Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Drejtori i Anesteziologjisë: Anesteziologët po tregojnë shenja të “burnout”

Numri i anesteziologëve në Qendrën Klinike Universitare ka rënë në 49 nga 64 sa ishin në vitin 2019, përderisa drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija, thotë se për të plotësuar nevojat duhet të jenë më shumë se dyfishi.

Kjo gjendje ka ndikuar në lodhje të tepërt të anesteziologëve të punësuar që në anglisht njihet si “burnout”.

“Burnout” është një gjendje lodhjeje fizike, emocionale dhe mendore e shkaktuar nga stresi i zgjatur ose puna e tepërt, që mund të çojë në punë joefektive.

“Sipas kalkulimeve të kolegjiumit na duhen rreth 115 për me mujtë me i mbulu krejt nevojat. Jemi në limite të punës. Kemi shenja të “burnout” që janë evidente, ku kolegët shpesh kanë probleme, që ne po duhet me i kuptu. Mirëpo çdo kuptim i joni për pacientin shkakton telashe” – tha Spahija gjatë raportimit të tij para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) më 23.03.2024.

Ikja më e madhe e anesteziologëve, sipas tij, u shënua në vitin 2022, me largimin e 11 prej tyre, pensionimin e njërit e vdekjen e një tjetrit.

Mungesa e anesteziologëve është problem disavjeçar që konsiderohet të jetë problem kombëtar.

Kjo çështje ka ndikuar edhe në numrin e ulët të operacioneve. Drejtorët e klinikave kirurgjike numrin e ulët të operacioneve e kanë arsyetuar edhe me mungesën e anesteziologëve.

Në këtë Klinikë janë edhe 30 specializantë që po kryejnë specializimin, prej 44 sa ishin pranuar.

Spahija tha se 4 prej tyre nuk ishin paraqitur kurrë, e 10 kanë dalë jashtë vendit, ndërsa ata që kanë vazhduar janë në vitin e katërt të specializimit 5-vjeçar.

Gazmend Spahija tha se edhe stafi i mesëm është i pamjaftueshëm.

Përveç këtyre, kjo Klinikë sfidohet edhe nga numri i madh i infeksioneve brendaspitalore.

Shkalla e infeksioneve në Klinikë për vitin 2023 ka qenë 40.1 për qind, prej të cilave Spahija tha se 14.22 për qind jane të importuara.

Ai tregoi se si planifikojnë ta sfidojnë këtë problem. “Mendojmë me i nda dhomat ashtu që me i bo disa dhoma të izolimit. Mos me qenë një qasje e lirë e infermierëve prej dhomës në dhomë” – tha ai.

Nga 578 pacientë të pranuar gjatë vitit të shkuar në Klinikën Intensive, rreth 19 për qind apo 110 prej tyre janë pranuar në gjendje të rëndë, apo në terma mjekësorë – gjendje moribund. Këta janë pacientë të cilët kanë ndërruar jetë disa orë pas pranimit apo kanë qenë afër vdekjes kur janë dërguar në Klinikë. Spahijaj e cilësoi këtë numër si të lartë.

Numri mesatar i anestezioneve të kryer për anesteziologë gjatë vitit 2023 ka qenë 545. Ky numër ka qenë 515 në vitin 2022 e 356 në vitin 2021.

Anesteziologët janë të specializuar në ofrimin e anestezisë dhe menaxhimit të dhimbjes gjatë procedurave kirurgjikale.

Ata sigurohen që pacientët të jenë të pavetëdijshëm ose pa dhimbje gjatë operacionit, monitorojnë shenjat vitale dhe menaxhojnë çdo ndërlikim që mund të lindë në lidhje me anestezinë.

Këta mjekë gjithashtu ofrojnë lehtësim dhimbjeje për pacientët në mjedise të ndryshme mjekësore, si gjatë lindjes së fëmijëve ose në njësitë e kujdesit intensiv.

Përveç këtyre, ata luajnë një rol vendimtar në vlerësimin para operacionit dhe kujdesin pas operacionit për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e pacientëve.

Bordi i SHSKUK-së është organi më i lartë drejtues i institucionit dhe përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.

SHSKUK që mbikëqyr edhe QKUK-në edhe spitalet rajonale udhëhiqet nga drejtori ekzekutiv, Elvir Azizi.

Ndërsa, QKUK drejtohet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Osman Hajdari.