazofile) dhe tregohet gjithmonë me numrin total të leukociteve.

Si dhe ne hemogramin gjashtë diferencial detektohen edhe format e papjekura të leukociteve që janë në qarkullim përmes IG-s. Nëse IG-ja del e lartë na tregon çrregullimet që janë prezente në lozën leukocitare.

Kur rekomandohet analiza laboratorike për numërimin e plotë të gjakut (me formulë leukocitare)?

Numërimi i plotë i gjakut përdoret për të përcaktuar shëndetin e përgjithshëm, për të kontrolluar, diagnostikuar dhe monitoruar një sërë sëmundjesh që prekin disa ose të gjithë elementët e numërimit të gjakut, si infeksionet, inflamacionet, anemia, çrregullimet e koagulimit dhe sëmundjet malinje.

Numërimi i plotë i gjakut (me formulën e leukociteve) përcaktohet nga njerëz që kryejnë ekzaminime rutinë mjekësore, njerëz që kanë shenja dhe simptoma të sëmundjeve që prekin elementët e qelizave të gjakut, njerëz që marrin terapi që dihet se ndikon në parametrat e numërimit të gjakut (kimioterapi ose radioterapi) dhe si pjesë e përgatitjes para operacionit ose procedurave të tjera invazive.

Formula leukocitare dhe leukocitet totale janë pjesë përbërëse e numërimit të plotë të gjakut dhe synojnë diagnostifikimin dhe monitorimin e terapisë për infeksionet, gjendjet inflamatore, sëmundjet që prekin sistemin imunitar.

Eritrocitet, hemoglobina, hematokriti dhe indekset e eritrociteve janë pjesë integrale e numërimit të plotë të gjakut dhe synohen në diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve ose gjendjeve të eritrociteve (anemi ose policitemi) për të vlerësuar ashpërsinë e këtyre gjendjeve dhe për të monitoruar përgjigjen ndaj terapisë.

Trombocitet janë një pjesë integrale e numërimit të plotë të gjakut dhe synohen në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve ose gjendjeve që prekin trombocitet (çrregullime të gjakderdhjes, sëmundje të palcës së eshtrave ose sëmundje të tjera).

Analiza kryhet duke marrë një mostër gjaku. Tek të rriturit gjaku merret në vena ndërsa tek fëmijët gjaku mund të merret edhe në gisht.

Kur rekomandohet të kryhet analiza – Për shkak se është analizë e cila nuk ndikohet nga dietat ushqimore mostra mund të merret në çdo kohë dhe rezultatet janë të shpejta.

Dr. Merita Raci- Qyqalla është Specialiste e Biokimisë Klinike

Për ta kontaktuar doktoreshën ndiqeni këtë link

https://www.facebook.com/avicenaks