Si të kujdesemi për shtypjen e lartë të gjakut?
Hipertensioni ose shtypja e lartë e gjakut është një sëmundje në të cilën shtypja e gjakut ka nivele të larta dhe permanente mbi arteriet.
Presioni i gjakut është forca e shtypjes që ushtron gjaku kundër mureve të arterieve. Kur kjo forcë është shumë e lartë, zemrës i duhet të punojë më shumë. Kjo mund të shkaktojë dëmtime serioze në arterie.
Me kalimin kohës, presioni i lartë i gjakut i pakontrolluar, e bën më të lartë mundësinë që të vuani nga një sëmundje e zemrës, goditje në tru apo sëmundje e veshkave, sepse hipertensioni arterial i quajtur ndryshe “vrasës i heshtur” nuk shoqërohet gjithmonë me simptoma dhe përbën një nga shkaqet madhore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë kardiovaskulare.
Vlerat optimale të TA janë nën 120/80 mmHg. Vlerat normale janë 120-129 mmHg për shtypjen sistolike dhe 80-84 mmHg për shtypjen diastolike. Tension arterial normal i lartë konsiderohet me vlerat për shtypjen sistolike 130-139 mmHg, kurse për atë diastolike 85-89 mmHg.
Cilat janë simptomat e hipertensionit?
Simptomat më të shpeshta të HTA janë: kokëdhembja, marramendja, ushtima në vesh, dhembje gjoksi, frymëzënia, pengesa të të pamurit.
Cila është kategoria e personave që janë të prekur më shumë nga hipertensioni ?
Deri në moshën 45 vjeçare, meshkujt kanë më shumë mundësi të kenë shtypje të lartë të gjakut sesa femrat. Gjërat barazohen me moshën. Në moshën 65 vjeç e sipër është më e zakonshme te femrat. Gjithashtu është shumë e përhapur në mesin e njerëzve me diabet mellit (sëmundje të sheqerit).Por në shumicën e rasteve, shkaku nuk dihet. Ndonjëherë, sëmundjet e veshkave ose të gjëndrës mbiveshkore mund ta shkaktojnë hipertension arterial.
Si diagnostikohet hipertensioni?
Hipertensioni diagnostikohet nëpërmjet anamnezës së sëmundjes duke përfshirë anamnezën familjare, ekzaminimin fizik( matjet e shtypjes së gjakut) analizave laboratorike dhe ekzaminimeve tjera diagnostike (EKG,Holter TA 24 orësh, rtg të mushkërive dhe zemrës, ekokardiografi, fundus oculi, ultrasonografia e abdomenit, CT të trurit, etj.)
Si shkaktohet hipertensioni?
Hipertensioni arterial mund të jetë primar (parësor) ose sekondar (dytësor). Primar apo esencial është me etiologji të panjohur. Arsyet për zhvillimin e tij nuk janë të qarta. Predispozita trashëgimore po ashtu mund të jetë shkaktar i hipertensionit.
Sa i përket hipertensionit sekondar shkaktarët e mundshëm janë: sëmundjet e parenkimës së veshkës, hipertensioni renovaskular, koarktacioni i aortës, feokromocitoma, aldosteroizmi primar, sindroma Cushing, sëmundjet e gjëndrës tiroide, akromegalia, shtatzënia, përdorimi I kontraceptivëve, konsumimi i tepërt i kripës , alkoolit, stresi,etj.
Trajtimi i hipertensionit?
Trajtimi i hipertensionit mund të jetë: medikamentoz dhe jomedikamentoz.
Medikamentoz nënkupton përdorimin e medikamenteve të grupeve të ndryshme si: diuretikët, ACE-inhibitorët, beta-bllokatorët, antagonistët e kanaleve të Ca, antagonistët e receptorëve të angiotensinës II si dhe preparate të tjera të vijës së dytë që ende gjejnë përdorim si rezerpina, metildopa, hidralazina, dihidralazina.
Këto medikamente mund të përdoren si monoterapi d.mth. si terapi e vetme, por edhe si kombinim i medikamenteve të grupeve të ndryshme mes veti.
Sa i përket trajtimit jomedikamentoz nënkupton ndryshimin e stilit të jetesës: zvogëlimi i konsumit të kripës, zvogëlimi i peshës trupore, eliminimi i alkoolit, aktiviteti fizik, dieta me shumë pemë dhe perime.
Mjekimi i hipertensionit- a duhet të bëhet eko e zemrës?
Patjetër se po, sidomos në kontrollën e parë tek kardiologu. Ekokardiografia është një prej metodave diagnostike joinvazive që përdoret në ekzaminimin e hipertensionit arterial. Me anë të ekokardiografisë mund të maten diametrat e kaviteteve të zemrës,enëve të mëdha të gjakut, trashësia e valvulave, mureve dhe septumit. Po ashtu mund të vlerësohet kinetika-lëkundjet e mureve të zemrës gjatë punës së saj.
Pse është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun kardiolog ?
Meqë hipertension është vrasës i heshtur dhe nëse nuk mjekohet me kohë mund të dëmtojë në heshtje zemrën, mushkëritë, enët e gjakut, trurin dhe veshkat, atëherë është më se e nevojshme konsulta me kardiologun me qëllim të diagnostikimit, parandalimit dhe mjekimit sa më të hershëm të hipertensionit arterial.
Ne vitin 2002 Dr. Fisnik, diplomoi nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe në vitin 2001 përfundoi praktikën në Kujdesin Primar dhe Terciar në Shkollën e Mjekësisë Dartmouth dhe Qendrën e Mjekësisë Dartmouth – Hitchcock, Hanover, New Hampshire (USA). Me pas në vitin 2005, ai mori titullin Specialist i Mjekësisë Interne – Kardiologji ne Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2008 përfundoi Seminarin Salzburg Weill Corner ne Kardiologji ne Salzburg, Austri.
Për ta kontaktuar doktorin ndiqni këtë link https://www.facebook.com/avicenaks
Lexoni edhe:
- A mund të jemi alergjik ndaj të ftohtit?
- A mund të jemi alergjik ndaj ujit?
- Temperatura tek fëmijët rreziqet dhe shkaktarët
- Si ta trajtojmë daljen e dhëmbëve tek fëmijët
- Kur duhet të kryhet analiza e Hemogramit?
- Cka është CRP dhe kur duhet të testohemi?
- Pasojat që i lë temperatura e lartë tek fëmijët
- Si ta trajtojmë daljen e dhëmbëve tek foshnjat
- Cilat janë rreziqet nga Diabeti Mellitus Tip 2?
- Cilat janë simptomat dhe problemet që i shkakton sëmundja e Tiroiditi Hashimoto?
- Si trajtohet kolli tek fëmijët?
- Cilat janë shkaqet e kapsllëkut te fëmijët?
- Si realizohet në Kosovë ‘tumor markeri” analiza që i shfaqë sinjalet e para të kancerit