Foto: Arlinda Mehmeti-KALLXO.com

Foto: Arlinda Mehmeti-KALLXO.com

Gjykimi për krime lufte ndaj komandant 'Molla e kuqe' drejt fundit

Gjykimi i filluar rreth katër vjet më parë ndaj ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala i erdhi fundi.

Në seancën e zhvilluar të premten në Gjykatën e Prizrenit, u dha fjala përfundimtare në çështjen ku Shala, akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile.

Para trupit gjykues Remzi Shala u deklarua i pafajshëm, kurse mbrojtja ka kërkuar që në mungesë të provave për ekzistimin e veprës dhe përgjegjësisë penale, të merret vendim lirues në rastin e Shalës.

Blerim Mazreku, avokat i të akuzuarit, ka vlerësuar se pavarësisht rekomandimeve të Gjykatës Supreme dhe dëshmive të dëshmitarëve dhe provave të paraqitura, nuk është provuar se Shala ka kryer veprën penale me të cilat e ngarkon Prokuroria Speciale.

“Me asnjë provë të vetme nuk është provuar se i mbrojturi im ka qenë personi i cili ka urdhëruar ose ka zbatuar ndonjë urdhër për ta ‘privuar nga liria’ të njderin Haxhi Përteshi siç pretendohet në aktakuzë. E po ashtu me asnjë provë nuk është sqaruar fakti se a akuzohet për veprime në drejtim të dhënies së urdhërit apo për zabtim të ndonjë urdhëri”- ka deklaruar avokati Mazreku.

Në lidhje me pozitën ushtarake, avokati ka sqaruar se, nga dokumenti për shërbim në UÇK të vitit 2007, vërtetohet se Remzi Shala ka qenë vetëm ushtar në Njësinë ‘Brigada 60 e SHP’.

“Cili pjesëtarë i UÇK-së do ta pranonte një certifikatë të thjeshtë në rast se në kohën e luftës ka pasur pozitë udhëheqëse veçanërisht pozitën e komandantit? Cili ushtar që ka rrezikuar jetën dhe familjen e tij do ta pranonte të nënçmohej dhe t’i jepej certifikata e cila do të nënçmonte vlerën e tij në luftë?”- tha avokati Blerim Mazreku.

Avokati vuri në dukje se gjykata po ashtu duhet të verifikojë nëse është zbatuar urdhëri, nëse është tejkaluar urdhëri dhe nëse ka pasur mundësi për zbatuesin e urdhërit të mos e kryejë atë.

“Pa u sqaruar dhe vërtetuar me prova këto çështje kontestuese, nuk mund të shpallet fajtor një i akuzuar për një veprë penale, e cila është një nga veprat më të rënda”- shtoi ai.

Mbrojtësi Mazreku gjithashtu pretendoi se Prokuroria Speciale ka ndërmarrë dy herë përpjekje për të ndryshuar aktakuzën duke shtuar fjalën “e kanë marrë peng”.

“Sot kemi një dispozitiv komplet kontradiktor mes vete, ku nga privimi i mbrojturi im akuzohet për marrje në peng… dispozitivi do të mund të plotësohet nëse do të dilte ndonjë provë, por jo vetëm t’i vështirësohej pozita e një të akuzuari”- tha Mazreku.

Avokati vuri në dukje se aktakuza nuk duhet të kundërshtojë dispozitivin.

“Nëse e analizojmë me kujdes, kemi një kundërshti në dispozitivin e aktakuzës. Në njërën anë, Prokuroria thekson se i ndjeri ka dhënë pëlqim, ndërsa në të njëjtën kohë pretendon se ai është marrë kundër vullnetit të tij”- tha avokati Blerim Mazreku.

Sa i përket dëshmitarëve të dëgjuar në këtë proces, avokati pretendoi se ato nuk kishin relevancë për të mbrojturit dhe se shpesh herë kishin pasur kontradikta në deklaratat e tyre, duke mos përmbushur udhëzimet e Gjykatës Supreme për të shmangur të metat.

Edhe Remzi Shala u vetëdeklarua i pafajshëm.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale dhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Zenel Përteshi, avokati Asdren Hoxha, fjalën përfundimtare e kanë dhënë më 7 qershor të këtij viti ku kanë kërkuar dënimin e të akuzuarit.

Gjykatësja e rastit, Raima Elezi, e mbylli shqyrtimin gjyqësor. Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 27 qershor 2023.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të ’98 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimeve se ai bashkëpunonte me forcat serbe kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin.

Në aktakuzë përshkruhet se tek dyert e oborrit e kanë thirrur emrin e tij dhe pasi dëshmitari Agron Përteshi, djali i viktimës i përgjigjet thirrjes dhe i fton të hynë, të njëjtit kanë hyrë në oborrin e shtëpisë ku i pandehuri i cili u printe dhe ishte i vetmi pa maskë në fytyrë ka kërkuar të takohet me viktimën Haxhi Përteshi i cili ishte brenda në shtëpi.

Tutje thuhet se pas njoftimit nga Agroni, del në oborr ku i pandehuri e pyet: ‘A je ti Haxhia?’, pas përgjigjes: ‘Po, unë jam” e pas një bisede të shkurtë, i pandehuri kërkon nga ai që të shkoj me ta se: ‘dëshirojmë me pas një bisedë më të gjatë me ju”. Kur i dëmtuari i thotë: ‘po, vetëm t’i marr cigaret” i pandehuri i thotë: ‘hajde se i kemi të gjitha’.

Sipas Prokurorisë, pasi kanë dalë nga dyert e oborrit, të dëmtuarin e kanë kap nga duart duke vazhduar në këmbë në drejtim të Lagjes së Çatanëve dhe pas disa çastesh i dëmtuari Agron Përteshi i sheh dritat e automjetit që nga Lagjja e Çatanëve kanë lëvizur në Grajçevc.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël” – thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Me këtë Remzi Shala akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 te LPJ-së lidhur me nenin 3(1.a) te Konvetës së IV të Gjenevës e dënueshme sipas nenit 152 parag.1 dhe2 lidhur me nenin 31 te KP-së.

Remzi Shala është dënuar me 14 vjet burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vjet burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në pikën zero.

KALLXO.com ka raportuar për gjykimin për krime lufte që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin janë dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në LINK.