Si ta trajtojmë daljen e dhëmbëve tek foshnjat

Në vitin e parë të lindjes foshnjat përballen me shqetësimet të cilat i shkakton dalja e dhëmbëve.

Dhëmbët e parë apo siç njihen dhëmbët e qumështit nisin të zhvillohen qysh në barkun e nënës, ndërsa procesi i rritjes së tyre vazhdon në ditët e para lindjes.

Sfida kryesore për dhëmbët është momenti kur ata dalin nga nofulla.

Ky proces zakonisht nisë kur foshnja të mbushë 7 muaj, por ka raste kur procesi nisë edhe në momentet kur fëmija i ka 2 ose 3 muaj. Të dhënat tregojnë që në raste të rralla procesi nisë pas muajit të shtatë dhe vonesa nuk duhet të paraqes shqetësim për fëmijët.

Statistikat tregojnë që dhëmbi i parë i del foshnjës në mes muajit të pestë dhe të shtatë dhe ky proces e ndihmon atë të përtypë dhe të nisë me shqiptimin e fjalëve.

Procesi i daljes së dhëmbëve nisë me dy dhëmbët e parë të nofullës së poshtme, pastaj dhëmbët e mesit të nofullës së lartë, pastaj dhëmbët anash tyre, fillimisht poshtë dhe pastaj prapë lart.

Për sa ju përket dhëmbëve molarë duhet të prisni që fëmija të shkojë 14-18 muajsh, dhe pas muajit të 18-të shfaqen edhe dhëmbët kaninë të parë.

Procesi i daljes së dhëmbëve të qumështit përfundon në mes muajve 24 dhe 30 kompletohet goja e fëmijës me dhëmbë. Duke qenë se fëmijët nuk janë të njëjtë, tek disa mund të dalin në fillim dhëmbët e sipërm, dhe në këtë rast nuk duhet të shqetësoheni. Gjithsej dhëmbët e qumështit janë 20.

Procesi daljes së dhëmbëve përpos kruajtjeve dhe dhimbjeve zakonisht shoqërohet me pëlcitjen e enëve të gjaku në mish. Kjo shkakton nganjëherë mavijosje dhe gjakderdhje të shkurtër, mirëpo ky proces është normal dhe nuk duhet t`i shqetësoj prindërit.

Shenjat më të zakonshme së daljes të dhëmbëve tek bebet janë:

– Kafshimi
Foshnja kafshon çdo gjë që i zë dora, që nga duart e tij, gjirin që e ushqen, gishtin e ndonjë të panjohuri, sepse kjo lehtëson dhimbjen dhe presionin që ushtron dhëmbi në mishrat e dhëmbëve.
– Dhimbja
Të dhënat tregojnë që ka foshnja që këtë proces e kalojnë me shumë dhimbje dhe ka të tjerë që nuk përjetojnë asnjë lloj dhimbje.
– Irritimi
Dhimbja e vazhdueshme bën që foshnja të ndryshojë në sjellje të jetë më e nervozuar dhe më e irrituar. Sjelljet janë të ngjashme me një foshnje të sëmurë me dhimbje të vazhdueshme.
– Mospranimi i ushqimit
Në javët kur nisë procesi i daljes së dhëmbëve foshnja duket i uritur. Për shkak të dhimbjes dhe ndjenjës jo të mirë ai shkëputet nga gjiri apo shishja me nervozizëm. Kjo gjë përsëritet gjithë kohën dhe bebi gjithë kohën do të ushqehet, por më pas nuk pranon, situatë e cila e streson jashtë mase.
– Jashtëqitja e ujshme
Të dhënat tregojnë që foshnjat që janë në procesin e daljes së dhëmbëve mund të kenë bark-qitje.  Ky proces mund të shkaktohet nga sasia më e madhe e pështymës që prodhohet dhe gëlltitet. Por nëse bebi del hollë për më shumë se dy herë, duhet të konsultoheni me mjekun pediatër.
– Temperatura 37-38 gradë
Temperatura është një sindromë tjetër e daljes së dhëmbëve. Të dhënat tregojnë që dalja e dhëmbëve shoqërohet me temperaturë subfebrile, si rezultat i përskuqjes në vendin e daljes të dhëmbit. Konsultohuni me pediatrin nëse temperatura vazhdon për më shumë se 3 ditë.
– Çrregullimet e gjumit

Për shkak të dhimbjeve dhe çrregullimeve gjatë procesit shpesh nga dhimbja e dhëmbëve fëmijës i trazohet edhe gjumi.
– Fryrja e mishrave të dhëmbëve

Gjatë procesit të daljes së dhëmbëve në nofullën e fëmijëve mund të shfaqen edhe të ënjtura dhe fryrje. Këshillohen që në këto zona të vendosen faculeta ose kompresa të ftohta për të ulur ënjten dhe pakënaqësinë që fëmija ndien.
– Duan të përtypen gjithë kohën
Për të menaxhuar dhimbjen fëmijët adoptojnë mënyrat e tyre. Disa prej tyre për të pakësuar dhimbjen ushtrojnë presion mbi mishrat e dhëmbëve duke përtypur gjëra të forta. Për këtë mund të jepen banane të ngrira, akull i futur në një napë, lodra plastike, etj. Edhe thjesht një fërkim i mishrave dhe me të ai lehtëson dhimbjen. Gjithashtu edhe një fetë molle e ftohtë, mund të ketë efekt qetësues, nëse e vëmë mbi zonën e acaruar për pak minuta.

Fëmijët në këtë kohë po ashtu janë të prirë të pinë lëngje të ftohta dhe të ushqehen me gjëra të ftohta.

Nëse situata është e pakontrollueshme atëherë në konsultim me mjekun mund të përdorni Paracetamol. Ai është medikamenti i vetëm që qetëson dhimbjet e daljes së dhëmbëve. Gjithashtu mund të përdorni edhe medikamente lokale me efekt qetësues të cilat mund të aplikohen tek xhinxhivat e fëmijës. Gjithmonë përdorimi i medikamenteve duhet të kryhet me këshillën e mjekut.

Nuk duhet në asnjë mënyrë të fërkoni xhinxhivat me anën e alkoolit apo substancave të tjera të cilat mund të jenë helmuese për fëmijën, por mund t’i fërkoni ato me anën e gishtit tuaj i cili duhet të lahet më parë. Një tjetër zgjidhje do të ishte edhe diçka e ftohtë (për shembull një lodër plastike e posaçme, një ushqim apo pije e ftohtë). Mos harroni që në këtë periudhë ta mbani fëmijën sa më pranë vetes por pa e ekzagjeruar. Nëse gjatë gjumit ai qan, prisni për të parë nëse ka nevojë të ndërhyni apo do të vetëqetësohet brenda pak sekondave (mund të ndodhë që fëmija të qajë në gjumë dhe të pushojë për pak sekonda).

E dimë se gjatë dhimbjes së dhëmbëve, fëmijët përjetojnë temperaturë. Për të zbuluar shkaktarin dhe natyrën e temperaturës janë të shpeshtë por për t`i zbuluar ata rekomandohen këto analiza:

Hemogram
 CRP
 ESR (Sendimentacioni)
 Analiza e urineës
 Urinokultura
 Strisho e fytit & hundës

Lexoni edhe

Temperatura tek fëmijët, rreziqet dhe shkaktarët

Dr. Shqipe Kabashi përfundoi Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2017 mori titullin Specialiste e Pediatrisë në QKUK. Përveç kësaj, ajo është e certifikuar për echo të abdomenit.

Dr. Kabashi aktualisht punon në Klinikën e Pediatrisë në Repartin e Gastroenterologjisë Pediatrike. Për ta kontaktuar doktoreshën ndiqni këtë link

https://wwww.facebook.com/avicenaks